Kriza kap administratën, qeveria nuk sqaron se ku i përdori paratë e pagave
Arka e shtetit nuk ka para, rroga e dhjetorit do të jepet në fund të janarit 2010
Ervin KOÇI
Ndodhi ajo që s’pritej! Parashikimet e ekspertëve të ekonomisë dhe të bankës së Shqipërisë, për një krizë të mundshme në fund të vitit 2009, tashmë po konfirmohen edhe nga vet qeveria. Kjo e fundit në mungesë të parave ka lënë pa paguar një pjesë të mirë të administratës, e cila prej shumë vitesh nuk ka ndjerë ankthin e vonesës së pagave. Por e vërteta e hidhur është se këtë fundviti buxhetorët duhet të “shtrëngojnë rripin” pasi jo për festa e për shpërblime që nuk bëhet fjalë, por as pagën e dhjetorit nuk do të mundin që ta tërheqin përpara pushimeve për ndërrimin e moteve. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, pagat e dhjetorit do të merren vetëm në fund të janarit të vitit të ardhshëm, kjo për arsye se arka e shtetit nuk ka likuiditetin e mjaftueshëm për të paguar të gjithë sasinë e pagave. Por si të mos mjaftonte kjo, administrata duhet të mësohet edhe me faktin tjetër të hidhur, se këtë vit nuk do të ketë as pagë të 13-të. Ashtu siç është mësuar, qeveria ka zyrtarizuar vetëm dhënien e një shpërblimi prej 10 mijë lekësh për cilindo punonjës të administratës, por edhe këtë sërish do ta shpërndajë në janar të vitit 2010.
Shpërdorimi i fondeve
Përpëlitjet e qeverisë për të siguruar fondet e duhura për të paguar pagat e administratës, duket se nuk do të kenë rezultat pa u prekur më parë fondet e emergjencave që ka në administrim Ministria e Financave. Vetëm ankandet e obligacioneve dhe bonove të thesarit të zhvilluara nga Banka e Shqipërisë, ose marrja e një kredie tregtare mund të shpëtojë qeverinë nga kolapsi momental. Por kjo situatë e krijuar tani në fund të vitit ka përgjegjës të vetëm qeverinë, e cila shpërdoroi të gjitha fondet e këtij viti gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Në atë kohë një pjesë e mirë e administratës shtetërore e angazhuar në fushatën elektorale për shefat e tyre në maxhorancë, përfituan nga dy paga shpërblim, në një kohë që shpenzimet e tjera për fushatën në çdo dikaster shkuan lum. Po kështu, as fondet që u tepruan dikastereve dhe që duhet të rialokoheshin për në fund të vitit, nuk u administruan si duhej nga Ministria e Financave por u bënë “rrush e kumbulla” nga institucionet që blenë makina e pajisje zyrash, apo ndanë shpërblime për titullarët. Fryt i gjithë këtyre shpërdorimeve është tani kriza e mungesës së likuiditetit që ka përfshirë administratën, e që sipas të gjitha gjasave do të vijojë edhe në vitin që vjen.
Administrata
Kriza ekonomike këtë herë ka hyrë me forcë në shtëpinë e çdo punonjësi të administratës shtetërore. Asnjë prej tyre nuk do të ketë mundësinë që të blejë gjelin e Vitit të Ri ose të bëjë dhuratat e Krishtlindjeve. Një urdhër i Ministrisë së Financave ka ndaluar jo vetëm dhënien e shpërblimeve të fundvitit, por edhe dhënien e pagës së dhjetorit. Kjo e fundit do të merret në janar të vitit të ardhshëm. Mëngjesin e ditës së hënë datë 14 dhjetor 2009, të gjithë punonjësit e Ministrisë së Financave, por edhe ata të zyrave të financës në institucionet e tjera, janë përballur me një e-mail të hidhur. "Me urdhër të Ministrit të Financës dhe me porosi të zëvendësministrit, Haldeda, urdhërohen të gjitha degët e thesarit që të bllokojnë plotësisht përdorimin e fondit të veçantë për të gjitha institucionet, deri në daljen e VKM-së, i cili do të përcaktojë mënyrën e përdorimit të këtij fondi", - thuhet në urdhrin e Bodes. Por, VKM-ja në fjalë ka dalë më datë 25 nëntor, madje edhe është publikuar në fletoren zyrtare. Në urdhrin e ministrit Bode është parashikuar edhe një seksion i veçantë për "rebelët". Duke ditur që disa Ministri kanë gati fondin e pagave dhe shpërblimeve dhe mund ta japin pa pasur nevojë të ndërhyjnë në buxhetin e shtetit ose në degën e thesarit, Bode ka parashikuar edhe masat nëse ndodh kjo gjë. "Nga ora 08:00 e ditës së hënë, ky urdhër do të jetë objekt monitorimi, auditimi dhe kontrolli në periudhat në vazhdim. Në rast se do të vërehen përdorime të fondit të veçantë pas këtij njoftimi, punonjësit e degëve të thesarit do të ngarkohen me përgjegjësi", - thuhet në urdhrin e ministrit Bode. Ndër të tjera, në urdhër theksohet se duhet të njoftohen të gjitha degët e thesarit që në mënyrë absolute të mos kalojnë pagesa të fondit të veçantë.
Mosmarrja e pagës
Pjesa më e hidhur për të gjithë punonjësit e administratës ishte fjalia e fundit e urdhrit të dalë nga Ministri i Financave. Aty sqarohej në mënyrë eksplicite se mosmarrja e pagës së 13-të ose shpërblimit të fundvitit janë e keqja më e vogël, pasi punonjësit nuk do të marrin as rrogën. "Me porosi të drejtorit të Thesarit, Ju sqaroj edhe një herë se pagat e muajit dhjetor 2009 (mujore ose 15-ditëshit të parë ose të dytë) do të ekzekutohen vetëm në Janar 2010", - thuhet në fjalinë e fundit të urdhrit të ministrit të Financave, Ritvan Bode. Pra, jo shpërblimi i fundvitit, por as paga e muajit, ajo që merret në fund të 15-ditëshit të parë, nuk do t'u jepet këtë vit punonjësve të administratës, sepse qeveria nuk ka para. Zbatimi i këtij urdhri i dha efektet e para dy ditë më parë teksa ato pak institucione që marrin pagën më datë 15, kanë parë që gjendja e llogarisë së tyre nuk është rritur. Ata kanë pyetur në zyrat e financave dhe kanë mësuar lajmin e keq për bllokimin e pagave dhe shpërblimeve të fundvitit. Në disa prej institucioneve është hedhur në bankë fondi i shpërblimit të fundvitit, por brenda ditës është tërhequr sërish. Të gjithë punonjësve u është premtuar që paga dhe fondi special do t'u jepet më 15 janar 2010. Vendimi i qeverisë, nuk lejohen shpërblimet më shumë se një pagë. Për fundvit, vetëm nga dhjetë mijë lekë të reja
17 Dhjetor 2009