Skandali i naftës,11 biznesmenë tatimorë e doganierë në pranga

Prokuroria e Përgjithshme publikon emrat dhe akuzat për personat e implikuar në aferat korruptive të naftës “Vergine”.
Bazuar në të dhënat e publikuara në shtypin e shkruar dhe viziv në fillim të muajit tetor 2010, në emisionin "Ora e Intervistës " në "Ora News", datë 12.10.2010, si dhe deklarimet e ish - Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti, që ka deklaruar publikisht të dhëna që kanë të bëjnë me veprime abuzive me detyrën dhe kontrabandë të zhvilluar me naftën e prodhuar nga ana e kompanisë "Armo" sh.a për periudhën 2007 - 2009, si dhe verifikimeve paraprake të kryera, Njësia e Përbashkët Hetimore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka regjistruar procedimin penal për veprat penale të " Mashtrimit me pasoja të rënda ", " Shpërdorimit të detyrës ", " Falsifikimit të dokumenteve " dhe " Pastrimit të produkteve të veprës penale ". Nga hetimet e zhvilluara deri tani është bërë e mundur të provohet se gjatë periudhës 2007 - 2009, sasi të konsiderueshme te nënproduktit te naftës bruto të përpunuar dhe të njohur si " Vergine ", është tregtuar në territorin e Republikës së Shqipërisë në kundërshtim me ligjin dhe në dëm të konsumatorëve, duke e paraqitur atë si benzinë të pastër për konsum.
Ky aktivitet është realizuar nga ana e subjektit privat " Euroil " sh.a, me ortak dhe administrator shtetasin Hajri Elezaj si dhe në bashkëpunim me subjektin tjeter privat " Fisheku " sh.a, me ortak dhe administrator shtetasin Ilias Fisheku. Sasia e nënproduktit të naftës te quajtur "Vergine" është blerë nga shoqëria e përpunimit të naftës " Armo " sh.a dhe në mënyrë fiktive është pasqyruar me dokumentacion si e eksportuar jashtë shtetit. Por në fakt, ajo është shitur në tregun e brendshëm në kundërshtim me ligjin dhe duke mashtruar konsumatorin shqiptar. Në këtë aktivitet janë përfshirë edhe punonjës të caktuar të administratës tatimore dhe doganore, të cilët me veprimet e tyre kanë ndihmuar në fshehjen dhe mosdeklarimin e aktivitetit në fjalë.
Mbi bazën e kërkesës së organit të akuzës, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit " Arrest në burg ", për keta shtetas: Hajri Hajredin Elezaj, Ilias Isa Fisheku, Martin Ilias Fisheku, Bajram Isa Fisheku, Dashamir Veiz Kasaj, Edmond Kaso Ferraj, Flamur Rexhep Merkaj, Vladimir Kilo Koteci, Gani Llazar Prence, Reshat Hamza Aleksi dhe Kadri Rakip Hajredini .
Arrestimi i tyre, u bë në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë e Policisë Qarku Tiranë, të cilët, së bashku me Njësinë e Përbashkët Hetimore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, po vijojnë ndërkohë veprimet e mëtejshme hetimore edhe ndaj personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë çështje.