Skandali i borxheve të CEZ-it, paratë e komunave tek sekseri i Berishës
Tiranë- Në Tetor, parlamenti miratoi një akt normativ, përmes të cilit qeveria i hoqi pushteti vendor 1.3 miliardë lekë grante, për ta detyruar atë të paguajë borxhet ndaj CEZ-it. Me gjithë kundërshtimin e fortë që shkaktoi kjo masë, qeveria tha se bashkitë dhe komunat e kanë detyrim ligjor të shlyejnë faturat e energjisë për ujësjellësat.
Për shkak se edhe CEZ-i kishte borxhe ndaj KESH-it, qeveria premtoi se në finale paratë që po i merreshin pushtetit vendor do të përfundonin në llogaritë e KESH-it, përmes një skeme të paracaktuar, ku fondet do të derdheshin fillimisht në llogaritë e CEZ-it në një nga bankat ku KESH-i mund të kërkonte bllokimin e tyre.
Kjo pikë madje ka qenë e vendosur edhe në memon e brendshme që ministri i Financave nxorri në lidhje me këtë cështje. Por memoja nuk u zbatua dhe paratë nuk shkuan asnjëherë në llogaritë e KESH-it. Deri tani qeveria ka shlyer rreth 700 milionë lekë CEZ-it nga fondi 1.3 miliardë, por sipas informacioneve të sigurta, në arkën e KESH-it nuk përfundoi asnjë qindarkë. Paratë shkuan diku tjetër.
Dy ditë më parë u publikua kontrata që kompania CEZ ka lidhur me disa kompani private për mbledhjen e borxhit. Dokumentat tregojnë se për çdo borxh që CEZ arkëton nga buxhetorët dhe jobuxhetorët, ku përfshihen edhe ujësjellësat, këto kompani përfitojnë 28 deri në 50 për qind të shumës.
Një skandal financiar, që ka kaluar gati gjysmën e parave që qeveria i hoqi me dhunë bashkive dhe komunave, në llogaritë e kompanive seksere në rolin e përmbaruesit privat, përkundrejt asnjë shërbimi publik. I vetmi shërbim i tyre është se lidhjet me pushtetin u lejojnë të diktojnë vendime në qeveri. Transaksioni ka funksionuar sipas një skeme të mirëpërcaktuar, ku paratë në fillim janë derdhur në degët e thesarit nëpër rrethe, janë arkëtuar në llogaritë e CEZ-it dhe kjo e fundit një pjesë të tyre ja u ka kaluar kompanive seksere sipas marrëveshjeve që kishte me to.
Ndërkaq qindra punonjës në bashkitë dhe komunat e vendit kanë disa muaj që nuk marrin pagat, ndërsa shumë prej njësive vendore kanë cënuar edhe shërbimet publike më të domosdoshme për qytetarët nga shkurtimi i grantit. Kompanitë seksere janë në pronësi të një biznesmeni të fuqishëm shumë i afërt me kryeministritn Berisha.
Na ndiqni në: @GazetaIdea në Twitter/Gazeta Idea (Faqja Zyrtare) në Facebook
Ndani me ne komentet tuaja: