E Diel, 1 Nëntor 2026

Skadon afati, 80 për qind e bizneseve pajisen me kasa

Ditën e djeshme ka skaduar afati i pajisjes me kasa fiskale për të gjitha bizneset e mëdha. Nga të dhënat e marra nga drejtoria e përgjithshme e tatimeve, numri i bizneseve të pajisura me kasa fiskale ka arritur në 9600 nga 12 mijë biznese. Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Artur Papajani, u shpreh për gazetën SOT, se dje ishte afati i fundit i bizneseve të mëdha për tu pajisur me kasa fiskale në rast të kundërt Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të vendosë gjoba që

fillojnë nga 100 mijë lekë dhe nëse ky biznes nuk do të pajiset për dhjetë ditë pas këtij konstatimi atëherë ai gjobitet me 500 mijë lekë. Ai theksoi se deri në këto momente janë pajisur me kasa elektronike rreth 9600 biznese, ku sipas tij brenda një jave nga shtyrja e afatit të regjistrimit është rritur me 300 biznese më tepër. Javën e kaluar numri i bizneseve të pajisua me kasa elektronike kishte arritur në 9300. Numri i bizneseve të pajisura me kasa fiskale ka shkuar në 9600, ku kemi rritjen prej 300 biznesesh në krahasim me një javë më parë. Në total numri i bizneseve të cilat duhet të pajisen me kasa fiskale brenda ditës së sotme është 12 mijë të tilla, u shpreh kreu i Tatimeve. Gjithashtu Papajani theksoi se këto sanksione ligjore do të jenë të vlefshme për të gjitha ato biznese që regjistrohen si subjekte apo persona që ushtrojnë veprimtari tregtare. Për kreun e tatimeve, bizneseve ju dha edhe një afat i dytë për pajisjen me kasa, me qëllim që të gjitha subjektet të kishin kohën dhe hapësirën e duhur për tu pajisur. Ne ju krijuam mundësinë këtyre bizneseve duke ju dhënë një afat të dytë, i cili përfundon sot. Mbas kësaj date nuk do të ketë më asnjë lloj toleromi, por do të fillojnë menjëherë penalizimet. Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, theksoi se sot të gjitha bizneset që do të kapen pa kasa fiskale do të gjobiten nga 500 mijë deri në 1 milionë lekë, gjobë e cila shkon deri në mbyllje të biznesit. Sipas tij subjekti privat nuk ka të drejtë të ndërhyjë te pajisja në rast se ajo nuk funksionon. Për rregullimin e kasës fiskale do të njoftohet shoqëria e autorizuar për shërbimin në fjalë, e cila ka dalë fituese në tenderin për fitimin e kësaj të drejte. Gjithashtu ai theksoi se bizneset e vogla kanë kohë deri në 30 qershor të këtij viti për pajisjen me kasa fiskale, duke ju kërkuar këtyre të fundit që të fillojë pajisjen, në mënyrë që të gjitha palët të jenë në rregull me njëra-tjetrën. Ne kërkojmë nga të gjitha bizneset që të pajisen me kasa fiskale, në mënyrë që të jenë në rregull me ligjet e shtetit shqiptar, u shpreh Papajani. Ai theksoi se ky është dhe paralajmërimi i fundit për bizneset, të cilat sipas tij kanë pasur mundësinë e informimit prej kohësh, të cilën e kanë marrë edhe nga inspektorët e degëve të tatimeve të Tiranës dhe atyre të rretheve.

Last Updated on E Enjte, 04 Shkurt 2010 21:53

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›