E Diel, 1 Nëntor 2026

S’ka problem

Behgjet Pacollit nuk i ka ngelur hatri që Nexhat Daci ka hapur krahët në pritje të një përqafimi nga Presidenti Fatmir Sejdiu.

Ai vazhdon të llogarisë në partneritetin e ndërtuar gjatë fushatës mes AKR’së dhe LDD’së, që të dy liderët e konsideronin si bashkim të Akademisë së Biznesit dhe Shkencës, duke besuar se suksesi do të ishte i garantuar.

Në një bisedë për Express, Kryetari i AKR’së thotë se nuk sheh asgjë të jashtëzakonshme në letrën që Nexhat Dacit dërgoi në Presidencë, ku i kërkohej Fatmir Sejdiut që LDK’ja dhe LDD’ja të garojnë bashkë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Mendoj se z. Daci sigurisht se i ka bërë kalkulimet e tij kur e ka dërguar atë letër në Presidencë. Kjo është e drejtë e secilit”, ka deklaruar Pacolli, të dielën.

Disa ditë para fillimit të fushatës elektorale për zgjedhjet e 15 nëntorit të vitit të kaluar, AKR’ja dhe LDD’ja kishin nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, ku ranë dakord që të garojnë me kandidatë të përbashkët në shumicën e komunave.
Ky koalicion rezultoi i pasuksesshëm, por në deklarimet e tyre Behgjet Pacolli dhe Nexhat Daci shfaqën hapur dëshirën për vazhdimin e partneritetit. Madje, ata nuk mohuan mundësinë e bashkimit të grupeve të tyre në Parlamentin e Kosovës.

Behgjet Pacolli vazhdon të besojë në këtë ide.

“Kjo ide nuk ka vdekur. Absolutisht”, tha Kryetari i AKR’së.

“AKR’ja vazhdon të jetë e hapur për krijimin e një grupi unik ose fuzionimin e dy grupeve parlamentare të AKR’së dhe LDD’së në Parlamentin e Kosovës”.

Ai thotë se me Dacin e lidh shumëçka.

“Unë kam respekt të madh për z. Daci. Ai është njeri i sinqertë, njeri që nuk korruptohet. Në këtë kuadër, mendoj se bashkëpunimi ynë është në shërbim të vendit”, ka deklaruar Pacolli, përmes telefonit.

“Ai edhe nëse i bashkohet LDK’së ose nëse lidh koalicion me LDK’në, nuk e zbeh aspak respektin që kam për te”, ka shtuar Kryetari i AKR’së.

Lidhja Demokratik e Dardanisë ndodhet në një krizë të madhe pas zgjedhjeve të vjetshme komunale. Kjo parti pati rënie të elektoratit, çka ndikoi që disa anëtarë të Kryesisë së saj t’i drejtojnë shigjetat kah Nexhat Daci. Ai u akuzua se zhgënjeu elektoratin e tij kur vendosi të garonte së bashku me AKR-në në shumë komuna, derisa publikisht disa udhëheqës të LDD’së i kërkuan që të mendojë për një bashkëpunim me LDK’në.

Në këtë kontekst, edhe Behgjet Pacolli e sheh letrën e Nexhat Dacit për Fatmir Sejdiun.

“Mendoj se letra e Dacit vjen pasi që këtë e kanë dëshiruar forumet partiake të LDD’së”.

Ai pranon se koalicioni AKR-LDD nuk i ka plotësuar objektivat që i kishte vënë vetes para zgjedhjeve komunale.

“Koalicioni nuk i ka plotësuar objektivat. Ndoshta kemi qenë të papërgatitur dhe jemi vonuar në krijimin e këtij koalicioni. Ne nuk i kemi marrë votat tona aty ku nuk kemi garuar me kandidatët tanë”, ka thënë Pacolli.

Megjithëkëtë, ai nuk mendon se kjo ka ndodhur për shkak të LDD’së.
“Jo, kurrsesi”, ka thënë ai.

“Mendoj se kjo ka ardhur si pasojë e hutimit të elektoratit tonë. Megjithatë, përkundër faktit që ne kemi sivjet vota më pak, mendoj se ne nuk kemi rënie të elektoratit. Elektorati ynë është aty, vetëm se ai më 15 nëntor ka qenë i hutuar. Kjo u dëshmua edhe më 31 janar, gjatë rrethit të tretë të garës për Kryetar të Prizrenit”, ka shtuar Pacolli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›