“FIFA dhe UEFA mund të ndryshojnë kalendarin”
Jetmir Halilaj
Vllaznia e kontestoi kalendarin e fazës së tretë, pasi sipas drejtuesve shkodranë, duhej të ishin kuqeblutë, kryesuesit e kampionatit, çka do t’u lejonte atyre që ndeshjen e fundit të sezonit ta zhvillonin në fushën e tyre kundër vendit të dytë. Krerët e Vllaznisë janë ankuar në UEFA dhe FIFA për këtë çështje dhe nëse organizatat ndërkombëtare do t’u japin të drejtë, atëherë kalendari do të ndryshohet sërish. Këtë e konfirmon edhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Arben Bici. “Ata kanë të drejtë të ankohen në organizmat ndërkombëtarë të futbollit. Nëse FIFA dhe UEFA mendojnë se ata kanë të drejtë, atëherë ne do t’u bindemi direktivave të tyre, pasi ato janë institucione madhore. Megjithatë, konfirmoj me bindje se rregullorja jonë është shumë e qartë dhe se ne kemi vepruar në mënyrë të drejtë”, ka thënë numri 2 i FSHF-së.
Rregullorja
Ai ka sqaruar edhe njëherë se rregullorja nuk lë vend për keqkuptime, por nuk dëshiron të polemizojë me shkodranët për pretendimet që ata kanë. “Rregullorja është shumë e qartë dhe ne e kemi argumentuar zgjedhjen që kemi bërë. Ata pretendojnë se goli i shënuar në fushë kundërshtare ka vlerë të dyfishtë, por kjo nuk merret për bazë kur kemi të bëjmë me një garë me sistem grumbullim pikësh. Goli në fushë kundërshtare ka vlerë të dyfishtë në garat me sistem eliminimi. Megjithatë, drejtuesit e klubit shkodran kanë të drejtë të apelojnë në organizmat ndërkombëtare dhe ne jemi të hapur ndaj çfarëdo vendimi që do të marrin këto organizma”, ka sqaruar Bici. Megjithatë, ka pak gjasa që FIFA dhe UEFA të dalë kundër federatës në këtë rast, pasi precedentët kanë treguar se institucionet ndërkombëtare të futbollit kanë dalë gjithnjë në krah të FSHF-së. Përsa u përket pretendimeve të Vllaznisë se rregullorja ka vakume dhe se duhet të bazohet te rregullorja kroate, prej nga është marrë edhe formula e kampionatit, Bici ka thënë: “Rregulloren ua kemi dhënë klubeve që në fillim të vitit dhe ata e kanë miratuar. Është zgjedhur sistemi italian, pasi kemi gjykuar të gjithë së bashku se është rregullorja më e kompletuar dhe më e përshtatshme”.
Koordinimi
Një qendër koordinimi e posaçme mes policisë së shtetit dhe klubeve shqiptare për ndeshjet e futbollit që luhen në Shqipëri do të lehtësonte shumë gjëra dhe do të jepte më shumë siguri në stadiume. “Është një formulë që përdoret në shumë vende të zhvilluara. Policia ka një strukturë të posaçme, që koordinon me të gjitha klubet dhe bën një organizim perfekt të ndeshjeve, duke eliminuar shumë incidente, apo episode të pakëndshme. Kjo do të na shërbente shumë”, tha Bici.