E Diel, 1 Nëntor 2026

Skadoi afati, emigrantët s'lëvizin me leje qëndrimi

Ky urdhër u lëshua nga qeveria italiane me qëllim kthimin e emigrantëve në atdhe për festa, pasi së fundmi procedura e pajisjes me permesso është bërë tej mase e gjatë. 

TIRANE- Skadoi afati i hyrjes në Itali të personave që janë në pritje të lejes së qëndrimit, 31 janar ishte afati i fundit. Në fillim të gushtit 2008 qeveria italiane nxori një urdhëresë, me anë të së cilës lejohej lëvizja e lirë e personave që ishin në pritje të lejes së qëndrimit në Itali (permesso di soggiorno); kush kishte për të marrë këtë dokument për herë të parë, mund të udhëtonte me linja direkte nga Italia për në atdhe, ndërsa kush e kishte për rinovim, mund të udhëtonte edhe në vendet e tjera të Bashkimit Europian. Ky urdhër u lëshua nga qeveria italiane me qëllim kthimin e emigrantëve në atdhe për festa, pasi së fundmi procedura e pajisjes me permesso është bërë tej mase e gjatë. Ky urdhër si datë të fundit kishte 31 janarin e 2009-ës. Dhe në datën 31, ishte jo i vogël numri i qytetarëve tanë që udhëtonin në drejtim të Italisë me qëllim që të mos digjnin dokumentet. Qeveria italiane ka ndërmarrë shumë masa për të vështirësuar hyrjen e emigrantëve në vend. Me nismën e Lega Nord, një nga partitë në pozitë që i përket ekstremit të djathtë, po shqyrtohen disa ligje për rregullimin e emigracionit në Itali. Ndër këto, ai që spikat më shumë është pezullimi për dy vjet i kuotave të hyrjes në Itali për qëllime pune, dhe tjetri që është kritikuar masivisht nga spektri politik italian, është që, për përballimin e krizës të vihet një taksë për të gjithë emigrantët që janë me leje qëndrimi në Itali, e cila varion nga 50 € në 200 €, përveç kostos pa kriter që po përdoret për rinovimin apo aplikimin për leje qëndrimi (permesso di sosggiorno).
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›