"Skampa 2008", Festivali i teatrit mbyllet me sukses
ELBASAN- Mbyllet me sukses edicioni i 11-të i Festivalit Ndërkombëtar Teatror "Skampa 2008". Ai cilësohet si më i sukseshmi për prurjet interesante dhe shtrirjen e gjerë gjeografike, me pjesëmarrjen e 6 trupave të huaja dhe 5 nga vendi. Në një prononcim pas përfundimit të këtij festivali, drejtori Adonis Filipi, u shpreh se "ajo që është për t'u shenjuar është se festivali guxoi të dalë jashtë qytetit të Elbasanit, duke dhënë shfaqje edhe në kryeqytet". "Shfaqjet e trupave pjesëmarrëse në këtë tubim tetaror krijuan komunkim me publikun, aktorët dhe specialistët, që kishin ardhur për ta ndjekur atë", nënvizoi Filipi , duke shtuar se festivali ishte i larmishëm në prurjet e veta, një ndër të cilat ishte edhe alternativa e trupës së Malit të Zi me pjesën "Medea", e cila pati një komunikim të veçantë me publikun."Për cilësinë e këtij edicioni, kam marrë urime të shumta nga organizatorët e festivaleve simotra në Europë, si Festivali Ndërkombëtar "Avignon" në Francë", tha ndër të tjera regjisori Filipi. Festivali Ndërkombëtar Teatror "Skampa 2008" u çel në 4 tetor me trupën e Malit të Zi, "Teatrikal Group Kotor" me shfaqjen "Medea", të Euripidit me regji të Slobodan Milatovic, e cila u prit dhe u vlerësuanga spektatori dhe kritikët. Ky edicion u mbyll mbrëmjen e së premtes, me dramën "Putargat e thata", shkruar dhe vënë në skenë nga Stefan Çapaliku dhe interpretuar nga trupa "Migjeni" e Shkodës. Festivali Ndërkombëtar i Teatrit Bashkëkohor "Skampa '99" çeli siparin dhjetë vite më parë në Elbasan me sloganin "Format e reja", si i pari festival ndërkombëtar teatror, që më pas do t'i hapte rrugën dhe organizimit të festivaleve të tjera të këtij lloji në Shqipëri. I organizuar me mbështetjen kryesore të MTKRS-së dhe bashkisë së Elbasanit, Festivali Ndërkombëtar i Teatrit 'Skampa' konsiderohet si një ngjarje serioze teatrore në Shqipëri dhe më gjerë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)