Skandal me provimet e maturës në shkollat e Durrësit
Maturantët e Durrësit i janë nënshtruar provimit të letërsisë, proces i cili që nga fillimi i tij është shoqëruar me skandale dhe me mefshtësinë e organizatorëve dhe me paragjykimet për nxënës të veçantë.
Provimi për maturantët e Durrësit ka filluar tre orë me vonesë dhe arsyeja e fortë ka qenë se nuk punonin mikrofonat dhe fonia për ti sqaruar për detajet që kishin të bënin me rregullat e provimit.
Kështu maturantëve iu është dashur të futen në provim me rreth tre orë vonesë, gjë që ndodh për herë të parë në qytetin e Durrësit.
Përgjegjësia është e organizatorëve dhe kryesisht e drejtorit të arsimit në Durrës, Filip Gjonçi.
Mjaft prindër kanë denoncuar atë që ka ndodhur sot, ndërsa kanë dhënë detaje të prishjes së një procesi provimi me dashje për të bërë seleksionimin dhe për të abuzuar me maturantët.
Rastet më skandaloze denoncohen dhe nga deputetja e Durrësit, Klodiana Spahiu, e cila është shprehur se edhe koha e kufizuar e dhënies së provimit është shoqëruar nga fenomene që e kanë prishur këtë proces.
Madje ajo ka shkuar edhe më larg duke akuzuar mësues të veçantë se kanë lejuar në ambientet ku jepej provimi, jo vetëm të komunikohej, por edhe të bëhej zhurmë nga bisedat e larta duke prishur qetësinë e shumë maturantëve që jepnin provimin.
Abuzimi ka shkuar deri aty sa që maturantë të veçantë të përkrahur nga mësues kanë pirë deri cigare gjatë dhënies së provimit.
Ndërkohë që tashmë është bërë e ditur se teza e provimit të letërsisë është dekonspiruar dhe ka dalë jashtë ambienteve të shkollës që në orët e para të mëngjesit.
Kjo i ka shërbyer drejtuesve të këtij procesi provimi për të bërë edhe seleksionimin e nxënësve kundërshtarë të shoqëruar nga partia.
Nxënës të veçantë nga shkolla profesionale janë futur në klasa gjimnazi edhe pse testi i tyre ishte i ndryshëm dhe raporti ishte 19 me 1, pra që do të thotë që me mënyrën se si u zhvillua provimi 19 nxënës në klasë kopjonin, flisnin me celular, shkëmbenin përgjigjet e pyetjeve njëri me tjetrin dhe 1 nxënësi të vetëm i duhej të sodiste zhurmën, kopjimin, celularin deri dhe duhanin e atyre që ishin në klasë.
Ky është rasti më flagrant i degradimit të procesit të dhënies së provimit të maturantëve në Durrës dhe përgjegjësia kryesore lidhur me këtë shkon te Drejtori i Arsimit.
