Skandal me energjinë e erës, BE nis hetimin ndaj kompanive eolitike
Komani nga më të mëdhatë në sektorin e prodhimit të energjisë me anë të erës, janë bërë pjesë e një mega-skandali financiar që prej disa kontinente. Kompani nga më prestigjiozet mes të cilave edhe dy prej atyre që kanë investuar në këtë sektor edhe në Shqipëri, janë tashmë nën hetim ndërkombëtar. Ente të ndryshme ligj-zbatuese në Europë dhe SHBA kanë nisur një numër të stërmadh hetimesh në lidhje me abuzimet dhe vjedhjet e parave të taksapaguesve, të destinuara për të nxitur ndërtimin e impianteve të energjisë së erës. Ky lajm është bërë publik dy ditë më parë edhe në të përditshmen prestigjioze amerikane, "The New York Times". Në këtë gazetë thuhej se, “një hetim që zgjati më shumë se një vit në Spanjë përfundoi së fundmi me arrestimin dhe vendosjen nën akuzë të një kryetari bashkie, disa zyrtarëve dhe pronarëve të kompanive që po punonin për ndërtimin e dy parqeve të energjisë së erës dhe kishin arritur të përfitonin në mënyrë të paligjshme 40 milionë euro subvencionime europiane për këtë qëllim”. Por hetime të tjera kanë nisur në Europë dhe Shtetet e Bashkuara, ku në sitën e hetuesve dhe investigatorëve janë vënë kompanitë më të mëdha të prodhimit të energjisë me anë të erës, të cilat kohët e fundit kanë nisur të investojnë në vendet në zhvillim. Bashkimi Europian ka dhënë deri tani rreth 6 miliardë euro për të ndihmuar industrinë e energjisë së erës. Kjo lloj energjie mbrohet pas imazhit të ambientit të pastër, por autoritetet kanë vërejtur se miliardat e subvencionimit kanë tërhequr edhe një numër të stërmadh spekulatorësh, që arrijnë të fitojnë leje ndërtimi dhe subvencione përmes korruptimit të qeveritarëve.
Hetimi
“Hetuesit kanë qenë shumë të zënë këto kohë në të gjithë Europën. Këtë vit, pesë nacionalistë të Korsikës u arrestuan dhe gjobitën pasi u zbuluan se kishin vjedhur 1.54 milionë euro subvencione të BE-së në lidhje me energjinë e erës. Në Itali janë duke u kryer tre hetime të ndryshme dhe muajin e shkuar u arrestuan pesëmbëdhjetë vetë në një operacion që policia e kishte koduar me emrin "Bashkë me Erën". Ato përshkruan një skemë piramidale të komplikuar që kishte rrëmbyer 30 milionë euro nga paratë e Brukselit”, - shkruhej në të përditshmen "The New York Times", që ka ndjekur këtë investigim. Në SHBA, zyra e prokurorit në shtetin e Nju Jorkut ka ngritur një grup pune për të monitoruar industrinë që dyshohet se korrupton zyrtarët për të marrë licenca për impiante ere.
Mashtrimi
Skema e manipulimit është e thjeshtë, sipas hetuesve: Kompani të vogla fitojnë licenca dhe marrëveshje për shfrytëzimin e tokës për impiante të tilla përmes korrupsionit dhe studimeve të pavërteta dhe pastaj ua shesin gjigantëve të energjisë, të cilat janë të interesuara për subvencionimet joshëse të energjisë së prodhuar nga era. Gjiganti danez i energjisë së erës "Vestas", njoftoi së fundmi se punonjësit e saj në Spanjë kishin kryer pagesa për kompani të vetat me vlerë 12 milionë euro, për studime që në fakt nuk ekzistonin fare. Një impiant standard prej 2 Megavat fuqi të instaluar kushton rreth 2.75 milionë euro për t‘u ndërtuar dhe mund të fitojë rreth 275 mijë euro në vit nga shitja e energjisë. Por të ardhurat rriten deri në 500 mijë euro si pasojë e faktit se qeveritë europiane kanë urdhëruar që energjia e tyre të blihet me çmim më të lartë nga ai i tregut. Në total, miliarda euro në të gjithë Europën u janë dhënë prodhuesve të energjisë së erës, para që në fund kanë dalë nga xhepat e konsumatorëve.
17 Dhjetor 2009