E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meidani: Gjuha e Berishës, turp për shqiptarët

Gjuha e përdorur nga Berisha, sipas Meidanit, nuk duhet të përdoret nga institucionet


TIRANË - Gjuha e përdorur nga kryeministri Sali Berisha dhe gjithë vartësit e tij kundrejt familjarëve të kreut të opozitës, Edi Rama, refuzohet edhe nga ish-kreu i shtetit Rexhep Mejdani.


Pavarësisht se kohët e fundit nuk ka qenë shpesh dakord me veprimet politike të kreut të PS-së, Mejdani bashkohet me të, kur bie fjala për çështje të tilla siç është edhe përballja me një seri të shfrenuar akuzash kundrejt tij dhe familjarëve të tij.


Ish-presidenti Mejdani nuk ka hezituar ta komentojë këtë situatë politike, duke e cilësuar të turpshme gjuhën e përdorur nga mazhoranca e djathtë në institucionet publike, ku nuk janë kursyer as fëmijë dhe pleq pa u përfolur.


"Natyrisht që kjo është e turpshme, nuk është një gjuhë që duhet të përdoret nga institucionet politike ose partiake dhe është një turp për shqiptarët. Veç kësaj, unë mund t'i përgjigjem vetëm më refuzimin për të vazhduar edhe diskutimin për një gjë të tillë", - tha Mejdani. Ish-presidenti Rexhep Meidani është përfshirë edhe në debatin politik për çështjen e kutive të votimit të 28 Qershorit.


Duke iu përgjigjur interesit të medieve lidhur me këtë debat, ish-presidenti Meidani i ka dhënë të drejtë opozitës në këtë çështje, duke e konsideruar legjitime një kërkesë të tillë. Sipas tij, transparenca që kërkohet është e pëlqyer në çdo kuptim, përfshi dhe atë të kutive, duke e vlerësuar si proces shumë normal.


"Për çdo qytetar do të pëlqehej transparenca, pra në konceptimin e gjerë të transparencës, transparenca për çdo proces, përfshi edhe transparencën për procesin zgjedhor.


Në konceptin e gjerë të transparencës edhe hapja e kutive është një proces fare normal i lidhur me detyrimin që ka politika parlamenti dhe çdo institucion tjetër për t'iu përgjigjur interesave të publikut apo çdo formacioni politik, në këtë rast që është Partia Socialiste", - tha Meidani.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›