E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: “Berisha, autori i krizës së rëndë ekonomike në vend”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka përshëndetur Asamblenë Kombëtare të socialistëve, të mbledhur gjatë ditës së djeshme, që analizoi situatën ekonomike në vend. Pasi bëri një përmbledhje të gjatë të situatës në të gjithë sektorët; shëndetësi, ekonomi, arsim, bujqësi, Rama vuri “gishtin mbi plagë” duke e akuzuar kryeministrin Berisha si përgjegjësin kryesor për krizën ekonomike dhe politike në vend. Sipas tij, viti 2010 do të jetë viti i shpërfaqjes së plotë të krizës ekonomike në Shqipëri. “Partia Socialiste këtë situatë e ka paralajmëruar. Por kambana jonë dhe e ndërkombëtarëve nuk u dëgjua nga qeveria. Viti 2010 do të jetë viti i pagesës së faturave të papërballueshme që po ia lë trashëgim kjo qeveri. Viti 2010 do të jetë një vit i krizës ekonomike, e projektuar me kohë me rritje ekonomike pa prodhim të qeverisë”, - theksoi Rama. Kreu i PS-së, gjatë fjalës së tij, bëri një tablo se sa është shtrirë kriza në vend, por edhe në ç’mënyrë kjo krizë kërcënon familjet shqiptare për vitin 2010. Rritja e çmimit të energjisë, zhvleftësimi i lekut, ulja e dërgesave të emigrantëve, toka e papunuar dhe braktisja e fshatit, mosrritja e pensioneve etj., ishin disa nga problemet që Rama ka ngritur para anëtarëve të Asamblesë së PS-së. “Një nënë nuk do ketë mundësi të shohë gjendjen e fëmijës në barkun e saj, pasi do t’i duhet të paguajë 15 mijë lekë për të bërë EKO-n me film. Imagjinoni një nënë të varfër që nuk ka para për bukë”, - u shpreh Rama sa i përket çmimeve në sistemin shëndetësor. Sipas kreut të PS-së, një studente me të gjitha 10-a që studion për Mjekësi, nuk ka mundësi të ndjekë studimet për shkak të rrogës së ulët që ka nëna e saj, si i vetmi person i punësuar në familje. “Ndërsa në fshat po ndodh katrahura. Në tokën ku duhet të mbillet fara po ndodh e pakonceptueshmja, po hidhet llaç e tulla”, - u shpreh Rama duke iu referuar bujqësisë. Sipas kreut të socialistëve, qeveria, me familjen kryeministrore dhe etjen për pushtet, risjell para ndërkombëtarëve vetëm shifra të manipuluara. Në analizën e gjatë kryetari i PS-së, Edi Rama, tha se kriza ekonomike po kanos çdo ditë e më shumë shqiptarët. “Duke fshehur varfërinë e duke shtuar taksat, qeveria po shkurton ndihmën ekonomike. Ndërkohë që invalidët prej muajsh nuk marrin pagat e tyre”, - theksoi Rama. Në vijim të fjalës së tij ai ka përmendur disa faktorë, të cilat tregojnë se ekonomia shqiptare është në krizë. “Kjo nuk është një krizë e ngjashme me krizën kapitaliste ndërkombëtare. Kriza shqiptare e ekonomisë është kriza e një demokracie pa konkurrencë”, - tha më tej kreu socialist. Ai i ka kërkuar kryeministrit Sali Berisha që të luftojë monopolet para se ato të fundosin ekonominë. Mes të tjerash kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë fjalës në Asamblenë Kombëtare paralajmëroi ngritjen e Këshillit Kombëtar Ekonomik të PS-së. “Ky Këshill do të mbledhë të gjithë ekonomistët e grupit tonë parlamentar dhe më gjerë, dhe do të mbështetet nga përfaqësues të shoqërisë civile, me të cilët bashkërisht do të përditësojmë të dhënat tona rreth situatës ekonomike në vend”, - tha Rama.

17 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›