E Diel, 1 Nëntor 2026

Opozita të jetë në Parlament brenda 7 marsit

15/02/2010  Ambasadori spanjoll Manuel Montobio vlerëson nisjen e negociatave
Dy momentet e rëndësishme për klasën politike shqiptare
Ambasadori i Spanjës Manuel Montobio, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, shpreson që ngërçi politik në Shqipëri të zgjidhet brenda fillimit të muajit mars. Ai pranon se ekziston një afat kushtetues brenda të cilit deputetët duhet të bëjnë betimin në Parlament, në mënyrë që të mos humbasin mandatin e tyre. “Ka një afat kushtetues, më 6 mars për shkak të 6 muajve që duhen për të marrë vendin në Parlament deputetët, në këtë rast të opozitës. Ajo që ka thënë BE-ja në çdo kohë ka qenë se vendi i të gjithë parlamentarëve është në Parlament dhe ne do të donim që kjo situatë të kapërcehej, në mënyrë që të lejohet që, kur afati të mbërrijë në këtë lloj avancimi, të kemi deputetët në Parlament”, - ka deklaruar Montobio në një intervistë televizive. Duke iu referuar negociatave mes dy partive kryesore në vend, që kanë nisur nën drejtimin e Presidentit të Republikës Bamir Topi, ambasadori spanjoll e vlerëson atë si një hap shumë pozitiv. Për Montobion tryeza e thirrur nga kreu i shtetit shqiptar, pavarësisht se është një hap i parë, duhet të pasohet nga takime të tjera, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje politike. Ai kujton hapin e rëndësishëm të Shqipërisë në procesin e integrimit europian: liberalizimin e vizave dhe statusin e vendit kandidat në BE, afate që sipas tij, nëse nuk respektohen, do të sjellin vonesa për Shqipërinë. Monbtobio thekson se për BE-në ka dy momente të rëndësishme: takimi mes Shqipërisë dhe Këshillit të Stabilizim-Asocimit në nivel ministrash më 10 maj, ku do të orientohen marrëdhëniet politike mes BE-së dhe Shqipërisë gjatë një viti dhe është shumë e rëndësishme se çfarë do të jetë në qendër të vëmendjes atje. Gjithashtu momenti i dytë lidhet me mbërritjen në Tiranë më 22 shkurt të përfaqësuesve të Këshillit të Europës. Ambasadori spanjoll shpreson q negociatat politike të kenë përparuar.
Paralajmërimi i PPE-së
Kryetari i grupit të Partive Popullore Europiane në Parlamentin Europian Joseph Daul ka theksuar para nisjes së negociatave shqetësimin mbi situatën e vështirë politike në të cilën ndodhet Shqipëria si pasojë e bojkotit të Parlamentit nga Partia Socialiste. “Partia Socialiste Shqiptare duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të rregullta dhe të kthehet të punojë në interes të qytetarëve shqiptarë”, - tha kreu i grupit të PPE-së Joseph Daul.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›