Bollano arrin të shtyjë gjyqin edhe për një muaj

Avokati mbrojtës i Bollanos kërkoi përjashtimin nga cështja të gjyqtarit Shkëlzen Selimi, c’ka ka bërë që seanca të mos e shqyrtojë akuzën, por të kalojë me debate për cështje proceduriale.
Avokati Petraq Curri ka bërë kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit Selimi, duke e cilësuar të njëanshëm gjykimin e tij. Avokati i Bollanos i është referuar një kërkese të bërë nga mbrojtja në momentin e pranimit nga gjykata të ndërrimit të ekspertëve që do të bënin vlerësimin e dëmit të shkaktuar nga shkulja e tabelave turistike kulturore, veprim për të cilin Bollano akuzohet për shpërdorim detyre.
Sipas avokatit, dy nga katër çështjet që mbrojtja kërkonte të ishin pjesë e ekspertimit nuk u morën parasysh, mes të cilave sipas tij, është edhe mënyra e vendosjes së tabelave tashmë të hequra në lidhje me rrugën.
Sipas avokatit, ky detaj duhet ekspertuar, pasi pozicionimi i tabelave në rrugë apo në krah të saj, e bën Bollanon të pafajshëm, duke mos pasur brenda absolutisht elemente të veprës penale.