Skandal i ri seksual në politikën franceze

Politika franceze sërish tronditet nga një skandal seksual. Dy javë pas arrestimit sensacional të drejtorit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn për përdhunimin e një pastruese hoteli në New York, ka dhënë dorëheqje edhe sekretari shtetëror për administratën publike, Georges Tron, i cili është akuzuar për ngacmim seksual të dy punonjësve të prefekturës.
Sipas agjensisë STA, në dorëheqjen e tij dorëzuar presidenti Sarkozy, Tron ka theksuar se do të dëshmojë pafajësinë e vet.
Tron ka vendosur të japë dorëheqje pasi Prokuroria vendosi të bëjë hetime lidhur me pretendimet për ngacmime seksuale dhe dhunim. Avokati i tij i ka cilësuar dy punonjëset e prefekturës si “gënjeshtare kronike”.
Tron, 53-vjeçar, në dorëheqjen e tij ka shkruar se ai do t`i hedhë poshtë akuzat “hakmarrëse” të ish-zyrtareve të tij, të cilat ishin përjashtuar nga puna njëra për arsye të mashtrimit, kurse tjetra për shkak të “sjelljes jo etike”.
Dy punonjëset, njëra 34 dhe tjetra 36-vjeçe, në akuzën e tyre kanë pohuar se Tron i ka ngacmuar seksualisht gjatë viteve 2007-2010, kur ato ishin të punësuara në administratën e Draveil, vend periferik i kryeqytetit Paris.