Skandali i operatorit të 4-t celular, maxhoranca voton projektligjin pa plotësuar numrin e votave në Komision
Thellohet skandali i tenderit për dhënien e licencës së operatorit të katërt celular në Shqipëri. Maxhoranca e ka miratuar këtë projektligj në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese pa e plotësuar numrin e nevojshëm të deputetëve në këtë komision. Projektligji në këtë komision është miratuar vetëm me votat e deputetëve të maxhorancës, kjo falë edhe “ndihmës” së dy deputetëve të tjerë të saj, edhe pse ata nuk kanë qenë anëtarë të këtij komisioni. Në komisionin e përbërë nga 6 deputetë të Partisë Demokratike, një nga PDK-ja dhe një nga PR-ja, është miratuar dhënia në përdorim e celularit të katërt në Shqipëri, një bashkim ofertuesish të përfaqësuar nga Postë Telekomunikacioni i Kosovës, në përbërje të të cilit janë: “Union Grup”, “Inofosoft system”, “Albania Drink Distribution” si dhe “ACi Engineering sh.p.k.”. Për të krijuar numrin e votave të nevojshme për të miratuar draftin, u dërguan për të votuar edhe dy deputetë që nuk janë anëtarë të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, por anëtarë të Komisionit të Medias, që janë Gjok Vuksani, i Partisë Demokratike dhe Galip Ramadhi i Partisë Republikane. Por skandali mori përmasa që gjatë paradites, kur maxhoranca vendosi që të fusë për diskutim projektligjin në Kuvend, jashtë të gjitha procedurave të caktuara dhe në kundërshtim me rregulloren. Jashtë kalendarit të punimeve dhe në shkelje të hapur të rregullores, e cila parashikon që një projektligj futet një herë në kalendarin e punimeve, më pas miratohet nga Kuvendi dhe pastaj kalon për miratim në komisione, shumica në pushtet ka kapërcyer të gjitha procedurat dhe e ka çuar atë për miratim në komisionin përgjegjës. Projekti mbërriti në Kuvend vetëm ditën e premte, më 17 prill, çka do të thotë se ka hyrë në procedura në një kohë rekord.
22 Prill 2009