E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjyqtarët kanë nevojë për integritet e jo për imunitet

11/03/2011  Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, në analizën e gjykatës së Durrësit

Probleme me gjykimet e njëanshme dhe me vonesat në gjykim

DURRES- Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, ka kërkuar seriozitet dhe maturi nga togat e zeza të Durrësit gjatë analizës vjetore të strukturave të drejtësisë së togave të zeza. Spahiu e ka kanalizuar diskutimin e tij tek paraqitja që bëjnë gjyqtarët dhe strukturat e tjera të lidhura me çuarjen deri në fund të një procesi gjyqësor për një çështje penale apo civile. Ai ka thënë qartë dhe prerë se gjykatat së bashku me policinë e Prokurorinë duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të fituar statusin e institucioneve dhe organeve demokratike. Sipas nënkryetarit të KLD-së, perceptimi publik për gjykatat është shumë larg nga sa lypset. Gjatë analizës është thënë se Policia Gjyqësore, Prokuroria, gjykata, avokatia dhe përmbaruesit duhet të veprojnë në kohë dhe me rendiment duke shmangur edhe ndikimet joprofesionale në proceset përkatëse. Procesi që nga përpilimi i akuzës nga oficerët e Policisë Gjyqësore dhe deri në përmbylljen me ekzekutimin nga përmbarimi është cilësuar i vështirë. Spahiu ka pohuar se gjykimet e njëanshme, si dhe lënia në rrugë e vendimeve të paekzekutuara nga organi përkatës e dëmtojnë rëndë drejtësinë. “Drejtësia fillon në momentet kur nis hetimi i kryerjes së një vepre penale”,-ka thënë Spahiu. Ai ka lënë të kuptohet se në disa raste ka pasur nxitime lidhur me themelimin e akuzës dhe mbrojtjen e saj dhe se kjo është shfaqje e drejtpërdrejtë e humbjes së besimit tek drejtësia. Përgjithësisht trupa gjyqësore në Durrës si ajo e shkallës së rrethit gjyqësor edhe e Gjykatës së Apelit janë vlerësuar për seriozitetin dhe shqyrtimet në kohë e me cilësi të proceseve. Megjithatë, nënkryetari i KLD-së Kreshnik Spahiu ka bërë të qartë se jo gjithçka ecën në rrugën e duhur. “Gjyqtarët kanë nevojë për integritet e jo për imunitet”,-është shprehur Spahiu, duke theksuar kësisoj dyshimet lidhur me pastërtinë profesionale dhe morale tek radhët e togave të zeza. Deklarimi i tij është bërë në të njëjtën analizë dhe në prani të gjyqtarëve, oficerëve të Policisë Gjyqësore, organeve të Prokurorisë e përmbarimit dhe ata të policisë së shtetit. Edhe pse Spahiu nuk u ndal për të sqaruar nëse pohimi i tij i mësipërm kishte të bënte me informacionet që ka KLD-ja lidhur me humbjen e integritetit të gjyqtarëve të Durrësit, u duk hapur se nënkryetari Spahiu ka vërejtje për disa nga vendimet e gjyqtarëve të qarkut bregdetar të Durrësit. “Perceptimi negativ i publikut për gjykatat qëndron dhe është i drejtë”,-ka thënë Spahiu, duke iu referuar verifikimeve dhe kontrollit të bërë nga KLD-ja ka pohuar se janë vërejtur “neglizhencë nga ana e gjyqtarëve në gjykimin e çështjeve, mosrespektim i afateve të gjykimit, mosrespektim i orareve dhe procedurave, mosrespektim i seancave të çështjeve civile”, si dhe mjaft çështje të mbartura nga viti 2010. Gjatë analizës është thënë se janë 1347 procese të vitit 2010 që janë mbarur në këtë vit, shifër shumë e lartë kjo dhe e pamotivuar. Xh. Gradica

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›