Topi takon Bosh, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, në qendër të tryezës
Eljona Ballhysa
Në vazhdën e negociatave për zgjidhjen e krizës politike, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka zhvilluar dje një takim me shefin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorin Robert Bosh. Në njoftimin zyrtar për shtyp bëhet e ditur se palët kanë biseduar për tryezën e dialogut mes kryeministrit Berisha dhe kryetarit të PS-së, Rama. Ndërkaq, Bosh ka shprehur gatishmërinë e Prezencës së OSBE-së për të ofruar asistencën e saj për rifunksionimin e suksesshëm të demokracisë parlamentare shqiptare. Pritet që në qendër të bisedimeve të së shtunës të jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Prezenca e OSBE-së në Tiranë, gjatë këtyre viteve ka dhënë një asistencë të vazhdueshme, veçanërisht në fushën e hartimit të kodeve zgjedhore. Edhe për ndryshimet e ardhshme OSBE-ja ka paraqitur një listë me ndryshimet e nevojshme që duhen bërë në Kodin Zgjedhor. Pritet që në tryezën e presidentit, dy kryetarët e partive të bien dakord për realizimin e një reforme të gjerë të kuadrit ligjor përsa u përket zgjedhjeve, në mënyrë që hapja e kutive të votimit të vendoset si një standard normal për të gjitha proceset zgjedhore, në ato raste kur palët pretendojnë manipulimin e zgjedhjeve.
Takimi
Zyra e Presidentit Topi ka njoftuar dje se në kuadër të konsultimeve që kreu i shtetit po zhvillon në prag të tryezës politike të së shtunës, ai është takuar edhe me ambasadorin e OSBE-së, Bosh. Kreu i shtetit shqiptar, pasi e falënderoi ambasadorin Bosh për deklaratën mbështetëse ndaj rolit dhe tryezës politike të thirrur nga presidenti, e vlerësoi si shumë të frytshëm e të vlefshëm rolin dhe asistencën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për konsolidimin e institucioneve demokratike, forcimin e shtetit të së drejtës, si dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Në këtë takim u diskutua për tryezën e ardhshme politike mes pozitës dhe opozitës, të cilën Presidenti Topi vendosi ta thërrasë ditën e shtunë, më 13 shkurt 2010. “Nga ana e tij, ambasadori Bosh shprehu edhe njëherë vlerësimin për rolin e presidentit Topi duke e siguruar njëkohësisht atë për të gjithë gatishmërinë e OSBE-së për të ofruar përvojën dhe asistencën e saj në rifunksionimin e suksesshëm të demokracisë parlamentare shqiptare”, - shkruhet në deklaratën zyrtare.
Rekomandimet
Në raportin për ecurinë e procesit zgjedhor në Shqipëri, OSBE-ja renditi dhe një listë me rekomandime për ndryshimet e ardhshme në Kodin Zgjedhor. Në listën e rekomandimeve OSBE-ja sugjeron politikën shqiptare që “të përmirësojë regjistrin për statusin civil dhe regjistrin zgjedhor, dhe në këtë kontekst të gjendet një zgjidhje për të drejtën e votimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë. Të përmirësohet mbulimi i aktiviteteve nga media, si dhe ndarja e fondeve publike gjatë fushatave që është në dëm të partive politike joparlamentare. Të përmirësohen rregullat e transparencës së pronarëve të mediave. Të rregullohet mënyra e shpërndarjes së anëtarëve të komisioneve lokale zgjedhore, që është i papajtueshëm me kushtin për administrim zgjedhor profesional dhe të paanshëm. Duhet të rishikohen dispozitat e dyshimta për përfshirjen e grave në listat e kandidatëve në mënyrë që të garantohet që kandidatet gra të jenë në renditje të favorshme. Nevoja për të shfuqizuar dispozitat që u japin të drejta speciale kryetarëve të partive për të kandiduar të parët në lista dhe në të gjitha qarqet”, - shkruhet në raport.
Rekomandimet për ndryshimet në Kodin Zgjedhor
Të përmirësohet regjistri për statusin civil dhe regjistri zgjedhor, dhe në këtë kontekst, të gjendet një zgjidhje për të drejtën e votimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë.
Të përmirësohet mbulimi i aktiviteteve nga media, si dhe ndarja e fondeve publike gjatë fushatave që është në dëm të partive politike joparlamentare.
Të përmirësohen rregullat e transparencës së pronarëve të mediave.
Të rregullohet mënyra e shpërndarjes së anëtarëve të komisioneve lokale zgjedhore, që është i papajtueshëm me kushtin për administrim zgjedhor profesional dhe të paanshëm.
Duhet të rishikohen dispozitat e dyshimta për përfshirjen e grave në listat e kandidatëve në mënyrë që të garantohet që kandidatet gra të jenë në renditje të favorshme.
Nevoja për të shfuqizuar dispozitat që u japin të drejta speciale kryetarëve të partive për të kandiduar të parët në lista dhe në të gjitha qarqet.
12 Shkurt 2010