Skandal bastesh në Itali, arrestohet Sinjori, por dhe një shqiptar
ITALI- Futbolli italian është përfshirë nga një tjetër skandal, pas hetimeve të kryera mbi trukimet e ndeshjeve për qëllime përfitimi nga bastet. Hetuesit kanë vënë nën pranga futbollistë, ish-futbollistë dhe njerëz të ndryshëm të lidhur me ta, mes të cilëve edhe një shqiptar nga Rrogozhina i quajtur Ismet Mehmeti. Skandali i përafrohet atij të Calciopolit, teksa nën pranga është vënë edhe ish-sulmuesi i famshëm i Italisë Bepe Sinjori, i cili gjithsesi është lënë në arrest shtëpie. Por, nën hetim është edhe kapiteni i Atalantës Kristiano Doni, emri i të cilit ka referuar në përgjimet e skuadrës mobile të Kremonës. Nuk mund të mungonte në listën e të hetuarve edhe ish-futbollisti Stefano Betarini, i zakonshëm tashmë në çështje bastesh. Nën hetim janë 18 ndeshje, të Serisë B dhe të Ligës Pro, por sidomos takimet e Atalantës dhe të Sienës, të sapongjitura në Serinë A. Policia ka vendosur nën hetim edhe ish-utbollistët Mauro Bresan dhe Antonio Belavista, ish-kapiten i Barit. Operacioni është duke vazhduar ende dhe priten edhe arrestime të tjera. “Hetimi ka nisur pas një episodi të nëntorit 2010, - ka shpjeguar shefi i skuadrës mobile të Kremonës, Serxhio Lo Presti. – Disa futbollistë të Kremonezes mbetur të intoksikuar nga pijet, pasi një nga të hetuarit kishte tentuar të ndikonte në një ndeshje të kësaj skuadre”, shtoi ai. Futbollistët aktivë dhe ish-lojtarët profesionistë të ndaluar ishin pjesë e integruar e një organizate të vërtetë kriminale dhe secili kishte detyrat e veta specifike, ndërsa objektivi ishte ai i manipulimit të ndeshjeve. Kundër 16 të arrestuarve (deri tani) ekzistojnë prova “të rëndësishme dhe të pakundërshtueshme”, bën të ditur policia italiane. I telefonuar nga ANSA, Bepe Sinjori ka thënë: “Nuk keni mëshirë në një situatë të tillë? Kini mëshirë. Unë nuk mund të them asgjë, do të flas me avokatin tim dhe ai do të flasë më pas në emrin tim”. Ndërkohë, në listën e ndeshjeve të dyshuara është edhe Inter-Leçe, për të cilën Sinjori ka vënë bast 150 mijë euro, por manipulimi i saj ka mbetur në tentativë. Ideja ishte që kjo ndeshje të fitohej thellë nga zikaltërit, por në të vërtetë ajo përfundoi vetëm 1-0. Bepe Sinjori, një ish-futbollist i famshëm, që ka shënuar 200 gola në Serinë A, ka qenë një nga liderët e këtij grupi kriminal, kjo edhe për shkak të prestigjit të tij.
Një nga të arrestuarit, portieri i Beneventos Marko Paoloni, i cili është dërguar në burgun e Kremonës. Të dielën, ai duhet të luante në ndeshjen e plejofit, por tashmë është nën arrest. “Paoloni ishte një nga figurat qendrore, pasi ishte në të njëjtën kohë futbollist dhe bastexhi”, kanë thënë hetuesit. Për momentin, rezultojnë nën hetim katër ndeshje të Kremonezes dhe tre të Beneventos.
Por, faktet më të rënda janë në Serinë B. Hetuesi Guido Salvini, ai që ka firmosur urdhër-arrestin për Bepe Sinjorin, ka bërë të ditur se “janë falsifikuar rezultatet e disa ndeshjeve, sidomos ato të Atalantës dhe Sienës, që sapo janë ngjitur në Serinë A”. “Aktiviteti i këtyre njerëzve është duke vazhduar ende dhe po ndikon edhe mbi fazën e fundit të kampionateve të ndryshëm, me dëme të rënda për shoqërinë”.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)