E Diel, 1 Nëntor 2026

S'ka vullnet politik për konfiskim të pasurisë së paligjshme

Nga Express më 05 maj 2011 në ora 21:14

Konfiskimi i pasurisë së paligjshme dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet një sfidë e madhe për Kosovën dhe institucionet e saja, dhe përderisa nuk kemi një ligj specifik nuk do të ketë rezultate, u tha të enjten në një konferencë për media të organizuar nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, ku u prezantua raporti me titulluar “Konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme”.

Krenar Gashi, nga KIPRED, deklaroi se raporti merret me fenomenin e njerëzve që pasurohen brenda natës, por edhe kur dënohen nuk bëhet asgjë me pasurinë që këta persona e kanë fituar me mënyrën e pa ligjshme, konkretisht të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Meqë kemi mungesë të gjykimeve për krim të organizuar dhe për korrupsion në përgjithësi në Kosovës, në fakt kemi edhe mungesë të gjykimeve të veprave penale në përgjithësi. Në raportin e kaluar patëm thënë se një gjyqtar i UNMIK-ut ka gjykuar 1.5 lëndë në vit, ndërsa kemi nxjerr një statistikë të ngjashme edhe për EULEX-in e cila ka dalë diku 1.78 lëndë penale për vit, kjo i bien pak më mirë, por në krahasim me numrin e madh të rasteve të korrupsionit dhe me krimin e organizuar në Kosovë dhe me të gjitha ato raporte vendore e ndërkombëtare që na qesin për të keq në këto dy lami, kjo është një shifër shumë e vogël”, ka thënë Gashi.

Kurse, autorja dhe drejtoresha e hulumtimeve në KIPRED, Ariona Qosaj-Mustafa duke u ndalur te statistikat e EULEX-it, theksoi se ky mision vazhdon të mbetet mbrapa në hetime.

“EULEX-i i cili ka një mandat ekzekutiv në luftimin e krimit të organizuar edhe korrupsionit, vazhdon të mbetet mbrapa shumë në dhënien e rasteve dhe hetimeve. Për shembull, statistika që kemi nxjerr së fundi, është që në sferën e krimit të organizuar, EULEX-i ka dhënë deri 0.07 raste për vit, ndërsa në sferën e korrupsionit 0.17 raste janë vendosur në vit. Do të thotë për këto dy vite e gjysmë që EULEX-i u ofron përkrahje dhe e ngrehë kapacitetin prokurorisë dhe gjyqësorit kosovar, e shini sa minimal kanë qenë rezultatet”, ka thënë Qosaj-Mustafa.

Ajo u ndal edhe te procedura e konfiskimit të pasurisë e cila krijohet në mënyrë të paligjshme, duke thënë se KIPRED ka marr një mostër të rastësishme të katërmbëdhjetë zyrtarëve që janë në Parlamentin e Kosovës, ku është vërtetuar se të hyrat e tyre vjetore janë 24 mijë euro, gjersa ata kanë raportime të pronësisë rreth 97 mijë euro, ku shihet një diskripancë e madhe në mes asaj se çka janë të hyrat e tyre ligjore dhe në mes asaj se çka ekziston në llogaritë, apo në raportet e tyre të pronave.

“Meqë korrupsioni i profilit të lartë në Kosovë po vazhdon, konfiskimi i pasurisë dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit mbetet një sfidë e madhe, që të adreson drejtësinë që duhet t’i ofrohet taksapaguesve kosovarë, për arsye që qytetarët e Kosovës janë ata që e paguajnë pasurimin gjatë natës së këtyre njerëzve që i përmendëm më parë”, ka thënë Qosaj-Mustafa.

Sipas saj, KIPRED ka bërë një analizë të sistemeve dhe mekanizmave që janë në rajon, siç është Kroacia, Italia dhe Shqipëria dhe duke u krahasuar me këto shtete, Kosova mbetet ende me mungesë të madhe të ligjeve dhe mekanizmave adekuat, duke shtuar se kemi një agjencion për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, i cili faktikisht nuk ka bazë ligjore për veprim.

“Ligji mbi konfiskimin e pasurisë, ende mbetet sfidë e madhe për institucionet dhe derisa nuk hartohet një ligj i tillë specifik, nuk do të kemi edhe rezultate konkrete”, ka thënë ajo.

Në fund ajo potencoi se deri tash përkundër akuzave dhe burgosjeve për korrupsion e krim të organizuar, as vendoret as ndërkombëtarët nuk kanë dhënë urdhër që të konfiskohet pasuria e pa ligjshme, apo siç thuhet në raport “Pasuria e ‘këmishë bardhëve’ është e pa prekshme”.

KIPRED ka bërë edhe rekomandimet për Qeverinë e Kosovës, ku thuhej se duhet të specifikojë ose hartojë një ligj mbi konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme, ndërsa sa i përket zyrës së Prokurorisë Speciale, thuhej se duhet të hartojë një strategji të mirëfilltë dhe të pavarur se si do të duhej të luftohej krimi i organizuar dhe korrupsioni, kurse EULEX-it thuhet se duhet të zhvillojë hetime të përbashkëta me autoritetet e Kosovës lidhur me aktivitetet kriminale që operojnë në Kosovës.

Ky publikim është si rezultat i hulumtimi që ka zgjatë rreth katër muaj, ku janë studiuar rreth njëzetë ligje dhe raporte tjera relevante dhe jepen më shumë se gjashtëdhjetë referenca./kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›