Skadon ligji i pronave, bllokohet puna e AKKP
Ligji i Pronave përcakton 31 dhjetorin 2011 si afatin brenda të cilit duhet të ketë përfunduar procesi i njohjes dhe kthimit të pronave. Pas kësaj date vijon vetëm procesi i pagesave për subjektet që u është njohur prona. Në Kuvend, ende asnjë nismë për të shtyrë jetëgjatësinë e AKKP-së
Bllokohet puna e Agjencisë për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave. Kjo pasi më datë 31 dhjetor mbaron afati ligjor, që i njihte të drejtën kësaj agjencie që të trajtonte të gjithë çështjen që lidhen me kthimin dhe kompensimin e pronave. Përjashtim bën vetëm ajo pjesë e veprimtarisë së AKKP-së, që ka lidhje me pagesën e parave të kompensimit për ato subjekte që e kanë fituar tashmë këtë të drejtë, ndërkohë që bëhet e pamundur tashmë puna për trajtimin e atyre dosjeve që nuk kanë marrë ende një përgjigje nga ana e Agjencisë, në lidhje me pretendimin për njohjen dhe kompensimin e pronës së paluajtshme.
Afati ligjor
Neni 24 i ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave, i ndryshuar”, i cili trajton afatin e përfundimit të njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme, përcakton fundin e këtij muaji si kohën brenda të cilit duhet të mbarojë ky proces. “Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme përfundon deri në datën 31.12.2011, me përjashtim të kryerjes se pagesës së kompensimit, e cila duhet të përfundojë në afatin e parashikuar në nenin 23 të këtij ligji”, - thuhet fjalë për fjalë në nenin 24 të këtij ligji. Çka do të thotë se pas kësaj date, AKKP-ja nuk mund të kryejë më detyrat e saj në trajtimin e gjithë problematikës së çështjes së njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave. Skadimi i afatit ligjor sjell ngërç për dhjetëra ish-pronarë, dosjet e të cilëve janë në proces shqyrtimi ose nuk janë hapur fare për t’u shqyrtuar deri më tani. Pra bëhet fjalë për më shumë se 5 mijë dosje të ardhura nga agjencitë rajonale, që prej kohës kur ato u mbyllën dy vjet më parë dhe i gjithë dokumentacioni i tyre së bashku me çështjet që kishin në dorë iu kaluan zyrës qendrore të AKKP-së. Aktualisht, AKKP-ja ishte në procesin e verifikimit në tërësi të dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara dhe përputhshmërinë e tij me kriteret e përcaktuara në aktet nënligjore në fuqi, apo edhe kontrollin e vërtetësisë së dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara. E vetmja veprimtari e Agjencisë dhe e veprimeve që mund të kryejnë qytetarët e interesuar në të janë ato që kanë të bëjnë me çështjet apo dosjet e përfunduara, për të cilat është njohur prona e kërkuar. Pra bëhet fjalë vetëm për procesin vijues, atë të pagesës së vlerës së njohur të kompensimit që përcakton neni 23 i ligjit. Për procesin e kompensimit, vetë ligji ka përcaktuar një procedurë që zgjat dhjetë vjet, duke filluar nga viti 2005 dhe që mbaron në vitin 2015.
Ngërçi
E gjendur në një situatë të tillë, Agjencia për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave pritet të futet në fillim të vitit të ardhshëm në një ngërç ligjor. Të paktën kjo për muajt e parë të vitit të ardhshëm, pasi çdo nismë ligjore që mund të bënte në këto momente qeveria për të sjellë amendim të ligjit me qëllim shtyrjen e jetëgjatësisë së AKKP-së nuk do hynte në fuqi të paktën për muajin janar dhe fillimin e muajit shkurt. Kështu, duke marrë si rastin më të mirë që ndryshimi të vijë javën e ardhshme në Kuvend, ai do donte kohë për t’u futur në axhendën e Kuvendit dhe më pas do kërkonte si afat maksimal tri javë kohë për dekretimin nga Presidenti dhe dy javë të tjera për të hyrë në fuqi, pas botimit në Fletoren Zyrtare. Ndaj, për fillimin e vitit të ardhshëm të gjithë individët e interesuar që kanë ende të pazgjidhur çështjen e pronave të tyre, nuk do mund të kryejnë asnjë veprim në AKKP për të rivendosur të drejtën, të paktën deri në miratimin e një drafti të ri.
Nenet e ligjit që përcaktojnë detyrat dhe afatin e AKKP-së
Neni 15
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave
1. Për zbatimin e këtij ligji ngarkohet Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, person juridik publik, në vijim AKKP, me qendër në Tiranë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kryen këto detyra dhe përmbush këto përgjegjësi:
a) Përfundon brenda afatit ligjor shqyrtimin e kërkesave të subjekteve të shpronësuara për njohjen, kthimin e njohjen e së drejtës së kompensimit, të depozituara në ish-zyrat rajonale të AKKP-së në qarqe, për të cilat nuk është marrë vendim nga këto zyra, duke kontrolluar, vlerësuar e konfirmuar:
i) tërësinë e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara dhe përputhshmërinë e tij me kriteret e përcaktuara në aktet nënligjore në fuqi;
ii) vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga subjektet e shpronësuara, përmes ballafaqimit me aktet ligjore e nënligjore ose vendimet gjyqësore, në përputhje me nenin 2 të këtij ligji, të cilat kanë shërbyer si bazë për shpronësimin, shtetëzimin, konfiskimin ose marrjen e padrejtë të pronës nga shteti.
Pas kontrollit, vlerësimit dhe shqyrtimit të kërkesave, sipas përcaktimeve të bëra në nënndarjen “ii” më sipër, Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së shprehet me vendim brenda 3 muajve nga nisja e procedimit të trajtimit të kërkesës për:
- rrëzimin e kërkesës;
- njohjen, sipas rastit, të së drejtës së pronësisë, kthimin a kompensimin e pasurisë dhe të të drejtave të tjera reale, që parashikohen sipas këtij ligji.
Neni 23
Fondi i kompensimit
2. Duke filluar nga viti 2005 dhe për një periudhe 10-vjeçare rresht, Kuvendi, për propozimin e Këshillit të Ministrave cakton Fondin e Kompensimit, i cili administrohet nga Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për kompensimin në të holla të subjekteve të shpronësuara. Për periudhën nga njohja e së drejtës së pronësisë deri në marrjen e shpërblimit në formën e kompensimit në të holla, subjekti i shpronësuar përfiton edhe interesin bankar, sipas mesatares vjetore të nxjerrë nga Banka e Shqipërisë.
3. Bazuar në vendimet e komisioneve vendore ose të gjykatave dhe sipas një radhe të përcaktuar nga vetë ai, Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ndan Fondin për Kompensimin në mënyrë proporcionale.
Neni 24
Afati i përfundimit të procesit
Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme përfundon deri në datën 31.12.2011, me përjashtim të kryerjes së pagesës së kompensimit, e cila duhet të përfundojë në afatin e parashikuar në nenin 23 të këtij ligji.
Mbarimi i afatit, 5 mijë dosje pa përgjigje
Më shumë se 5 mijë dosje mbeten të bllokuara në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Bëhet fjalë vetëm për atë pjesë të çështjeve, që kjo Agjenci për arsye të ndryshme nuk ka mundur t’i marrë dot në shqyrtim dhe të japë një përgjigje për njohjen pronës së pretenduar apo rrëzimin e kërkesës së subjektit përkatës. Megjithëse kjo përbën një numër të konsiderueshëm, mund të thuhet se Agjencia e ka pasur të pamundur të kryejë detyrën e saj dhe përfundimin e saj brenda afateve. Kjo pasi numri i dosjeve të patrajtuara nga agjencitë rajonale dhe të akumuluara në zyrat e Agjencisë qendrore, vetëm dy vite më parë ishte më shumë se 8 mijë të tilla. Burime pranë Agjencisë kanë bërë me dije se në më shumë se një vit është bërë i mundur trajtimi i më shumë se 30 për qind të këtij numri, pra duke e zbritur totalin e dosjeve të pashqyrtuar në afro 5 mijë. Përveç kësaj pjese të patrajtuar asnjëherë, një çështje që kërkon zgjidhje dhe që prej muajsh është bllokuar është edhe ajo e rivlerësimit të vendimeve të mëparshme të komisioneve apo agjencive rajonale, për të cilat ka pasur pretendime dhe dokumente shtesë për pronësinë e vërtetë të pronës së kërkuar. Kjo për shkak se Gjykata Kushtetuese, në dy vite rresht ka rrëzuar nismat e mazhorancës, e cila i jepte të drejtë AKKP-së që të rishihte vendimet e mëparshme të strukturave të saj të varësisë dhe të fshinte vendimet e tyre, në rast se vërtetohej e kundërta. Për këtë kategori, përfaqësuesit e mazhorancës gjatë diskutimeve në Kuvend kanë konfirmuar se bëhet fjalë për më shumë se 30 mijë dosje me probleme.