E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i shkollës “Nobel”, Taçi mori kredi për shkollën, por nuk dihet për çfarë e përdori

Nga Rildo Ngjela

Drejtori dhe njëkohësisht aksioneri i shkollës “Nobel”, Prof. As. Dr. Jetmir Aliçka, sqaron në këtë bisedë skandalin e publikuar në gazetën “TemA” para disa ditësh në lidhje me këtë shkollë. Aksioneri i saj, Rezart Taçi, nën akuzë së fundi edhe pas privatizimit të dyshimtë të kompanisë “ARMO”, është përfshirë dhe në këtë skandal, pasi ka tentuar të marrë një kredi gjigante për këtë shkollë, pa marrë miratimin e aksionerëve dhe pa u ditur qëllimi i përdorimit të atyre parave

Z. Aliçka, para disa ditësh gazeta jonë botoi një shkrim të stafit pedagogjik të shkollës “Nobel” për një konflikt midis tyre dhe presidentit të “Taçi Oil”. A mund të na thoni diçka më tepër rreth asaj që ka ndodhur në këtë shkollë, për faktin se ju keni qenë drejtor dhe njëkohësisht aksioner i saj?

Ndoshta ai shkrim ishte paksa i vonuar, pasi ajo që nuk duhej të ndodhte, ndodhi. Megjithatë, unë nuk do të dëshiroja të personalizoja atë se çfarë ka ndodhur në shkollën “Nobel”, unë do ta konsideroja atë shkrim, si një kambanë që duhet ta dëgjojnë të gjithë shqiptarët. Një kambanë, mesazhi i së cilës besoj se është: “Jo rrallë, biznesi i dyshimtë, jo transparent, po përpiqet të shfrytëzojë pastërtinë dhe hyjninë e shkollës”. Ai shkrim nuk është një lutje, mëshirë apo keqardhje e një grupi mësuesish, që ata mbesin pa rrogë për disa muaj, por ai besoj se duhet të kuptohet më ndryshe. Ai është një reagim qytetar i disa njerëzve me dinjitet e personalitet, që megjithëse përballë një njeriu që është i gatshëm t’iu heqë edhe bukën e gojës së fëmijëve të tyre, kërkojnë të mos cenohet shkolla, edukimi. Megjithëse përballë presionesh të gjithfarëllojshme, këta mësues përpiqen të na sensibilizojnë të gjithëve për rrezikun që po i kanoset tempullit të dijes. Nëse unë do ta kisha shkruar atë shkrim, do ta kisha titulluar: “Zotërinj pasanikë, biznesmenë, parelinj, të pasuruar ndershmërisht ose jo, larg duart nga shkolla, nëse i keni të pista ato!”

Megjithëse ju nuk doni ta personalizoni problemin, por në rastin në fjalë është fakt që ju nuk keni pranuar të firmosni një kredi prej disa miliona eurosh, shkak ky që krijoi edhe konfliktin në shkollën “Nobel”. Pse nuk e firmosët?

Përsëris, se ai ishte një konflikt midis dy mentalitetesh e formimesh krejt të ndryshme, midis filozofisë së edukimit dhe biznesit jo të pastër (minimalisht jo transparent), midis normave e ligjeve dhe arbitraritetit, midis përgjegjshmërisë dhe arrogancës, midis idealizmit, respektit për dijen, artin, shkencën, kulturën dhe pragmatizmit abuziv. Ai ishte dhe mbetet një konflikt midis një komuniteti mësuesish, prindërish dhe nxënësish nga njëra anë, që mbështeten te norma, parime, virtyte qytetarie dhe një individi që nuk i njeh ato. Largohet i gjithë stafi pedagogjik i shkollës (100% e stafit nuk pranuan përsëritjen e kontratës së punës me z. Taçi për vitin shkollor 2008-2009), largohen rreth 60% e nxënësve të shkollës, pra kemi të bëjmë me një konflikt jo të zakonshëm me jo pak pasoja për nxënësit, prindërit dhe mësuesit e kësaj shkolle. Por, me qenë se çdo gjë e pasqaruar do të krijonte alibi e dyshime të paqena, po i përgjigjem pyetjes tuaj.

Unë nuk e firmosa atë kredi, me gjithë presionet e ushtruara ndaj meje, jo vetëm nga personat e interesuar për t’u marrë kjo kredi, por edhe nga banka, e cila ka lëvruar kredinë edhe pa firmën time, për disa arsye: propozimi për firmosjen e procedurave për fillimin e procesit të kredisë erdhi pas disa propozimesh të bëra nga ortaku tjetër, njëkohësisht edhe administratori i shoqërisë, z. Taçi. Këto propozime për mua tingëllonin paksa të dyshimta, pasi nuk kishin të bënin me problemet e zhvillimit e rritjes së shkollës “Nobel”, por me afera biznesi, të cilat unë nuk i pranova dhe nuk është koha për t’i bërë publike; procesi i marrjes së kredisë nuk ishte transparent, pasi, qoftë edhe formalisht, duhej të merrej një vendim asambleje, gjë që nuk u bë asnjëherë; vlera e kredisë së kërkuar ishte shumë e madhe, rreth 3 milionë euro, gjë që edhe sikur shkolla “Nobel” të punonte me kapacitetin e saj të plotë, apo dhe ta dyfishonte këtë kapacitet, përsëri nuk kishte mundësi shlyerjeje; ne, të dy ortakët, për të blerë shkollën dhe për të ndërtuar të gjithë infrastrukturën e nevojshme, jo më shumë se gjashtë muaj më parë kishim marrë një kredi prej 950.000 eurosh nga një bankë tjetër, kredi e cila sipas llogaritjeve të mia ende nuk ishte përdorur plotësisht dhe sapo kishte filluar të shlyhej. Atëherë, pse duhej dhe pse kërkohej një kredi tjetër shumë më e madhe, kur edhe numri i nxënësve të shkollës “Nobel” ishte ende i vogël? Pra, mendimi im, rrjedhojë e dyshimeve të mësipërme, ishte se kjo kredi do ta rrënonte përfundimisht shkollën, pasi mundësitë për shlyerje ishin inekzistente dhe mbivlera fiktive që përftohej nga kjo kredi nuk do të përdorej për shkollën, por për interesa personale.

Por shkolla që të ngrihet e të zhvillohet kërkon investime të mëdha. Mos ndoshta aksioneri kryesor dhe administratori i shoqërisë, z. Taçi, ka dashur të shpenzojë për këtë qëllim?

Përpara se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, do të doja të bëja një parantezë. Që nga momenti kur filloi konflikti dhe deri më sot, kam kërkuar nga zoti Taçi disa herë të më informojë rreth situatës financiare, si dhe kredisë së marrë (në bazë të ligjit mbi shoqëritë tregtare), por ai nuk më ka dhënë asnjë informacion. Dy herë i jam drejtuar me shkrim bankës për të më informuar rreth kredisë së marrë, por përgjigjja e saj qesharake, ndërmjet të tjerash ka qenë: “Duhet të bashkëpunoni me administratorin e shoqërisë”?! Pra, një fshehtësi e çuditshme! Por pse ka frikë banka dhe zoti Taçi të më bëjë transparente kredinë e marrë?

Gjithsesi, sipas informacioneve që unë kam, rezulton se me paratë e marra nga kredia e dytë, përveç shlyerjes së kredisë së parë, paratë e tjera nuk janë përdorur për ndonjë investim, qoftë edhe të vogël për shkollën, të paktën deri në muajin gusht.

Si u arrit që shkolla “Nobel” brenda një viti shkollor të arrinte standarde të larta?

Gjithçka arriti kjo shkollë gjatë një viti shkollor ka qenë kontributi i stafit pedagogjik, nxënësve dhe prindërve të shkollës, të cilët me një pasion e përkushtim të cilësuar arritën standarde tepër të larta në nxënie e mësimdhënie, në arritjet e nxënësve etj. Di të them që unë u angazhova me të gjithë energjitë dhe kohën time të plotë për krijimin, zhvillimin dhe rritjen e kësaj shkolle, pasi ky është profesioni im në jetë, që më bën të ndjehem mirë dhe tepër i dashuruar pas tij.

Angazhimet e vetme të z. Taçi kanë qenë dhe mbeten 4 vizita të bëra gjatë vitit shkollor, që zgjatnin jo më shumë se 10-15 minuta. Gjatë këtyre vizitave, i shoqëruar nga persona të tjerë, diku shqiptarë e diku të huaj, ku ai, ashtu si padashur dhe rastësisht, më bënte propozime absurde, që siç theksova më sipër vetëm me edukimin nuk kishin të bënin dhe që në një kohë tjetër mund të bëhen publike.

Cilat janë marrëdhëniet aktualisht me z. Taçi?

Ekziston vetëm një marrëdhënie, ajo e ballafaqimit në gjykatë.

A nuk mendoni se mund të mbeteni i zhgënjyer ju dhe stafi pedagogjik i shkollës “Nobel” nga ndonjë vendim i gjykatës i ndikuar nga faktorë të tjerë?

Unë i përkas një brezi, që e kemi ndërtuar jetën dhe karrierën tonë mbi ndershmërinë, pasionin, përgjegjshmërinë dhe përkushtimin. Unë e di se presionet mbi ne dhe drejtësinë nuk do të rreshtin. Por kjo nuk na e lëkund besimin për të mbrojtur shkollën, këtë hyjni të të gjitha kohërave, si dhe të drejtën tonë te shteti, tek organet e drejtësisë. Zhgënjimi dhe frika, përballë idealizmit, ndershmërisë, pasionit zbehen dhe shkojnë drejt një madhësie pambarimisht të vogël.

Shpresojmë në takime të tjera për t’u njohur me ecurinë e përballjes tuaj e stafit pedagogjik me z. Taçi.

Shpresojmë të komunikojmë për zhvillime e arritje të reja në forcimin e konsolidimin e arsimit privat, por pse jo edhe për këtë përballje, e cila ngërthen ende shumë informacion të panjohur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›