Skandali, Fazliç bleu toka shtetërore

Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorëzim dokumentacionet e ardhura nga hipoteka e Durrësit, ku rezulton se Fazlic, krahas blerjes së tokës nga banorët e zonës, ka marrë me cmime qesharake edhe tokën shtetërore, ende e pandarë.
Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë akuzës qendrore, sipas të cilës në kuadër të hetimeve për pastrim parash, të hetuarit i janë bllokuar rreth 12 hektarë në vendin ku do të ndërtohet një vepër energjetike.
Prokuroria tha se do të marrë në pyetje zyrtarët e shtetit, që kanë firmosur shitjen e tokës shtetërore. Pritet që në ditët në vijim në Prokurorinë e Tiranës të paraqiten personat që kanë dhënë OK që Fazlic të merrte dynymët për një "copë bukë".
Hetuesit e prokurorisë deklarojnë se kanë në shqyrtim materialin e ardhur nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme të Durrësit, ku rezulton se biznesmeni i huaj është një superpronar, madje zotëron 12 hektarë tokë.
Burimet nga akuza qendrore saktësojnë se disa ditë më parë, Hipoteka, pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës që të evidentojnë të gjitha pronat e Fazlic dhe bashkëpunëtorëve të tij, ka sjellë përgjigje se serbo-boshnjaku dispononte në fshatin Rinia, në Porto Romano (Durrës) dy prona me rreth 12 hektarë sipërfaqe, e cila dyshohet se është blerë për rreth 600 mijë euro nga banorët e zonës.