Reaktori i UP

Pranon se nuk e di shqipen fund e krye. Por, për këtë mërzitet më së paku. Sipas tij, shqipe të përkryer nuk ka pasur madje as Eqrem Çabej. Edhe më tej këmbëngul se shqipja duhet të rimësohet në universitet. U bën thirrje akademikëve që të hyjnë në pazarin e ndërrimeve të objekteve para se të bëhet pishman. Merr në mbrojtje asistentët dhe profesorët që marrin rroga edhe në institucionet kosovare edhe në UP. Akuzon menaxhmentin e kaluar se kanë bërë hile në tenderin për përkthimin e librave universitare.
Rektori i Universiteti të Prishtinës, Mujë Rugova, flet për Express.
Express: Keni ardhur në këtë post me synimin se studentët do t’i largoni nga kafenetë. A ia keni dalë deri më tani?
Mujë Rugova: Jo që studentët mos të hynë në kafene, por ideja ime ka qenë që studentët mos të humbasin kohë nëpër kafene. Rinia duhet te dalin një orë, tre orë, ose dy herë njëherë në javë në mbrëmje. Por, jo të bëhet ajo pasion, në vend se të është pranë librit, pranë informimit...
Express: Së voni keni kërkuar që gjuha shqipe të rimësohet nëpër fakultete?
Mujë Rugova: Duhet pas kujdes, të folurit shqip dhe të folurit e gjuhës standarde shqipe. Këtu është ndryshimi...
Express: Nëse një student nuk ka arritur të mësojë për 13 vjet gjuhën shqipe, si mundet ta bëjë brenda tre muajve këtu në fakultet?
Mujë Rugova: Nuk qëndron këtu çështja e 13 vjetëve, shtrohet pyetja, mësuesit e edhe ti, e të gjitha lamive, çfarë niveli gjuhësor janë se fëmija është kopjues i fuqishëm, në veçanti i mësuesit. Qoftë ai mësues i lamive gjuhësore ose shkencave ekzakte, ai duhet ta flasë gjuhën drejt dhe pastaj nxënësit kjo i ngelet. Dhe kjo qëndron, mësuesit tanë në përgjithësi në Kosovë e flasin gjuhën e zonës dhe mësojnë fëmijët keq të flasin.
Express: Por, këtu kush do t’i mësonte ata më mirë?
Mujë Rugova: Ata do t’i mësonin mësuesat, pedagogët e gjuhës.
Express: A kemi aq shumë sa t’i mbulojmë të gjitha fakultetet?
Mujë Rugova: Pse nuk kemi, po këto janë. Gjuha është lëndë që mund të futësh 100, 150 veta në një amfiteatër të dëgjojnë, të shprehurit, të shkruarit. Ata që janë të interesuar që ta flasin mirë gjuhën...Shikoni dokumentarët e para 30 vjetëve, shikoni, ka qenë një përpjekje e rinisë po në atë kohë ta flasin gjuhën standarde.
Express: Në shumë fakultete mësohet edhe shkrimi akademik, që përmban shumë rregulla gjuhësore dhe gramatikë. A nuk mjafton kjo?
Mujë Rugova: Unë nuk e di, nuk e njoh atë program,. Çfarë përmban brenda dhe nuk dua të jap përgjigje për to. Po, në qoftë se ne përgatisim profesorë të lëmive të ndryshme, gjuha është e domosdoshme. Nuk jemi as ne të përkryer.
Express: Disa analistë ju kanë akuzuar juve që as ju nuk e flisni gjuhën aq mirë, ndonëse nga tjerët kërkoni një gjë të tillë?
Mujë Rugova: Gjë normale. Unë nuk e flas gjuhën e përkryeme, edhe te unë ndikon fuqishëm zona prej ka vij unë. Unë flas gjuhën e Rugovës më shumë, zanoret e gjata, diftongu UA që është edhe në gjuhën letrare. Megjithatë, unë kurrë nuk them dhanë, kanë etj. Çabej ka qenë babi i kësaj gjuhe, edhe ai kurrë s’ka thanë që e di në fun’ e krye. Po vazhdimisht ka punuar.
Express: Sot edhe gjuha angleze është bërë shumë e domosdoshme. A mund të futet kjo në plan-programe që të mësohet në çdo semestër. Ky ka qenë edhe një propozim i një grupi të ekspertëve?
Mujë Rugova: A të futet në të gjithë semestrat gjuha angleze nuk është e tepërt, por shtrohet pyetja si dhe a kemi hapësirë që lëndët profesionale t’i qesin nga rrjedha e mësimit.
Express: Një kërkesë që po ashtu është komentuar shumë është që ju keni kërkuar ndërrim me objektin e ri të Akademisë së Shkencave. Sa keni shpresë që kjo dëshirë e juaja të bëhet realitet?
Mujë Rugova: Çështja e objektit. Ky objekt ku jemi, Rektorati i UP-së ka qenë i mjaftueshëm para 35, 30 vjetëve kur ka qenë i vogël...Por, tani ku numri i studentëve është diku te 40 mijë dhe numri i personelit akademik është mbi 2 mijë, pastaj administrata është e shpërndarë në 4-5 objekte. Ky objekt nuk mjafton. Ideja ime ka qenë dhe mbetet që ky objekt është një objekt kapital dhe mund t’i shërbejë shkëlqyeshëm Akademisë së Shkencave të Arteve. Ky ka një arkitekturë të brendshme që nuk e kanë objektet as qeveritare. Unë për vete si rektor kërkun nuk do ta kërkoja, se nuk e gjej, as presidenti nuk e ka zyrën më të mirë.
Express: Pavarësisht që ju po e lëvdoni objektin dhe zyrën tuaj, kjo nuk po shitet disi...
Mujë Rugova: Dëgjo, dëgjo. Objekti i Akademisë është shumë i madh për Akademinë. Ajo çdo muaj duhet të paguajë 10 mijë për mirëmbajtje të objektit. Akademia nuk ka akademikë sa t’i mbushë të gjitha kthesat e zyrave të saj. Unë përmes gazetës po i bëj thirrje Akademisë mendohu, se edhe unë duhet ta shikoj, ndoshta nuk më pëlqen dhe nuk i ka hapësirat të atilla çfarë i mendoj, dhe nuk i plotëson kushtet... Atëherë unë nuk do ta ndërroj.
Express: Pra, Akademia duhet të gëzohet shumë nëse vjen deri te ky ndërrim i objekteve?
Mujë Rugova: Ajo duhet të gëzohet. Ata akademikët janë ndoshta pak si të thuash në moshë, që është vështirë të ndërrojnë mendimin. Unë jam rrit me ta, ata që janë shumë më të vjetër sa unë i kam pas pedagogë...
Express: Po thoni që nuk do të ndërrojnë mendim?
Mujë Rugova: Ndoshta nuk e ndërrojnë, por do ta shohin pas një vjet do të vinë të na lusin, por pas një viti kjo do të shkojë në dy kate lart se duhet bërë një zgjidhje.
Express: Nëse ishte ndërtuar një objekt enkas për Rektoratin siç është ndërtuar për Akademinë, a do t’ia kishit lejuar aty vendosjen e një citati të kryeministrit?
Mujë Rugova: Nëse ia kish vu dikujt, le kryeministrin, citatin e kujtdo, pra mendo mirë pse e vure, mendohu mirë se a do vësh diçka...Unë nuk do ta hiqja , as të kryeministrit as kryeministrit të mëparshëm. Të askujt.
Express: Por, a do të kishit lejuar vendosjen e atij citati?
Mujë Rugova: Në qoftë se kisha lanë, atëherë nuk e kisha heq.
Express: Do ta kishit lejuar?
Mujë Rugova: Dëgjo, këtu është abrakadabra, unë nuk jam këtu...Nuk ka ndodh kjo, nuk jap përgjigje paushall.
Express: Të kthehemi te problemet në Universitet. Sipas një vendimi 3/135 të 3 nëntorit 2009, thuhet se asistentët duhet të punojnë 8 orë në ditë dhe 5 ditë në jave. Mirëpo, pika 2 e këtij vendimi thotë se prej kësaj janë përjashtuar asistentët që kanë funksione të larta publike në kuadër të ministrive, përkatësisht Qeverisë së Kosovës. A është ky diskriminim?
Mujë Rugova: Zoti na ruajt! Asistenti, ai duhet të punojë, ai duhet të përgatitet, ai duhet me qenë shumë i lumtur që është bërë asistent. Rroga e asistentit bazë është 560 euro.
Express: Shumë mirë, por kolegu i një asistenti që punon edhe në qeveri nuk ka nevojë me ardhë çdo ditë, të tjerët po?
Mujë Rugova: Ai që është në qeveri...qoftë asistenti, qoftë profesori, ai për një kohë kryen detyre shtetërore, e cila iu ka besua. Dhe ku me marr kuadrat më të mira me të mençura, ma të sjellshme, ma të edukime me i vu në qeveri, edhe në këtë edhe në atë që vjen pas saj. Këto duhen dalluar. Kështu është në tërë botën.
Express: A nuk do të ishte më mirë që ata asistentë të mungojnë në qeveri, por jo në ligjërata?
Mujë Rugova: Dëgjo, dëgjo, pse nuk e bën ai, pse nuk e bën ky. Universiteti ka rregulla të veta. Është punë me nder, në qoftë se e kryen me nder. Prandaj duhet bërë hyzmetin, para se me ardh deri të titulli profesor. Por, edhe këtu janë bërë brenda natës profesorë, këtu nuk kanë me ec kështu, derisa të jam këtu.
Express: Ju folët për studentët, por ata po dëmtohen, sepse ata profesorë më shumë qëndrojnë në qeveri sesa në Universitet...
Mujë Rugova: Është numër i vogël, nuk është ndonjë numër kushedi çfarë. Ke një numër të vogël që janë në qeveri, në krahasim me stafin e institucioneve. Kjo nuk i dëmton studentët. Këta profesorë i mbajnë mësimin pas orës 17:00.
Express: Në bazë të cilave kritere ka marr Këshilli Drejtues këtë vendim?
Mujë Rugova: Me siguri, unë s’po flas në emër të atyre dhe unë jam gjithmonë në ato mbledhje, por menaxhmenti nuk ka drejt vote kur merren vendime për qeverisje. Unë nuk e shoh këtë të keqe. Kjo është e mirë.
Express: D.m.th e përkrahni?
Mujë Rugova: Unë e mbështes këtë punë, sepse është e detyrueshme. Ne kemi kuadro, të cilat janë vlerësuar se janë të zonja të udhëheqin, duhet t’i shfrytëzojmë.
Express: Sipas teje, ata e japin maksimumin, sepse është detyrim i dyfishtë?
Mujë Rugova: Ata nuk e dhanë, por e japin maksimumin...
Express: Pse nuk paguhen asistentët, të cilët janë të autorizuar prej fakulteteve përkatëse që t’i mbajnë ligjëratat dhe provimet. Ata kryejnë një punë të rëndësishme, por nuk paguhen?
Mujë Rugova: Ju duhet të flisni me emra. Asistentët, të cilët janë të autorizuar, të rrallë janë që nuk paguhen...
Express: A jeni në dijeni që Senati ka marr një vendim, që është në kundërshtim të deklaratës së Bolonjës. P.sh. Një student nuk mund t’i nënshtrohet provimeve të vitit vijues, nëse nuk i ka krye krejt provimet e vitit paraprak?
Mujë Rugova: Statuti është ai që i rregullon ato punë, ja statuti është aty, në tavolinë.
Express: Stafi akademik në UP merr rroga dukshëm më të larta se në të kaluarën. A do të ketë obligime shtesë për ta?
Mujë Rugova: Jo, të ardhurat e pedagogëve prej asistentit janë rritur. Këto të ardhura ky staf i ka marr në vazhdimësi, por si dy pjesë. Një pjesë e ka marr nga qeveria, e një pjesë nga të ardhurat - vetëfinancim. Qeveria është ajo që menaxhon paratë që hynë në arkën e shtetit. Dhe ajo ka bërë një punë shumë të mençur i ka fut të gjitha në një thes si të thuash dhe i ka nda, varësisht nga thirrjet. Kjo i obligon të gjithë punonjësit e këtij universiteti që ne të punojmë më mirë, por ata duhet të jenë këtu 8 orë pune të gjithë. Në të ardhmen secili do të ketë kartelën.
Express: A ka ndonjë mekanizëm kontrollues?
Mujë Rugova: Vetë mekanizimi që do të vendoset, që profesori nuk mund të dalë të thotë e kam dreken, e të mos të kthehet më atë ditë. Mund të dalin, por do të jetë i kontrolluar me elektronikë...
Express: Kur do të bëhet kjo?
Mujë Rugova: Të shohim, do të përpiqemi. Deri në fund të mandatit tim do të bëhet. Unë do të përpiqem me bë këtë vit, por kam shumë punë.
Express: A do të kërkoni nga ta që të botojnë ndonjë libër ose punim shkencor, ose të përkthejnë ndonjë libër, natyrisht duke marr autorizim nga autorët e huaj?
Mujë Rugova: Dëgjo, këtu gjithkund në botë është, edhe këtu ishte, por ne u rrënuam. Në vend se të ngrihen pas 1999, ne e humbëm elanin e punës. Nuk mund të flasim për këtë. Është e domosdoshme që pedagogët e të gjitha niveleve të futen në biblioteka, në laboratorë dhe aty të kalojnë kohën. Se nuk merren pagat mujore për 4 ore ose 6 orë pune, por për 40 orë pune. Prandaj duhet të kuptohemi.
Express: Megjithëkëtë, dyshimet janë se ata nuk po publikojnë libra, punime shkencore?
Mujë Rugova: Nuk do t’i lajmë...këtu është shtëpi e madhe, këtu janë 2 mijë veta, 2 mijë njerëz. Prandaj në shtëpi të madhe ka edhe të pashëm, ka edhe të çalë, ka edhe gërrbana , ka shumëçka. Prandaj kjo që ti e thua se nuk po botohen, një pjesë punon shkencë...por shihet një tendencë - e ka mujt e keqja të mirën. Mendojnë se të gjitha i kanë në kompjuter. Kompjuteri është mjet pune. Por, nga kompjuteri punë shkencore nuk mund të nxjerrësh se është puna e dikujt tjetër. Prandaj është vetë libri, unë jam ithtar i përkthimit të librit sesa te shkruarjes. Dje ka hyrë në Universitet, sot të shkruajë libër...
Express: Menaxhmenti i mëhershëm ka dhënë 500 mijë euro për përkthimin e literaturës universitare. Ku kanë shkuar ato para?
Mujë Rugova: Do të jem shumë konkret dhe i shkurtër. Një javë më parë diku pas 20 dhjetorit, ne kemi marr një informatë se ekziston një veprimtari e tillë dhe është zgjedhur një institucion për përkthime në Tiranë. Këtë informatë e kemi marrë nga ata që e kanë kërkuar lekun. Dhe del se një libër 1000 faqe nga anglishtja në shqip kushton 35 mijë deri në 55 mijë euro. Kështu nuk ka kerkund.
Express: Kush e ka përcaktuar këtë çmim. Sigurisht ka pas tender për këtë?
Mujë Rugova: Ka hile këtu, ne do të shkojmë edhe përmes gjyqit.
Express: Kush ka bërë hile?
Mujë Rugova: Janë dy vendime, dy marrëveshje. Një merret me fjalët, tjetri shkronjat. Të dyja i ka nënshkruar i njëjti njeri. Këtu unë gjej hile. Se zakonisht një libër 1000 faqe nuk mund të kushtojë mbi 7 mijë deri në 8 mijë euro. E jo 35 mijë euro veç përkthimi. Ata që e kanë bërë këtë punë e kanë edhe përgjegjësinë.
Express: Kush janë ata?
Mujë Rugova: Menaxhmenti i kaluar, administrata, ata që kanë lidhur marrëveshje, komisione tjera e tjera. Nuk do të paguhen 500 mijë euro. Te na kanë ardhur 4 libra të përkthyera. 5 nga to nuk janë fare në marrëveshje për t’u përkthyer.
Express: Nga 500 mijë euro, sa janë shpenzuar për këto përkthime?
Mujë Rugova: Janë dhanë diku 85 mijë 90 mijë euro, këto tjerat nuk janë dhanë edhe nuk jepen..
Express: Edhe një pyetje të fundit, ju jeni afër moshës për pensionim. Çfarë do të bëni?
Mujë Rugova: Unë këtu jam zgjedh me konkurs. Ky është post pozicional, nuk e merr ligji, duhet ta keni qartë. Sikur të isha vetëm profesor, ajo është diçka tjetër.