E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali Montolivo, qesh në minutën e heshtjes

ITALI- Rikardo Montolivo është kthyer në një çështje në kombëtaren italiane, bashkë me shokun e tij të skuadrës te Fiorentina, Gamberini. Gjatë minutës së heshtjes për viktimat e përmbytjeve në ndeshjen me Kievon, ata janë kapur nga kamerat ndërsa qeshnin. Vetë Montolivo ka kërkuar falje për këtë gjest, duke deklaruar se ndjehet i turpëruar pasi ka parë pamjet filmike. “Mbetëm të gjithë në siklet kur pamë pamjet, por duhet të themi të vërtetën, - shpjegoi Prandeli. – Ai kishte dhimbje barku dhe bëri një buzëqeshje ironike. Sfidoj këdo që mendon se një person, jo vetëm futbollist, mund të qeshë në ato momente. Atje të gjithë kemi dëshirën për të menduar për atë që ka ndodhur. Është një çështje e mbyllur”, tha më tej ai. Ndërkohë, Italia ka nisur grumbullimin për miqësoret me Poloninë e Uruguajin, ndërkohë që një pjesë e mirë e vëmendjes është tek Antonio Kasano dhe sëmundja që e ka goditur atë. “Shkova e takova, por e përshëndes edhe që këtu. Na mungon shumë, atmosfera pa është e veçantë. I thashë që në situatën ku ndodhet është me fat, sepse nëse do t’i kishte ngjarë 10 vjet më parë do të kishte qenë ndryshe”, tha tekniku Prandeli përpara gazetarëve. Ai u shpreh më tej se pret që Kasano të rikthehet brenda 5 muajve për të qenë i gatshëm për kampionatin europian. “I thashë që shpresoj të vijë në Europian bashkë me Karolinën dhe fëmijën e tij. Do ta marr në Euro 2012 edhe nëse nuk do të jetë i gatshëm, pasi mund të japë një kontribut në aspektin shpirtëror”, tha më tej trajneri i Italisë. Në fund, Prandeli foli edhe për Balotelin, lojtarin kryesor të Italisë në këto momente. “Kujdes, s’dua t’i jap shumë përgjegjësi”, tha tekniku.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›