E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria shton lëndë me karakter lokal në shkolla

MASH shton kurrikula jashtë orëve mësimore. Shkollat mund të zhvillojnë mësim me tema vendore

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nxjerrë një udhëzim për orët e lira në shkolla. Përmes këtij udhëzimi, shkollat do të kenë autonomi vendimmarrëse për pjesë të caktuara të programeve mësimore, me synim zhvillimin e kurrikulës, duke përfshirë një hapësirë afërsisht rreth 15% të programit të përgjithshëm shkollor.

Në përputhje me këtë udhëzim shkollat mund të zgjedhin të zgjerojnë kohën e studimit për lëndët e kurrikulës formale apo të përfshijnë në kurrikul tema të interesit lokal, aktualitetit ose të studimeve kroskurrikulare.
Që udhëzimi të zbatohet me sukses, është e nevojshme që shkolla të identifikojë nevojat dhe mundësitë e saj për zhvillimin e kurrikulës përkatëse për këto orë të lira dhe të krijojë klimën e favorshme për të negociuar, rekomandon MASH.

Kurrikulat shtesë

Sipas saj, zhvillimi i kurrikulës në nivel shkolle përfaqësohet nga aktivitetet në vijim, përzgjedhja kurrikulare, përshtatja kurrikulare dhe prodhimi i njësive të reja kurrikulare. Vendimmarrjet më të përhapura në nivel shkolle dhe klase për kurrikulën lidhen me aktin e përzgjedhjes, i cili i mundëson mësuesit të luajë rol aktiv në përcaktimin e asaj që do të mësohet nga nxënësit e tij. E drejta për të përzgjedhur është një nevojë në rastet kur tregu ofron numër të madh alternativash. Ndërmarrja e MASH për tekstin alternativ ka vendosur mësuesit para detyrës së përzgjedhjes.
Udhëzimi i MASH për orët e lira mundëson gjithashtu dhe një formë tjetër të përzgjedhjes, të drejtën që shkollat të përfshijnë në planin mësimor të shkollës lëndë me zgjedhje, të tilla si arkeologjia, hoteleria, mjedisi, shëndeti, sportet, artet, programe të ndryshme kompjuterike, gjuhët e huaja etj. Pra, shkollave tashmë u duhet ofruar një meny e përshtatshme lëndësh me zgjedhje. Konceptimi dhe plotësimi i paketës kurrikulare për këto lëndë duhet të përmbushë kriteret shkencore dhe ato metodike si dhe për pjesën e kurrikulës zyrtare.
Në këtë rast përshtatja kurrikulare ka të bëjë me modifikimin e një kursi studimi të përgatitur për një grup të dhënë, të ndryshëm nga grupet për të cilat adaptohet; adaptimi mund të bëhet në nivelin kombëtar, rajonal apo në bazë shkolle.
Udhëzimi i MASH për orët e lira u lejon shkollave dhe mësuesve që në këto orë të thellojnë apo zgjerojnë objektivat lëndore të kurrikulës formale. Në procesin e planifikimit të kurrikulës në bazë shkolle përfshihen aktorët dhe të interesuarit: nxënës, mësues, prindër, biznesi, OJF etj.

Miratohet plani i ri shkollor

“Plani vjetor i shkollës dhe objektivat” është një tjetër reformë që Ministria e Arsimit dhe Shkencës po ndërmerr në arsimin parauniversitar. Qëllimi i planit të vitit është matja e shumë treguesve, që dëshmojnë cilësinë e edukimit në arsimin bazë dhe në atë të mesëm.
Plani vjetor i shkollës tashmë në një koncept të ri, mbështetet edhe nga udhëzimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Kjo ministri ka përcaktuar matjen e arritjeve vjetore të nxënësve dhe programit mësimor të mësuesve, të cilat do të kryhen përmes një analize. Sipas MASH, analiza e gjendjes do të merret me përshkrimin e shkollës dhe përmbajtjen e planeve vjetore të saj. Bazuar në këto udhëzime kjo analizë ka nevojë për një format standard të gjendjes së shkollës, pasi ajo ka në qendër efektivitetin e raportit nxënës (arritjet dhe kushtet e të nxënit) - mësues (arritjet lëndore). Analiza e gjendjes nuk përfshin të gjitha aspektet e shkollës. Kjo, sipas MASH, do të thotë se “analizë e gjendjes” nuk do të thotë “inventar tërësor”. Ajo është e lidhur me objektivin e një plani vjetor mësimor.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›