Kriza ekonomike, PS publikon paketën antikrizë
Mblidhet Asambleja Kombëtare e socialistëve për situatën ekonomike në vend
Paralelisht me krizën e thellë politike në të cilën është zhytur vendi, kërcënueshëm mbi qytetarët shqiptarë duket se po rëndon edhe kriza ekonomike me të gjithë dimensionin e saj. Nisur nga kjo situatë e rëndë, e gërshetuar edhe me kriza komplekse të karakterit ekonomik e social, është mbledhur dje Asambleja Kombëtare e PS-së. Qëllimi i këtij takimi ishte bërja e një autopsie për krizën ekonomike me të cilën përballet vendi. Në përfundim të kësaj mbledhjeje, në të cilën kanë referuar disa prej ekspertëve më të mirë të PS-së në fushën e ekonomisë, socialistët kanë dalë me një Rezolutë, nëpërmjet së cilës shprehin shqetësimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë për gjendjen e rënduar ekonomike dhe financiare të vendit. Në Rezolutë nënvizohet se viti 2009 po mbyllet me një frenim të përgjithshëm të ekonomisë dhe një rritje negative ekonomike. “Shqiptarët sot ballafaqohen me rritje të përditshme të kostos së jetesës, rritje të faturës së energjisë, shtrenjtimin e ushqimeve, pagesat gjithnjë e më të larta për shërbimet shëndetësore dhe për arsimimin e fëmijëve. Gjendja e fshatit me bujqësi primitive, me kushte jetese mesjetare, pa arsim dhe shërbim shëndetësor, është dëshpëruese. Numrit të familjeve të varfra i janë shtuar së fundi, sipas Bankës Botërore, edhe 30 mijë familje të tjera, të cilat, duke rënë nën nivelin e varfërisë, kanë nevojë të mbështeten me ndihmë ekonomike. Banka Botërore jep alarmin se rreth 40% e pensionistëve mund të rrezikojnë të humbasin pensionet nëse nuk reformohet skema aktuale”, - theksohet në Rezolutë. Sipas anëtarëve të Asamblesë së PS-së, rënia e hyrjeve të valutës si një prirje e qëndrueshme paralajmëron ditë më të zymta për një numër jashtëzakonisht të madh familjesh të varfra, sidomos në fshat, që kanë si mbështetje jetike dërgesat e emigrantëve. Pjesë e këtij mozaiku migjenian, sipas PS-së, është edhe shtimi i papunësisë, si edhe rritjen e mëtejshme dyshifrore të analfabetizmit nga braktisja e shkollës prej skamjes, tabloja bëhet edhe më drithëruese. Qeveria, sipas saj, është krejtësisht e paaftë të menaxhojë ekonominë dhe financat e vendit dhe është përgjegjësja kryesore për këtë situatë alarmante. Sipas PS-së, shpenzimet e jashtëzakonshme elektorale të financuara nga qeveria nëpërmjet kredive në monedhë të huaj, janë reflektuar në zhvlerësimin e lekut, si një taksë e fshehtë, me ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e çmimeve dhe uljen e fuqisë blerëse. Ndërsa projektet publike të prokuruara nga qeveria për qëllime elektorale, por të pa financuara prej saj, sipas PS-së, i kanë vendosur sipërmarrësit privatë në prag të kolapsit financiar.
Manipulimi nga qeveria
Sipas PS-së, biznesi e bankat ballafaqohen me mungesa serioze likuiditeti, ritmet e kreditimit kanë rënë në zero, kreditë e këqija janë dy dhe trefishuar, ndërkohë që depozitat nuk kanë të ngjarë të arrijnë për një kohë të papërcaktuar nivelin e parakrizës dhe shlyerja e kredive në valutë është vështirësuar vijimësisht. Drejtuesit më të lartë të PS-së vlerësojnë se, përballë kësaj gjendjeje qeveria jo vetëm nuk ndien shqetësim, por përpiqet me kokëfortësi ta fshehë realitetin duke manipuluar shifrat, rritur arbitraritetin dhe masat represive ndaj biznesit, refuzuar ndihmën e institucioneve të specializuara ndërkombëtare, duke e futur vendin në një spirale krize gjithnjë e më të rëndë dhe duke thelluar varfërinë në mënyrë galopante. “Reformat e domosdoshme të sektorëve prioritarë, si arsimi e shëndetësia, nuk do të mund të financohen, investimet publike do të frenohen, papunësia do të vazhdojë të rritet, varfëria do të thellohet e shtrihet më tej ndërkohë që masat sociale mbrojtëse për njerëzit në nevojë do të pakësohen”, - nënvizohet në Rezolutë.
Propozimet
Paralelisht me kritikat në adresë të qeverisë, socialistët kanë ofruar edhe disa alternativa, të cilat do të mund të frenonin rrënimin e mëtejshëm ekonomik të vendit. Në fushën e politikave fiskale PS apelon që të rishikohet buxheti i vitit 2010, që është mbështetur kuturu në një rritje ekonomike fiktive të supozuar me 6.5%. Kjo rritje jorealiste, sipas tyre, përbën një kërcënim të hapur për stabilitetin makroekonomik dhe e bën objektivin mbi të cilin ngrihet e gjithë ngrehina e buxhetit të vitit 2010 absolutisht të parealizueshëm dhe vetë buxhetin tërësisht të kompromentuar që në letër. “Duhet të qetësohet klima e acaruar artificialisht e biznesit për qëllime të mirëfillta politike dhe të rivendoset menjëherë dialogu me komunitetin e biznesit, për ta bërë atë pjesë integrale të masave të përballimit të krizës; të realizohet një ulje e përkohshme 12–18-mujore e taksave mbi biznesin e rrezikuar nga kriza për të stimuluar aktivitetin e sipërmarrësve si motori më i shpejtë ekonomik i vendit”, - propozon PS. Në fushën e politikave monetare socialistët apelojnë që Banka e Shqipërisë të vlerësojë mundësitë për një ulje të shpejtë të normës të interesit; të mbështesë monedhën vendase duke parandaluar, ndaluar spekulimet me synim rikuperimin nga rënia drastike e vlerës së lekut. Sa i përket fushave të politikave të përgjithshme qeveritare, PS propozon që të ftohet menjëherë Fondi Monetar Ndërkombëtar për nënshkrimin e një marrëveshjeje të posaçme me Shqipërinë dhe të kërkohet mbështetje financiare për daljen nga kriza; të bëhen korrigjime të menjëhershme të vendimeve të marra që prekin pavarësinë e pushtetit lokal, i cili është më pranë biznesit të vogël, duke i dhënë të gjitha instrumentet e duhura për mbështetjen dhe motivimin e këtij biznesi në këtë kohë krize; të bëhen korrigjime të menjëhershme të vendimeve të marra që prekin biznesin e vogël dhe e klasifikojnë atë artificialisht si biznes të madh; të bëhet distancimi i pushtetit nga monopolet që çdo ditë e më shumë po e fusin ekonominë shqiptare në rrugën e tkurrjes; të hartohet dhe zbatohet një pakete masash të posaçme për nxitjen e investimeve të mirëfillta, veçanërisht investimeve direkte të huaja; të garantohet mbrojtja ligjore e pronës private dhe respektimi i titujve të pronësisë; të rishikohet vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe urgjentisht të përcaktohen masa për indeksim të pensioneve, të ndihmës ekonomike dhe të pagesave të tjera të grupeve në nevojë.
Reformat
Sipas socialistëve, ekonomia shqiptare kërkon një model të qartë dhe të ri zhvillimi, pasi Shqipëria nuk mund ta mbështesë zhvillimin e ekonomisë vetëm në faktorët e deritanishëm, ku dominojnë dërgesat e emigrantëve, informaliteti dhe mungesa e prodhimit. Sipas saj, modeli i zhvillimit që i nevojitet Shqipërisë duhet të mbështetet në standardet europiane dhe të synojë të krijojë: një ekonomi funksionale tregu, të aftë t’i bëjë ballë konkurrencës pa kufij; e orientuar nga eksporti i mallrave e shërbimeve dhe jo e mbështetur në eksportin e fuqisë punëtore të pakualifikuar; që mbështetet në kursimet e siguruara nga zhvillimi i brendshëm ekonomik dhe nga formalizimi i ekonomisë; që krijon klimë favorizuese për biznesin, veçanërisht atij prodhues dhe që garanton lirinë e konkurrencës dhe ku zhvillimi mbështetet në hartimin dhe zbatimin e kujdesshëm dhe afatgjatë të politikave makroekonomike, ku ambicia për standarde europiane të sundojë si prioritet i të menduarit qeverisës dhe axhenda europiane të jetë në radhë të parë mendësi qeverisëse.
Paketa antikrizë e PS-së
Në fushën e politikave fiskale
• Të rishikohet buxheti i vitit 2010, që është mbështetur kuturu në një rritje ekonomike fiktive të supozuar me 6.5%. Kjo rritje jo realiste përbën një kërcënim të hapur për stabilitetin makroekonomik dhe e bën objektivin mbi të cilin ngrihet e gjithë ngrehina e Buxhetit të vitit 2010 absolutisht të parealizueshëm dhe vetë buxhetin tërësisht të kompromentuar që në letër;
• Të qetësohet klima e acaruar artificialisht e biznesit për qëllime të mirëfillta politike dhe të rivendoset menjëherë dialogu me komunitetin e biznesit, për ta bërë atë pjesë integrale të masave të përballimit të krizës;
• Të realizohet një ulje e përkohshme 12–18-mujore e taksave mbi biznesin e rrezikuar nga kriza për të stimuluar aktivitetin e sipërmarrësve si motori më i shpejtë ekonomik i vendit.
Në fushën e politikave monetare
• Banka e Shqipërisë të vlerësojë mundësitë për një ulje të shpejtë të normës të interesit;
• Banka e Shqipërisë të vlerësojë mundësi të tjera për politika që lehtësojnë ngrirjen e likuiditetit
• Banka e Shqipërisë, nëpërmjet politikave të saj dhe bashkëpunimit me qeverinë dhe ndërkombëtarët duhet të mbështesë monedhën vendase duke parandaluar, ndaluar spekulimet me synim rikuperimin nga rënia drastike e vlerës së lekut.
Në fushën e politikave të përgjithshme qeveritare
• Të ftohet menjëherë Fondi Monetar Ndërkombëtar për nënshkrimin e një marrëveshjeje të posaçme me Shqipërinë dhe të kërkohet mbështetje financiare për daljen nga kriza;
• Të bëhen korrigjime të menjëhershme të vendimeve të marra që prekin pavarësinë e pushtetit lokal, i cili është më pranë biznesit të vogël, duke i dhënë të gjitha instrumentet e duhura për mbështetjen dhe motivimin e këtij biznesi në këtë kohë krize;
• Të bëhen korrigjime të menjëhershme të vendimeve të marra që prekin biznesin e vogël dhe e klasifikojnë atë artificialisht si biznes të madh;
• Të bëhet distancimi i pushtetit nga monopolet që çdo ditë e më shumë po e fusin ekonominë shqiptare në rrugën e tkurrjes. Prania e tyre në çdo sektor të ekonomisë, me mbështetje të drejtpërdrejtë nga oborri qeveritar dhe klientët e tij duhet të marrë fund përpara se të fundosin ekonominë;
• Të hartohet dhe zbatohet një pakete masash të posaçme për nxitjen e investimeve të mirëfillta, veçanërisht investimeve direkte të huaja;
• Të garantohet mbrojtja ligjore e pronës private dhe respektimi i titujve të pronësisë;
• Të rishikohet vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe urgjentisht të përcaktohen masa për indeksim të pensioneve, të ndihmës ekonomike dhe të pagesave të tjera të grupeve në nevojë.
17 Dhjetor 2009