E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallje e vonuar e fitores ndaj fraksionit “Topi”

Nga Mero Baze

Kryeministri, Sali Berisha, arriti të prodhonte dje pas një intervistë të gjatë disaorëshe vetëm një lajm, atë që kishte të bënte me shpartallimin e fraksionit “Topi” si pakicë bllokuese brenda PD, në rastin e ndryshimeve kushtetuese. Pasi arriti të shpëtojë pa u prekur nga çështja ‘Gërdeci,’ për shkak të interesit të papritur në sallë “për aksidentet rrugore dhe moskthimin e pronave” që kishin të ftuarit në studio, ai, edhe pa e pyetur njeri, arriti të tregojë një dimension të qartë të konfliktit të brendshëm në PD. Deklarata e tij se përpjekja për një pakicë bllokuese brenda PD me rastin e ndryshimeve kushtetuese mori një përgjigje të merituar, është një deklaratë e sinqertë dhe shumë e rëndësishme. Është e para herë që kryeministri Berisha pranon një betejë brenda PD me ata që quhen mbështetës të presidentit Topi. Dhe këtë betejë e pranon tashmë që e konsideron të fituar. Kjo deklaratë bëhet dhe më e rëndësishme, pasi konflikti bëhet publik, kur fuqia e atyre që ai i ka asgjësuar me negociata, tashmë është zero. Kjo i fyen dyfish ata që tashmë Berisha i ka në mendje si mbështetës të zotit Topi në PD. Ata tani nuk kanë më asnjë fuqi për t’u zemëruar dhe as për ta kundërshtuar. Ata thjesht duhet të heshtin dhe të shpresojnë se ai do t’i fusë në listën e kandidatëve për deputetë.

Po përse e bën tashmë publike zoti Berisha këtë krizë që të gjithë ia kemi treguar me gisht kur ishte gjallë?

Arsyeja duket se nuk qëndron tek evokimi i një konflikti të vdekur, por një historie të re që ka nisur tashmë mes tij dhe presidentit, Bamir Topi. Beteja e tij e re me presidentin, Bamir Topi, janë institucionet e pavarura. Ata kanë hyrë në një konflikt të qartë për Prokurorinë e Përgjithshme, Gjykatën e Lartë, KLD dhe reformën në drejtësi në tërësi. Beteja e tyre publike është e qartë dhe pa shumë nëntekste. Por ndryshe nga çdo konflikt tjetër mes tyre, kjo është një betejë që fajëson në opinion publik Sali Berishën. Përveç dyshimeve ndërkombëtare, që janë shumë të forta, zoti Berisha mbart mbi shpinë dhe dyshimet e besueshme të mbështetësve të tij. Zoti Topi është presidenti i dytë radhazi, dhe zonja Rama është kryeprokurorja e dytë radhazi që zoti Berisha i zgjedh vetë dhe i shpall vetë armiq pa mbushur viti. Për këtë arsye ai po përpiqet të prodhojë një histori me konfliktin e tij me Bamir Topin. Ai po përpiqet të tregojë para mbështetësve të tij se konflikti i tij me Bamir Topin i ka rrënjët realisht te përpjekja e Bamir Topit për t’i ndërhyrë atij brenda partisë dhe për t’i krijuar një pakicë bllokuese. Duke folur si triumfator për “shpartallimin e fraksionit “Topi”, ai në fakt është duke prodhuar një biografi të betejës që ka nisur kundër presidentit. Ai po kërkon një arsye që nuk ka lidhje me synimin e tij real, që është futja nën kontroll e institucioneve të pavarura. Duke gjetur një alibi për konfliktin me Bamir Topin, ai kërkon të shpjegojë në këtë mënyrë konfliktet që ka hapur me vetëdije kundër Prokurorisë së Përgjithshme, KLD dhe drejtësisë në tërësi, me qëllim që të amortizojë kritikat që vijnë nga brenda dhe jashtë.

Së dyti, zbulimi i papritur i një konflikti mes tij dhe Topit për opinionin publik është dhe një mënyrë e re për të shmangur vëmendjen nga krizat e tjera reale që ai ka brenda qeverisjes dhe shumicës parlamentare. Kriza e tij me mbështetësit e Bamir Topit ka mbaruar ditën që ai i gënjeu ata siç e meritonin të gënjeheshin, për ndryshimet kushtetuese. Pas asaj dite në grupin parlamentar të PD nuk mund të flitet më për mbështetës të zotit Topi. Çdo i tillë është thjesht një ish në PD. Zoti Berisha po e ringjall këtë histori tashmë që ajo s’ka më asnjë vlerë dhe asnjë rëndësi dhe për zotin Topi. Ai nuk ka më asnjë interes të merret me pakica brenda PD, pasi nuk i hyjnë në punë për asgjë. Nëse zoti Topi shikon në horizont një rikthim te PD në vitin 2012, kur të ikë nga Presidenca, ai ka kohën e duhur dhe pushtetin e duhur për të prodhuar një garniturë të tij, të cilën mund t’ia ofrojë PD për të konkurruar një Berishë të moshuar, të dërrmuar nga skandalet financiare të familjes së tij dhe marrëzitë e tjera politike. Zoti Topi ka në këtë rast në favor kohën, dhe pushtetin e tij aktual. Zoti Berisha për fat të keq të tij, ka kundër të tashmen dhe të nesërmen. Atij i duhen arsye t’u shpjegojë njerëzve vazhdimisht konfliktet e tij dhe pikërisht për këtë po i lind nevoja të bëhet “transparent” dhe të dëshmojë për komplotin “Topi”, kur atë e ka harruar dhe vetë zoti Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›