Shkrimtari qe shpirtezon boten
Ka shkrimtarë të cilët gjatë jetës së tyre krijuese jetojnë midis krijimit dhe publicitetit, ndërkohë që disa syresh i bezdis publiciteti dhe mediat televizive, pasi iu duket sikur u vjedhin heshtjen e nevojshme, iu vjedhin diçka nga thjeshtësia dhe vërtetësia e jetës. Te të dytët bën pjesë dhe shkrimtari Bahri Myftari, një shkrimtar që nuk i njeh lëvdatat, i vetëdijshëm për vlerat e tij krijuese, afatgjata. Nga një vështrim i imët që i kam bërë tregimeve të Bahri Myftarit, e them me bindje të plotë se proza e tij e shkurtër është një nga arritjet e letërsisë sonë të këtyre njëzet viteve, si për nga tematika që trajton ashtu dhe nga cilësia ajo qëndron denjësisht përkrah dy-tre emrave të njohur të prozës sonë bashkëkohore. “Shkrimtari shpirtëzon botën”, thotë Sartri, Bahri Myftari ka tri dekada që vazhdon ta shpirtëzojë këtë botë, tipike shqiptare. Në optikën e tij shpërfaqet një realitet plot me ngjarje që, të duket se i ke dëgjuar, me vende që të duket se i ke parë dhe personazhe që të duket se i ke takuar në qytetet dhe fshatrat tona. Në optikën e shkrimtarit Bahri Myftari nuk ndryshon realiteti, ndryshon vetëm syri që e sheh këtë realitet. Autori i këtij libri të ri me tregime “Fëmijët e Kolerës” e tregon qysh me titullin se çfarë ka ndodhur në këtë realitet kaotik, bardh e zi, të porsa dalë nga diktatura. Bahri Myftari është një vrojtues i hollë i jetës, ai di të qëmtojë nga ky realitet të veçantën, tipiken dhe të thjeshtën universale, e cila i shërben si model për ta modeluar botën artistikisht. Në këto vite të postdiktaturës janë të paktë ata shkrimtarë që nuk i kanë prerë marrëdhëniet me realitetin e sidomos me atë realitet rural, fshatarak, i cili po braktiset dita-ditës. Bahri Myftari këtë realitet e ka lëndë të parë të prozës së tij, tepër e çmuar për krijimtarinë e një prozatori. Autori e ka thelluar këtë njohje me realizëm, si metodë letrare dhe me ironinë si element letrar. Është bërë zakon që, kur shkruhet për autorët tanë, të kërkojmë ngjashmëri temash dhe stilesh me shkrimtarët botërorë, prozën e Bahri Myftarit, një studiues e ka afruar me atë të Gabriel Markez, një tjetër me prozën e Julio Cortazar, unë mendoj se Bahri Myftari, si për nga stili ashtu dhe për nga tematika i ngjet vetëm Bahri Myftarit. Krijimtarinë e tij ka vite që e vlerësoj dhe e ndjek në vijimësi. Tek proza e tij të bën përshtypje energjia e frazës, kthjelltësia e shprehjes dhe një ironi e hollë, shprehje e inteligjencës, e cila të kujton fjalët e shkrimtarit argjentinas Luis Borges, kur thotë që krijimi “është një njëkohësisht dhe divertisment”. “Çdo mbresë është e patransmetueshme po nuk e bëmë letrare”, thotë F. Pessoa. Fjala “letrare” është një term në diskutim, pasi jo çdo autor ka vetinë t’i kthejë mbresat jetësore në mbresa të një niveli letrar, të krahasueshme me penat e shkrimtarëve më të njohur. Në këtë libër autori lëvron tema nga jeta e përditshme dhe e kaluara e afërt, të gjitha së bashku sjellin një mesazh për kohën që jetojmë. Është interesant të vëresh se si autori i nis tregimet me një fjali, e cila të fut drejt e në temë, rrëfenjat e këtij libri, fillojnë në çastin e duhur dhe mbarojnë në mënyrë të papritur, sikur autori thotë “për disa gjëra lexuesi im duhet t’i nxjerrë vetë konkluzionet”, duke e trajtuar lexuesin në një bashkëbisedues dhe bashkautor. Në prozën e Myftarit nuk ka rëndesa, ka njerëz të gjallë, thjeshtësi të treguari, ngjarje të cilat të krijojnë përshtypjen se janë kalimtare, ose “çikërrima jete”, por, pikërisht te këto të ashtuquajtura “çikërrima” thotë Dostojevski, qëndron sekreti i letërsisë së vërtetë. Letërsia e mirë synon ta lërë lexuesin gjithmonë në gjendje të uritur. Në këto tregime nuk gjen zgjatje e përshkrime të tepërta, janë thënë gjërat esenciale si në vrap e sipër, duke kontrolluar masën dhe ndjenjën, ritmin dhe imazhin, ironinë dhe kontrastin, realitetin dhe imagjinatën. E veçanta e kësaj përmbledhjeje me tregime qëndron tek uniteti i stilit, të gjitha tregimet krijojnë një mozaik rrëfimesh, të cilat i lidh zëri i narratorit. “Gjërat e vogla të gjithësisë, thotë Borges, mund të jenë pasqyrë e të mëdhave”. Kjo ide është pikë nisëse në zgjedhjen e tematikës së shkrimtarit. Autori të krijon përshtypjen sikur kapërcen mbi fakte, kjo ndodh ngaqë personazhet nuk i vizaton asnjëherë me tiparet e tyre fizike, por përmes ndonjë cilësie karakteri, kjo aftësi e prozës së tij (për të cilën mund të ndalesha më gjatë) është përftuar nga një eksperiencë e gjatë krijuese. “Krijimtaria është një proces ku “shkrimtari krijon duke zbuluar dhe zbulon duke krijuar”, një thënie që i shkon për shtat më së shumti krijimtarisë së tij. “Krijimi i mendjes është një objekt konkret dhe abstrakt”, thotë Sartri te libri “Ç’është letërsia”. Në tregimet e Bahri Myftarit, ky krijim i mendjes është gjithmonë konkret dhe nëse është i trilluar, ai bëhet i besueshëm, i vërtetë dhe bindës, gjer në atë masë sa që të shtyn të thuash: “këtë njeri e kam parë diku”. Duke u nisur nga tregimet e Bahri Myftarit mendon se sa përparësi ka jeta rurale për të portretizuar tipa e për të gjetur lëndë të parë letrare.