Skandal me Uren e Gorices ne Berat
Do të duhej të ishte një nga monumentet më të vizitueshme nga turistët e huaj. Por ndonëse e shpallur monument kulture dhe e mbrojtur nga UNESCO, Ura e Goricës në Berat ka sot këtë pamje.
Me bekimin e bashkisë, tregtarë ambulantë e kanë kthyer këtë urë në një treg për shitjen e gjësë së gjallë, perimeve, zarzavateve, peshkut, bulmetit e rrobave të përdorura..
Ky monument me vlera të rralla kulturore nuk gëzon as kujdesin më të vogël nga bashkia e qytetit, e cila ka për detyrë mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e kësaj pasurie jo vetëm të Beratit, por edhe të kulturës sonë kombëtare.
Nëse do të regjistrohen në aparatin e ndonjë gazetari të huaj është e sigurtë se këto pamje do të bëjnë xhiron e botës. Bashkia, e cila duhet të kishte si prioritet promovimin e turizmit kulturor ka përgjegjësinë direkte për degradimin e kësaj vepre monumentale. Është një dëshmi e qartë e vizionit që kryebashkiaku socialist i Beratit ka për monumentet e kulturës dhe pasurinë tonë kombëtare.
Ura e Goricës është pjesë e ansamblit monumental të Beratit. Ajo lidh lagjen Goricë me pjesët e tjera të qytetit dhe rrugën e Këlcyrës. Ndërtimi i saj daton në fillimet e shekullit të 18-të. Ura është e gjatë 129 metra dhe ka një lartësi deri në 10 metra mbi shtratin e lumit Osum.