E Shtunë, 31 Tetor 2026

Loja me çiften e babait i ka marrë jetën 5-vjeçares

Vajzat u kanë shpëtuar syrit të prindërve, të cilët ndodheshin në dhomën tjetër, e më pas kanë shkuar që të merrnin armën “e ndaluar” për të lozur, vetëm pak çaste më vonë është dëgjuar një krismë nga brenda shtëpisë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Kurbinin, kur një lojë me armën e gjetur në shtëpi, i ka kushtuar jetën një 5-vjeçareje, e cila është qëlluar nga e motra vetëm 2 vjet më e madhe. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së dielës në një familje në Kurbin, ku një vajzë pesëvjeçare ka humbur jetën, pasi ka marrë një plagë vdekjeprurëse nga një çifte gjahu, të cilën babai i tyre e zotëronte me leje. Menjëherë mbasi kanë dëgjuar krismën e armës, familjarët kanë vrapuar për në dhomën ku po loznin dy vajzat e vogla. Ata kanë gjetur më të voglën e tyre të shtrirë e të pajetë. Prindërit, të cilët ndodheshin në shtëpi, nuk e kishin vënë re se arma me të cilën kryefamiljari dilte të gjuante, ndodhej në duart e vajzave të mitura. Ata kanë mbetur të befasuar nga e shtëna e armës që erdhi nga brenda shtëpisë. Fqinjët e tyre, pasi kanë dëgjuar krismën e më pas ulërimat e familjarëve të vajzës që ka humbur jetën, kanë lajmëruar policinë, e cila ka mbërritur menjëherë, po nuk kishte më se çfarë të bënte. Burime nga policia shprehen se vajza e vogël mund edhe të jetë vetëvrarë aksidentalisht, duke lozur me armën. Kjo ngjarje e trishtueshme që ka ndodhur në fshatin Fushë-Kuqe të Kurbinit ka tronditur gjithë Shqipërinë.

Edhe pse uniformat blu të Kurbinit po hetojnë mbi ngjarjen e rëndë, ajo që mbetet theksi i kësaj tragjedie, është se një armë në shtëpi është gjithnjë një mjet që ngjall kuriozitetin e fëmijëve. Në syrin e një fëmije që nuk e kupton se ç’do të thotë vdekje, një armë kthehet në një mjet loje dhe pikërisht ajo mund të bëhet shkak edhe për një tragjedi, pasi të luash me armë zjarri është gjithmonë një lojë me zarar, e cila nga një lojë mund të kthehet në një tragjedi të vërtetë. Në Shqipëri ka pasur shpesh raste ku fëmijët kanë gjetur armë apo edhe bomba dhe duke i pandehur ato si një mjet argëtimi, kanë marrë plagë të rënda, duke u lënduar apo kanë humbur jetën me këto “lodra” vdekjeprurëse. Ngjarje të tilla në Shqipëri janë të shpeshta, pasi pas dyndjes në depot e armëve në vitin e mbrapshtë 1997, ka akoma persona, të cilët nuk i kanë dorëzuar ende armët.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›