Skandal në Kukës, Spitali Rajonal prej tri javësh pa ujë
KUKES- Spitali Rajonal i Kukësit “Meriman Braha” po përballet me mungesën e ujit të pijshëm prej tri javësh. Situata bëhet më alarmante gjatë këtyre ditëve të nxehta, ndërkohë që është reduktuar në minimum edhe ajo pak sasi uji që mbërrinte në çezmat e këtij spitali. Kriza e ujit e shfaqur prej disa muajsh në qytetin e Kukësit duket se nuk ka kursyer tanimë as spitalin, duke vënë në rrezik shëndetin e pacientëve, të cilët po marrin aktualisht shërbimin shëndetësor në repartet e këtij institucioni. Shefi i hotelerisë në spitalin e Kukësit, Jashar Cengu tha se thuajse çdo ditë i janë drejtuar Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve si dhe kompanisë, e cila po punon për ndërtimin e Ujësjellësit të ri, por deri më tani askush nuk e ka zgjidhur problemin. Kështu pacientët janë lënë në mëshirë të fatit. Përveç ilaçeve, ndërresave familjarët e të sëmurët tani duhet të pajisen edhe me ujë para se të shkojnë në spital. Megjithëse në çdo dhomë ka çezmë e lavaman, janë vetëm për fasadë, ndërsa rolin e tyre e luajnë bidonët e sjellë nga vetë pacientët.
SITUATA
Mungesa e ujit të pijshëm në të gjitha repartet ka vënë në vështirësi higjienën e ambienteve, dhomave apo edhe tualeteve, kryesisht të repartit të kirurgjisë dhe pediatrisë. Yllka, një zonjë nga Kukësi, e cila ka të shtruar vajzën e saj në repartin e kirurgjisë thotë për “GSH” se mungesa e ujit të pijshëm në spital ka vështirësuar qëndrimin në kushte normale për të sëmurët. “Këtu vjen njeriu i shëndoshë dhe sëmuret, jo më të jesh sëmurë që këtu vdes nga pisllëku. Ne dhe të afërmit tanë që jemi të detyruar të rrimë këtu e kemi shumë të vështirë, pasi rrezikojmë të marrim sëmundje nga më të ndryshmet. Më thoni a mund të rrish në këtë dhomë pa u larë prej ditësh, pa ujë në tualete kur termometri shënon 40 gradë? Është tmerr, ai që e provon, e kupton situatën tonë. Shikoni, unë kam marrë ujin me shishe nga shtëpia për vajzën dhe për vete për të pirë dhe për nevojat personale”, shprehet familjarja. Në këtë spital është edhe një depo rezerve uji, por që prej disa javësh nuk është në funksion, pasi uji që mbërrin është në sasi shumë të pakët dhe qëndron shumë pak minuta. Drejtuesit e spitalit kanë bërë tratativa për zgjidhjen e çështjes, por deri tani asnjë hap konkret nuk është ndërmarrë për furnizimin, të paktën në tri orë, të spitalit më të madh në verilindje.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)