E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bujar Hoxha, Të analizosh botën e krimit

Nga Sefer Pasha
 

TIRANE- Libri "Krimi dhe Antikrimi", i studiues it Bujar Hoxha, të cilin e lexova rresht për rresht, e ku për shumë kapituj pata disponimin t´u rikthehem e të mbaj shënime për të parë se sa eshte zbërthyer në thellësitë më të nuancuara, thënia e Ugo Bernaskos se "e rëndësishme nuk është të kesh kaq shume ide, e rëndësishme është ta vësh në jetë njërën prej tyre", të cilën autori i librit e vë në krye të herës. E them me guxim se studiuesi profesionist Bujar Hoxha nëpërmjet kësaj pune voluminoze e ka përmbushur ambicjen e egos së vet. Me aftësi vizionare dhe si njohës i thellë mjeshtëror i botës së krimit, në pesëdhjetë kapituj që përbëjnë tërë arkitekturën e librit, autori portreton historitë e bandave kriminale, observon individualitetet e çetave të krimit, hulumton shkaqet, atmosferën e 97-ës. Ai gjithashtu trajton faktorët potencal, metamorfozat e krimit, zbërthen në mënyrë të posaçme psikologjinë e kriminelëve, sistemet mbrojtëse të tyre. Koshient për veprën e tij, mjeshtri i këtij libri demostron kulturë të lakmushme, standartizon terminologjinë e veprimtarisë informative në pikëvështrimin profesional, analizon imët temeraturat e krimit, tensionet dhe reflekton arritjet, por dhe mangësitë në punën e Policisë së Shtetit në luften kundër mafies dhe krimit të organizuar në Shqipëri e nëpër botë.
Struktura
Struktura e organizuar e brendshme e librit, megjithëse përfshin periudhën 1997-2004, siç thotë autori, nëpërmjet disa "kampjonëve" kërkon të krijojë një ide të përgjithshme për luftën energjike ndaj krimit të organizuar dhe kalon në sit profilet e bandave të Lushnjes, Tropojës, Elbasanit, Vlorës. Po ashtu killerët e tyre, organizatat mafioze, trafiqet dhe prirjet për terrorizëm. Libri del nga linjat dhe boshtet e fiksuara në kohë. Shumë kapituj janë tabllo të mëdha që nuk i mban dot korniza e ngushtë e viteve 1997-2004. Studiuesi i botës së krimit, Bujar Hoxha, nëpërmjet artit fisnik të analizës jo vetëm nuk ngujohet në këto vite, por me kulturë e dhunti, ashtu siç ndodh në botën homerike, hedh dritë e qëmton në moshën biblike të krimit. Ai nis që nga mitet, kollosët e mendimit kundër krimit, metodat taktike të ndjekura, përvojat botërore në shërbimet antikrim, reflektimi ndaj kritikave të institucioneve perëndimore për të gjetur çelsin magjik kundër krimit, trafiqeve, elementëve të terrorizmit, korrupsionit e duke u ndalur tek sfidat për t´i përballuar ato. Si studiues, Bujar Hoxha ngjiz në këtë libër ide intersante. Megjithëse mbetet fanatik i disiplinës, ai vizaton me art mozaikun e strukturave të bandave dhe lidhjet organike të tyre brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në luftën kundër bandave, duke shfrytëzuar dhe përvojën botërore, megjithëse i qëndron besnik kuadrit ligjor të strukturave antikrim në Policinë e Shtetit, autori nuk është për rregulla fikse. Me të drejtë i referohet proverbit spanjoll: -Udhëtar!-Rrugë nuk ka. Rrugët janë bërë duke ecur"! Kjo nënkupton që heronjtë e luftës kundër krimit të organizuar, ose më sakë të krimit të çdo ngjyre, s´duhet të mbeten robër të absurdit. Në autopsinë e luftës kundër krimit me mendjekthjelltësi të vetëpersosin aftësitë profesionale, t´i zbresin fenomenit të krimit në ind e të dinë si të thithin inormacion për ta ruajtur shoqërinë nga infeksioni kriminal.
Bujar Hoxha në vëllimin voluminoz "Krimi dhe Antikrimi" këmbëngul me rreptësi që nëpërmjet artit të metodologjisë, strukturat e specializuara në Policinë e Shtetit të japin efektshmërinë maksimale në luftën kundër krimit të organizuar.
Problemet
Nëpër faqet e librit hetohen mjaft probleme të mprehta të mafies shqiptare të lidhura me politikën dhe me fije të padukshme me organizata kriminale botërore, por sidomos ato me vendet fqinj ku manovrojnë ustallarët, esnafet, mjeshtrit e fallsifikatoret. Disa vrasje të bujshme ende të pazbuluara e kanë piknisjen pikërisht tek kthetrat e mafies se re, ku është e zorshme të depërtosh tek honi i djajve të cilët kanë fituar disa "trofe". Ende s´po zbulohen vrasësit mafioz që pasi realizojnë patologjitë individuale në krime nëpërmjet instikteve barbare, duke shkaktuar gjëma, lajnë hesape, shkatërrojnë biznese konkurruse e llogari bankare. Si llogaritës e kumarxhinj të djallit, të inkurajuar nga forca të verbëra veshin "kollarot" e bardha dhe bëjnë jetë xhentëlmeni. Për ta ilustruar këtë ide, Bujar Hoxha i referohet studiuesit Mikele Panteleones në lbrin e tij të famshëm "Mafia dhe politika", në të cilin një nga personazhet e mafies, Vito Ferren, do ta portretizonte se ishte "truplart, elegant, me pamje aristokratike…. askush nuk mendonte se kishte përpara një kriminel të regjur analfabet. Autoriteti i tij ishte i papërfytyrushëm. Kryetarët e bashkive të fshatrave i puthnin dorën, njerëzit më të shquar e nderonin dhe përkuleshin para tij". Libri "Krimi dhe Antikrimi", në vëllimin e vet të ngjarjeve, rrok e ngjiz shumë probleme në akord me realitetin ku fikson, skicon e shpjegon kallëpet e bandave kriminaleve.
Mafia
Duke e lexuar librin paragraf për paragraf, vetevetiu të lindin disa pyetje proverbiale. A ka me të vërtetë mafie të mirëfilltë në Shqipëri, apo tani për tani është fragmentare? Ndryshe nga çfarë thotë një analist e politikan, a jeton me të vërtetë pranë rrezikut shoqëria shqiptare? A janë ngjarjet e rënda konflikte të dramës së tranzicionit? Në ç´masë është forca sunduese e mafies dhe e krimit të organizuar? Pushtetarët a janë kapur nga kthetrat e krimit? Megjithëse mesazhet e librit i afrojnë lexuesit sasi të mëdha njohurish dhe trajton thëllësisht embrionin e krimit të organizuar, vepra e ka të pamundur të analizojë imët shortin e zymtë të një realiteti të vrazhdë që i zhgënjen qytetarët e që ka për bazë ekonominë ende të dobët. Në këtë rreth vicioz, njerëz pa rrugdalje e shpresë përqafojnë aventurat për t´u pasuruar brenda natës nëpërmjet trafikut të drogës, të cigareve, fallsifikimin e dokumentave, duke përfshirë këtu dhe terroristët e Alkaedës. Për t'i ilustruar këto ide autori Bujar Hoxha përmend organizatën terroriste 17 nëntori, goditjen e helikopterit italian në Lazarat si dhe veprimtaritë kriminale të bandave të Tropojës, Elbasanit, Vlorës, Lushnjës. Bujar Hoxha shtjellon në libër me kopetencë çështje thelbësore teorike e praktike të doktrinës "antikrim". Specialistët mund ta bëjnë këtë në luftë me pasione të fotra, larg amatorizmit primitiv. Niçja thekson:- "Heronjtë, martirët, gjenitë dhe entuziastët nuk janë aq sa duhet të qetë, të duruar, të hollë, të ftohtë dhe të ngadaltë për të qenë mes nesh". Bujar Hoxha në këtë punë studimore shumvjeçare sjell perla dhe margaritarë, sidomos në linjat e sigurimit të burimit të informacionit ,edhe kur ato janë të hapura, konfideciale e anonime. Autori me të drejtë e vë theksin tek puna që bëhet në botë për thithjen e informacinit në qendrat kërkimore e shkencore, në institute, akademi, në internet, me makineri, robotë, prostituta spiune, interpertues informacioni ku edhe policia e Shtetit shqiptar ka teknologji. Në faqet e librit, autori i kushton kujdes thithjes së informacionit nga njerëz të profesioneve të ndryshme, qytetar të thjeshtë, punonjës të bar-kafeve, restoranteve, hoteleve etj. Libri i Bujar Hoxhës ka dhe të pathena, sfera e temës është universale. Gjithesesi në këtë mozaik, mendimet e autorit kanë forcën e një ajzbergu nëse ato gjejnë zbatim në luftën kundër ekranit të zi të mafies e të krimit të organizuar në Shqipëri.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›