PR, kushte Berishës për fondin e ish-pronarëve

Diskutimi i projektbuxhetit 2009 ka sjellë sërish në vëmendjen e republikanëve cështjen e fondit për kompensimin e ish-pronarëve. Në krahasim me vitin 2008, qeveria e ka rritur fondin vetëm me 100 milionë lekë, duke e bërë atë për vitin 2009 në masën e 600 milionë lekëve.
Për Partinë Republikane, e cila mbron interesat e ish-pronarëve, është e pajustifikueshme masa e fondit që ka vendosur qeveria për vitin 2009. Duke pasur parasysh faturën totale që shkon rreth 4,5 miliardë dollarë për kompensimin e të gjithë ish-pronarëve, Arjan Madhi, kryetari i grupit parlamentar të PR-së, e cilëson fondin prej 6 milionë dollarësh tepër të vogël.
"Nëse qeveria ecën me këtë ritëm, vota jonë për buxhetin 2009 do të jetë kundër. Aktualisht jemi duke negociuar për rritjen e fondit për ish-pronarët, në varësi të rritjes së të ardhurave. Nuk mund të them për momentin sesa mund të jetë rritja, por negociatat po vijojnë çdo ditë", u shpreh Madhi për gazetën "Shqip".