E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tenderi i çudive, konkurrentët kërkonin ndihmë nëpër forume interneti!

Kompania kërkonte ndihmë në internet dhe premtonte informacione. Ftesat e pronarit të “Univers PG” për bosët e “Ericsson” dhe “T-Mobile”

Habjon Hasani
Kur qeveria i hapi rrugë tenderit për operatorin e katërt celular në vend, asokohe, Ministria e Transporteve, në disa deklarata bëri të ditur se pranë saj ishin interesuar disa kompani të mëdha. Madje kjo ministri premtoi se do ta shpallte tenderin edhe në disa media prestigjioze ndërkombëtare. Por ndryshe nga sa u premtua, të vetmet shpallje kanë ngelur ato të pronarit të firmës “Univers PG” në disa forume të lira në internet. Kjo firmë, e cila u krijua një muaj pasi kishte dorëzuar letrat e saj në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave, ka lënë gjurmë në disa forume të lira, që u kushtohen përdoruesve dhe fansave të telefonave celularë, duke i kërkuar ndihmë pronarëve të disa markave të famshme telefonike, por edhe duke premtuar informacione të volitshme për tenderin që pritej të zhvillohej.
Ftesat
Që në muajin janar pronari i firmës ende të pakrijuar “Univers PG” i shkruante presidentit të firmës “Ericsson”, Karl Svenberg, që ta ndihmonte duke i ofruar ortakëri. Sipas pronarit të “Univers PG”, kompania e tij kishte hyrë në tender në muajin janar, zotëronte informacione të vlefshme dhe kishte nevojë për një kompani të madhe për të bërë ortakëri. Ajo që të çudit më shumë në këtë histori është fakti se shënimet dhe ftesat që pronari i firmës “Univers PG” i ka bërë presidentit të firmës “Ericsson” gjenden lehtësisht dhe në internet. Këto ftesa të pronarit të firmës shqiptare gjenden kollaj, pasi ai i ka shkruar ofertat e tij jo në një e-mail privat, por në një faqe elektronike ndërkombëtare, e cila shërben si forum për diskutimin e problemeve që kanë përdoruesit e celularëve me aparatet e tyre. Faqja quhet “Fierce Telecom” dhe i mundëson çdo qytetari të planetit që të kritikojë apo të sugjerojë mbi shërbimin e disa markave të caktuara telefonike. Pra, ftesa është bërë në një forum të lirë interaktiv.
Shkurt
Por nuk mbaron me kaq. Në muajin shkurt 2009, pronari i firmës “Univers PG” u ka shkruar në të njëjtën faqe dhe pronarëve të kompanive “Verizon Uireles” dhe “T-Mobile”. Kërkesa ka qenë identike si në rastin e ofertës për firmën “Ericsson” në muajin janar. Në faqen elektronike ku firma “Univers PG” i bëri ftesë kompanisë amerikane “T-Mobile” spikatin edhe disa opinione lexuesish, të cilët shpesh ankohen te pronari i firmës “T-Mobile” se kanë probleme të lidhin telefonin me internetin apo se u bie shpejt bateria! Një muaj më vonë, pasi bëri dhe këto kërkesa, firma “Univers PG” u paraqit në tender me një ofertë prej 5 milionë eurosh, duke pasur si ortake një firmë afrikane të quajtur “Telmar”. Kjo ishte oferta e vetmja pas asaj që bëri konsorciumi i PTK-së në vlerën e 7.2 milionë eurove.
Dritëhijet
Garat për operatorët telefonikë celularë në Shqipëri janë karakterizuar gjithnjë nga një klimë e fortë konkurrence mes kompanive nga më të mëdhatë në botë. Por çuditërisht tenderi për operatorin e 4-t bëri përjashtim. Përveç një konsorciumi me bazë PTK-në e Kosovës, i vetmi ofertues alternativ ishte kjo firmë, me seli në Durrës, e cila u krijua pasi u hap tenderi publik. Ky është një rast i paprecedentë kur një kompani e sapokrijuar synon dhe mundet të hyjë në garë në një terren thellësisht profesional dhe të lakmuar, siç është ai i telefonisë celulare. Për më tepër, kriteret e tenderit publik kërkojnë nga ofertuesit që të kenë disa kritere bazë të padiskutueshme, të cilat fillojnë që nga paraqitja e aktivitetit në katër vitet e fundit të kompanisë e deri te numri i punonjësve të saj. Si mundi firma “Univers PG” të përmbushte këto kritere, ndërsa u krijua vetëm në muajin mars 2009, dy muaj pasi tenderi u hap për herë të parë?

Njoftimi për shtyrjen e tenderit për në muajin shkurt 2009

AUTORITETI I KOMUNIKIMEVE ELEKTRONIKE DHE POSTARE

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), në mbështetje të pikës 6.2, Kreu III të Vendimit Nr. 1252, datë 10.9.2008, të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e rregullave të zhvillimit të tenderit publik, për dhënien e së drejtës së përdorimit të frekuencave”, njofton palët e interesuara se:

- AKEP, bazuar në Vendimin e Këshillit Drejtues të AKEP, VKD nr. 537, datë 21.01.2009, vendosi të shtyje afatin e dorëzimit të ofertave dhe hapjes së ofertave për tenderin publik “Procedurë e Hapur”, me objekt: “Dhënie e një 1 (një) të drejte përdorimi të frekuencave në brezat E-GSM dhe GSM 1800”, Ref. 4-GSM-2008, nga datë 23 janar 2009, ora 10.00 paradite (ora lokale) më 20 shkurt, ora 10.00 paradite (ora lokale).

- Shtyrja e afatit është reflektuar në Dokumentin e Tenderit nga AKEP, nëpërmjet shtimit ne Dokumentin e Tenderit te Shtojca 20: Ndryshimi i Afatit të Dorëzimit/Hapjes së Ofertave.

Tiranë, më 21.01.2009

Vendimi i qeverisë e ktheu garën në prokurim të drejtpërdrejtë

Qeveria shpalli fitues të shfrytëzimit të hapësirës së katërt celulare në vend bashkimin e ofertuesve përfaqësuar nga Posta e Kosovës, edhe pse kjo ishte e vetmja kompani në një tender, i cili, në fakt, dështoi. Ky dështim provohet në relacionin që i bashkëngjitet projektligjit të miratuar më 1 prill në qeveri. Në relacion theksohet se edhe pse pati shumë interes nga kompani të ndryshme për tenderin e licencimit të operatorit të katërt, ditën e tenderit u paraqitën vetëm 2 bashkime ofertuesish, “PTK” me 4 kompanitë shqiptare, si dhe “Universal PG”. Oferta e shpallur nga “Universal PG” u shpall direkt e pavlefshme, pasi nuk plotësoi kushtet për dokumentacionin standard sipas ERT-së. Në këtë rast oferta e “Postë Telekomunikacion Kosova” me 7.2 milionë euro, edhe pse rezultoi më ekonomike, nuk mund të shpallej fituese, pasi sipas procedurave të prokurimit publik dhe rregullave të prokurimit, përcaktohet se një garë është e suksesshme kur numri i ofertave konkurruese duhet të jetë më shumë se numri i frekuencave. Që do të thotë se numri i garuesve duhet te ishte domosdoshmërish 2 ose më tepër kompani.
Në bazë të kësaj rregulloreje, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike, pra Enti Rregullator i Telekomunikacioneve, duhet të shpallte një datë tjetër për konkurrimin.
Por, në rastin konkret, qeveria ka gjetur një tjetër rrugë për të legjitimuar këtë shkelje, atë të dhënies pa tender duke futur në lojë Parlamentin për dhënien në përdorim të frekuencës vetëm për 15 vjet bashkimit të ofertuesve të PTK-ja dhe paraqitjen e kësaj zgjidhjeje në Kuvend për miratim. Qeveria madje i kërkon Kuvendit të vlerësojë shkaqet për këtë zgjidhje. Qeveria argumenton se konsorciumi i shpallur fitues jep ofertën më të mirë për tarifën e bisedës së telefonisë mobile.

22 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›