Bushati: “Bode të lërë demagogjitë e 96-ës”
“Ku e gjen kurajën ministri i piramidave të ’96 për të dalë e për të gënjyer sërish shqiptarët, 13 vjet më pas. Si mund t’u thuash shqiptarëve se vendi ynë nuk është në krizë dhe ekonomia është në rritje, kur çmimet po shtrenjtohen çdo ditë, kur monedha po pëson rënie drastike, kur biznese të mëdha e të vogla po falimentojnë gjithnjë e më shumë.
Njeriu që ndryshe nga çfarë kishte premtuar, rriti dje çmimin e energjisë, ministri që po u mban peng administratës shtetërore shpërblimin e fundvitit dhe rrogën e dhjetorit, zotëria që ka shkelur hapur autonominë vendore dhe u ka zvogëluar buxhetet bashkive dhe komunave që drejtohen nga socialist, autori i krizës, varfërisë dhe papunësisë që ka përfshirë Shqipërinë dhe shqiptarët, sot flet për të paqena, për rritje ekonomike dhe standarde, që mund të jenë të vërteta për familjen dhe ministrat e oborrit, por jo për shqiptarët e thjeshtë. Ministri i piramidave Bode, sot u kujtoi shqiptarëve se për ta nuk do të ketë vit të ri, por vetëm përsëritje të të njëjtave halle dhe siklete të vitit që po lëmë pas. Ministri i piramidave Bode, të japi shpërblimet, ose përndryshe të largohet me Sali Berishën dhe kutitë e tyre”, ka deklaruar nënsekretari i PS-së, Ervin Bushati.
17 Dhjetor 2009