E Diel, 1 Nëntor 2026

Deniola Kuraja nje dirigjente per Vejushen gazmore

Dirigjentja Deniola Kuraja tregon përvojën e saj në drejtimin e operetës me tre akte “Vejusha gazmore”, e cila do të vijë premierë në Teatrin e Operës dhe Baletit, më 23 dhjetor. E njohur më parë si pianiste, Deniola tregon arsyet që e shtynë të merrte në dorë baketat e dirigjentit dhe t’i kushtohej një profesioni që vazhdon t’i përkasë botës së meshkujve

Publiku e ka njohur si pianiste. Prej kohës së përfundimit të studimeve në Akademinë e Arteve, në vitin 1999, aktivizimi i saj nëpër koncerte të ndryshme, shpeshherë edhe si soliste, ka bërë që të njihet si një pianiste e zonja. Deniola Kuraja megjithatë, me gjithë suksesin dhe vlerësimet e ndryshme me çmime kombëtare në këtë fushë, ka zgjedhur të bëjë diçka tjetër. Ka dashur gjithnjë të bëhet dirigjente. Për këtë, prej dy vitesh ka lënë Shqipërinë dhe vijon studimet master në Hanover të Gjermanisë. Këto ditë është kthyer sërish në Shqipëri. Zhani Ciko, drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit e ka ftuar të jetë ajo dirigjentja e operetës me tre akte “Vejusha gazmore”, e cila do të vijë premierë në skenën shqiptare më 23 dhjetor. “Që në momentin që m’u bë ky propozim, u gëzova mjaft, sepse më ka rastisur që këtë vepër ta luaj edhe si pianiste, kam punuar edhe me këngëtarë, duke qenë për një kohë të gjatë koncertmaestër në TOB, por edhe në Hanover në dy vjet qëndrimi më ka rastisur të punoj mbi këtë vepër. Ajo është ndër më të rëndësishmet dhe më të njohurat e kompozitorit Franz Lehar, një vepër brilante, pasi hyn në operetat më të luajtura në skenë. Është një vepër ku unë si dirigjente mësoj mjaft, pasi muzika ka brenda valsin, temperamentin, momente mjaft muzikore. Për më tepër është një vepër e cila bën fjalë për një pasqyrë të shoqërisë dhe kur të gjitha këto shkrihen në muzikë, bëhen si një pasqyrë e shpirtit për këngëtarin”, thotë dirigjentja për të cilën dirigjimi i kësaj vepre shënon në të njëjtën kohë edhe eksperiencën e saj të parë e të mirëfilltë për një vepër të plotë në skenë. Ajo shton se një prej dukurive më interesante të kësaj premiere është fakti se shumica e artistëve pjesëmarrës janë të rinj në profesion. “Fakti që për ‘Vejushën gazmore’ janë zgjedhur zëra të rinj, më bëri entuziaste, sepse të rinjtë sjellin gjithnjë elemente të reja si nga energjia, ashtu edhe nga koncepti e vlerat që mbartin. Është një shans i madh që u jepet atyre, ashtu si edhe mua”, vijon më tej dirigjentja dhe pianistja. E në fakt, kur e pyet se përse ka zgjedhur të lërë pak mënjanë pianon për t’iu kushtuar dirigjimit, Deniola thotë se ky i fundit ka qenë ndër pikësynimet e saj të mëparshme. “Mundësia që m’u dha për të studiuar në Hanover ishte një nisje e realizimit të objektivit tim. Më pëlqen dirigjimi, sepse të jesh dirigjente kërkohet një formim i mirë artistik, të cilin unë synoj të arrij. Pianoja është instrumenti që më vjen në ndihmë në këtë profil të ri që kam zgjedhur, pasi është dhe kusht kryesor që një dirigjent të ketë njohuri në një instrument”, thotë Deniola. Megjithatë ajo as që e mendon se me përkushtimin e saj në dirigjim, pianoja do të kthehet një ditë e huaj për të. Për Deniolën, të dyja së bashku shkojnë mjaft mirë. “Janë dy degë të lidhura me njëra-tjetrën”, shton ajo, edhe pse dirigjimin e konsideron si majën e procesit muzikor. “Të jesh dirigjente nuk do të thotë vetëm të drejtosh. Të jesh dirigjente të kërkon një formim artistik të përgjithshëm, i cili duhet të jetë më i madh se i një instrumentisti dhe se i një solisti. Ndaj e gjithë kjo më shtyn të jem dirigjente”, thotë ajo. Në këtë periudhë, vajza që iku nga Shqipëria si pianiste e që u kthye si dirigjente kalon më tepër kohë duke u marrë me këtë profesion të ri. Kërkon më shumë punë dhe e plotëson tepër personalitetin e saj artistik. Ajo nuk e shikon si një profesion që dikur i rezervohej vetëm meshkujve. Ndoshta në Shqipëri, edhe mund të ekzistojë paksa paragjykimi, por bota ka kohë që e ka lënë pas. “Ka vite që ky pozicion po zotërohet më tepër prej femrave, pasi ato mund të jenë edhe më energjike, ndonjëherë më shumë se meshkujt, duke sjellë edhe anën e tyre më të ndjeshme dhe më pasionante në veprën që dirigjon”, shprehet Deniola, e cila nuk i trembet tabuve. Me guxim ndjek ëndrrën dhe kërkon të japë maksimumin për t’u vlerësuar në një profesion që megjithatë vazhdon të mbetet i zotëruar nga meshkujt.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›