E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita pranoi pas dy vitesh propozimet tona

Kreu i qeverisë, Sali Berisha takohet me homologun e tij francez, Francois Fillon. Temë e diskutimeve, zhvillimet politike në Shqipëri dhe investimet franceze

Opozita dëmtoi interesat e vendit duke bllokuar jetën politike në vend për më shumë se dy vite radhazi”. Ka qenë kryeministri Sali Berisha, ai që ka bërë një deklaratë të tillë teksa ka njohur homologun e tij francez, Francois Fillon, lidhur me zhvillimet politike në Shqipëri. Kjo ka qenë njëra nga temat e diskutuara në takimin që ka kryer kryeministri Berisha me kryeministrin francez, Francois Fillon, në kuadër të vizitës së tij disa ditore në Francë që është mbyllur dje, ndërsa është folur ndërmjet të tjerash edhe për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë si dhe për terrenin mikpritës të investimeve të huaja.

Takimi

Kryeministri Berisha, në ditën e fundit të vizitës së tij në Francë u prit në një takim nga Kryeministri i Republikës Franceze, Francois Fillon. Homologu francez i uroi kryeministrit Berisha mirëseardhjen në Francë dhe shprehu kënaqësinë për takimin jo vetëm në kuadër të PPE-së, por edhe në kuadër të marrëdhënieve bilaterale mes Francës dhe Shqipërisë. Ai i cilësoi marrëdhëniet politike mes dy vendeve si shumë të mira. Në vijim ai shprehu interes për fushat e bashkëpunimit me interes dypalësh. Ndërkohë që kryeministri Berisha e njohu homologun francez me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare dhe rezultatet e tyre, si dhe programin e investimeve që ajo ka ndërmarrë me qëllim modernizimin dhe zhvillimin e vendit. Ai e siguroi kryeministrin Fillon se integrimi europian përbën objektivin madhor të qeverisë së tij dhe gatishmërinë për të ndërmarrë të gjitha reformat dhe masat e nevojshme në këtë drejtim. Kryeministri theksoi disa histori suksesi të investimeve madhore franceze, si kompaninë ‘Sagem’ në prodhimin e dokumenteve biometrike të identitetit; ‘Eurocopter’, ‘Societe General’, ‘Credit Agricole’ dhe së fundmi ‘Carrefour’, që janë shembull për investime të mëtejshme. Të dy kryeministrat u ndalën tek energjia e rinovueshme, projektet për transportin publik në Tiranë, modernizimi i administratës publike, projektet në bujqësi dhe pastrimi i ujërave si fusha me interes për investime, apo ku Franca mund të ofrojë ekspertizë dhe asistencë.

Situata politike

Ndërkohë që duke u ndalur tek situata politike në vend, kreu i qeverisë shqiptare e njohu homologun e tij edhe me zhvillimet më të fundit dhe zhbllokimin e situatës me arritjen e mirëkuptimit me opozitën. Siç bën të ditur zyra e shtypit e Kryeministrit, mësohet se Berisha theksoi se pas dy vjet bllokimi të jetës politike nga opozita, i cili dëmtoi interesat e vendit, ajo pranoi ofertat politike të bëra nga mazhoranca gjatë dy viteve dhe tashmë situata politike dhe jeta parlamentare janë normalizuar dhe një sërë reformash me rëndësi për procesin e integrimit europian, përfshirë atë zgjedhore dhe miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar, kanë filluar të zbatohen. Ndërkohë që dy ditë më parë duke folur për televizion francez, kreu i qeverisë shqiptare bëri të ditur se do të qëndronte në krye të qeverisë derisa shqiptarët ta votonin, duke lënë të kuptohet se të gjitha pretendimet e opozitës për manipulim të zgjedhjeve nuk kanë qenë të bazuara dhe se qeverisja e tij ka mbështetjen e shumicës së shqiptarëve.

Në përfundim, kryeministri Berisha e ftoi kryeministrin Fillon që të vizitojë Shqipërinë, ftesë që u mirëprit me kënaqësi nga ky i fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›