E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikimi i fëmijëve, qeveria dështon në identifikimin dhe mbrojtjen e tyre

Nga Bledar Lumani

“Qeveria shqiptare ka dështuar në identifikimin dhe mbrojtjen e fëmijëve të trafikuar”. Ka qenë ky konstatimi i koalicionit shqiptar “Bashkë Kundër Trafikimit të Fëmijëve”, i cili ka paraqitur dje një analizë mbi trafikimin e fëmijëve në Shqipëri. Sipas kësaj analize, është shqetësues fakti që shteti nuk ka asnjë statistikë dhe të dhënë për fëmijët e trafikuar, por më shqetësues paraqitet fakti që në trafikimin e fëmijëve janë të përfshirë ata që duhet ta luftojnë këtë fenomen, pikërisht punonjësit e policisë. Nga vitet ‘90 deri në vitin 2000, të dhënat flasin për një ulje të trafikut të fëmijëve, ndërkohë që nga viti 2000 deri më sot, të dhënat tregojnë që trafiku i fëmijëve nuk ka pasur ulje. Ndërkohë, të dhënat e policisë me ato të shoqatave të ndryshme në lidhje me trafikun e fëmijëve paraqesin kontradikta të fuqishme, teksa këto të fundit bëjnë të ditur se vetëm gjatë vitit 2007, janë trafikuar 740 fëmijë nga Shqipëria drejt Greqisë. Por, të dhënat e policisë flasin për një numër shumë herë më të vogël, ku sipas tyre, gjatë vitit të kaluar janë trafikuar vetëm 32 fëmijë në drejtim të Greqisë. Përveç trafikut ndërkombëtar, raporti vë në dukje se është rritur ndjeshëm trafiku i brendshëm i fëmijëve, të cilët përdoren për lypje, vjedhje etj.

Problemi

“Një dorë e shtrirë është një gisht i treguar ndaj qeverisë”. Ndoshta kjo fjali e kryeministrit të vendit, Sali Berisha, tregon më së qarti dështimin e qeverisë në luftën e saj ndaj trafikut të fëmijëve. Kryeministri ka qenë i pranishëm në konferencën e organizuar dje nga BKTF, në lidhje me analizën e trafikimit të fëmijëve shqiptarë përgjatë vitit 2007, ku ka deklaruar se duhet një punë më e madhe nga shteti për parandalimin e këtij fenomeni. Problemi më i diskutuar ka qenë fakti i mosidentifikimit dhe mbrojtjes së fëmijëve të trafikuar nga ana e shtetit, teksa mungojnë gjithashtu edhe të dhënat për fëmijët e trafikuar. Edhe kur ato paraqiten, paraqesin kontradikta të thella mes shifrave të policisë dhe shoqatave të ndryshme. Mjafton të përmendim këtu shifrat e trafikut të fëmijëve shqiptarë në drejtim të Greqisë vitin e kaluar, ku sipas shoqatave “Terres des Hommes” dhe “ARSIS”, rezulton se gjatë vitit 2007 janë trafikuar më shumë se 740 fëmijë. Sakaq, të dhënat e policisë janë shumë herë më të ulëta, ku sipas tyre, përgjatë vitit të kaluar janë trafikuar vetëm 32 fëmijë shqiptarë në drejtim të Greqisë. Sipas BKTF, nga vitet 90 deri në vitin 2001, rezulton të ketë një ulje të numrit të trafikut të fëmijëve. Por, sipas tyre, kjo lidhet më së shumti me faktin se kalimi i paligjshëm i kufirit dhe kontrabanda e qenieve njerëzore, është ulur për shkak të tendencës së emigrimit të shqiptarëve sesa si pasojë e masave të marra nga shteti. BKTF bën të ditur se tendencat e trafikut të fëmijëve që prej vitit 2003 nuk kanë pësuar ulje, madje ato mund të jenë rritur. “Sidoqoftë, për shkak të mungesës së të dhënave të grumbulluara e të përpunuara, si dhe informacionit të detajuar mbi numrin e fëmijëve të trafikuar, është e vështirë të flasësh për shifra të sakta të numrit të fëmijëve të trafikuar”, - thuhet në raportin e BKTF. Ndërkohë, përveç trafikut ndërkombëtar të fëmijëve, bëhet e ditur se ka pasur një rritje të ndjeshme edhe të trafikut të brendshëm të fëmijëve, të cilët përdoren për vjedhje, lypje, prostitucion etj.

Rrugët e trafikut

Raporti i koalicionit shqiptar “Bashkë Kundër Trafikimit të Fëmijëve”, thekson se Shqipëria cilësohet ende si një vend origjine për trafikun e fëmijëve, megjithëse nuk konsiderohet më si vend tranzicioni apo destinacioni. Sipas këtij raporti, rrugët e trafikut të paligjshëm të fëmijëve janë Shqipëri-ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë-Greqi, me synim vendet e tjera të Evropës Perëndimore; Shqipëri-Mal i Zi-Serbi-Slloveni-Itali; Shqipëri-Kosovë-Kroaci-Slloveni, me destinacion përfundimtar vendet e Evropës Perëndimore, si dhe Shqipëri-Greqi-Itali. Sakaq, rrugët detare nuk janë më në destinacion të trafikut të fëmijëve, që prej vendimit të qeverisë, e cila miratoi moratorium kundër përdorimit të skafeve, që ishte dhe mjeti kryesor në trafikun e qenieve njerëzore, dhe tashmë si rrugë e vetme e trafikut mbetet ai tokësor. Ndërkohë, BKTF bën të ditur se trafikimi ndërkombëtar i fëmijëve shoqërohet më pas edhe me trafikimin kombëtar, ku të dhënat e mëparshme tregojnë se 1/3 e fëmijëve të trafikuar, ri-trafikohen. Nga statistikat, rezulton se numri më i madh i fëmijëve të trafikuar i përket komunitetit rom. Kjo vjen si pasojë e varfërisë së tyre të thellë, por edhe të analfabetizmit, ku bëhet e ditur se 64% e romëve deri në moshën 20 vjeç nuk dinë shkrim dhe këndim. Vendet fqinje, Kosova, Greqia, Italia dhe Maqedonia, janë edhe shtetet ku përfundon numri më i madh i fëmijëve shqiptarë të trafikuar, kjo edhe si pasojë e lehtësisë më të madhe për të hyrë në këto vende.

Policia, e përfshirë në trafik

Ata që duhet të jenë edhe luftuesit më të mëdhenj të trafikut të fëmijëve, pra uniformat blu të policisë, në fakt janë më të inkriminuarit në trafikun e këtyre të fundit. Kështu, për sa i përket ndjekjes penale të trafikantëve, sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit të kaluar, Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, ka shkatërruar dy rrjete të trafikut të fëmijëve, mes të cilëve ka pasur edhe punonjës policie. Gjatë qershorit të vitit të kaluar, u arrestuan 9 persona si pjesë e një grupi të organizuar të trafikut të fëmijëve drejt Greqisë, mes të cilëve 4 kanë qenë punonjës policie, teksa pas hetimeve rezultoi që në këtë rrjet të ishin përfshirë 35 persona, 15 prej të cilëve punonjës policie. Një muaj më pas u arrestua një tjetër grup trafikantësh të fëmijëve, ku nga 11 të prangosurit, 6 kanë qenë punonjës policie. Ndërkohë, shifrat zyrtare të trafikimit të fëmijëve nga ana e policisë janë qesharake, duke qenë se sipas tyre, përgjatë vitit 2005 janë trafikuar vetëm 7 fëmijë, një vit më vonë 4 dhe vitin e kaluar vetëm tre fëmijë, ndërsa gjatë këtyre tre viteve, si trafikantë janë arrestuar vetëm 12 persona. Sipas BKTF, këto të dhëna janë shqetësuese, në radhë të parë për pjesëmarrjen e lartë të punonjësve të policisë në trafikun e fëmijëve, dhe në radhë të dytë për fshehjen e numrit real të trafikuar nga ana e policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›