Skandali i buxhetit të Maqedonisë - Zero donacione për komunat shqiptare
Derisa për komunat maqedonase, qoftë rurale apo urbane, janë paraparë miliona denarë donacione për veprimtari nga fusha e kulturës, për komunat ku jetojnë shqiptarët, duke u nisur nga Tetova, Gostivari, Dibra, Struga, Likova, Haraçina dhe të tjera, nuk është paraparë asnjë denar
Komunat shqiptare në Maqedoni kanë marrë goditjen e radhës. Në Projekt-buxhetin për vitin 2013 që tanimë i është dorëzuar Parlamentit të Maqedonisë, nuk është paraparë asnjë denarë bllok-dotacione për veprimtaritë nga fusha e kulturës. Një gjë e tillë ndodh edhe përkundër faktit se në territorin e shumicës së këtyre komunave funksionojnë qendrat kulturore, por edhe organizohen aktivitete të ndryshme kulturore. Me zero denarë bllok-dotacione vitin e ardhshëm janë paraparë të “mbështeten” komunat e Gostivarit, Tetovës, Dibrës, Strugës, Likovës, Haraçinës, Zajazit, Osllomejit, Studeniçanit, Tearcës, Zhelinës, Bogovinjës, Bërvenicës…Një situa e këtillë nuk duket të jetë edhe me komunat maqedonase. Sa për krahasim, komunës së Velesit për veprimtari nga fusha e kulturës shteti për vitin 2013 do t’i ndajë 10.8 milionë denarë, Vinicës – 4.4 milionë denarë, Gjevgjelisë – 4.4 milionë denarë, Kavadarit 9.5 milionë denarë, Koçanit 5.8 milionë denarë, Kratovës, 4.4 milionë denarë, Prilepit shteti për vitin 2013 nga arka e vet i ndan bllok-dotacione me shumë prej 8.3 milionë denarë, Makedonski Brodit – 2.3 milionë denarë, Probishtipit 3 milionë denarë, Radovishit 3.6 milionë denarë, Strumicës 5.3 milionë denarë, Sveti Nikollës 5.5 milionë denarë, Çuçer Oblishevës – 1.4 milionë denarë. Çuçer Sandevës – 1.8 milionë denarë, Krushevës 1.4 milionë denarë, 2.5 milionë denarë për Berovën, për Manastirin - 6.3 milionë denarë, për Vallandovën 4.3 milionë denarë…Mosparashikimi i asnjë denari në formë të bllok-dotacioneve për komunat shqiptare ishte evident edhe në buxhetin e vitit paraprak.
Kësisoj, edhe vjet zero bllok-dotacione kishin Tetova, Gostivari, Struga, Dibra, Likova, apo Zhelina…, ndërsa për komunat maqedonase po ato miliona denarësh të bllok dotacioneve që parashihen për vitin e ardhshëm. Profesori i ekonomisë në USHT, Hamit Aliu, i pyetur të komentojë këtë disprporcion në shpërndarjen e bllok-dotacioneve, thekson se mjetet buxhetore duhet të shpërndahet në të gjitha komunat, jo të sakatohen komunat ku janë shqiptarët, kurse t’u jepet përparësi komunave maqedonase. “Sa na takon neve shqiptarëve, si duket jemi mësuar për çdo vit me pak e më pak. Ne nuk kemi as kush të shqetësohet për çështjet e kulturës dhe është një karakteristikë se të gjitha komunat ku janë shqiptarët janë të dënuara në ndarjen e masës për kulturë, arsim dhe për zhvillim në përgjithësi. Nga ky aspekt, nuk është e rastit derisa në ndarjen e kulaçit nuk jemi pjesëmarrës dhe nuk dimë me cilin standard me cilat parametra manipulojnë, se si ndahet buxheti në komunat shqiptare dhe në komunat maqedonase. Kjo është fatkeqësia jonë, që nuk jemi prezent dhe nuk jemi të barabartë në aspektin ekonomik dhe në aspektin e mirëqenies ekonomike në Maqedoni”, thotë profesori i ekonomisë në USHT, Hamit Aliu.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”