Zëvendësministri i Nanos emërohet ministër në kabinetin ‘Berisha’
Anastas Duro, i cili tani e tutje do të drejtojë Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, është paditur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për abuzime në tendera. Lajmi është publikuar kohë më parë në media. Emri i tij është dërguar në prokurori pas largimit të tij nga kjo detyrë
Një ish-zëvendësministër i qeverive socialiste për disa vjet tanimë do të drejtojë Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. Anastas Duro, ish -zëvendësministër i Drejtësisë gjatë vitit 2004- 2005, do të zërë vendin e lënë bosh pas shkarkimit nga kjo detyrë të ministrit Kosta Barka, i cili nuk mundi ta mbyllë mandatin katërvjeçar, pasi kishte mosmarrëveshje me kryetarin e PBDNJ, Vangjel Dule. Por, megjithëse i preferuari i Dules ishte Andrea Marto, sërish Berisha duket se ka përzgjedhur nga radhët e PBDNJ Anastas Duron, i cili për një vit ka mbajtur postin e zëvendësministrit të Drejtësisë në qeverinë ‘Nano’. Kandidaturë e cila është dekretuar dje nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi.
Divergjencat mes Dules dhe Kosta Barkës nisën pas shkarkimit të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punës, Andrea Marto, gjë e cila ka ngjallur dhe zemërimin e kryetarit të PBDNJ, Dule. Ky i fundit kërkoi menjëherë shkarkimin e Kosta Barkës, me të drejtën që i jep të qenit në aleancë me mazhorancën dhe zëvendësimin e tij pikërisht me Andrea Marton, i cili, sipas Barkës, ishte shkarkuar me motivacionin “Shkelje e disiplinës në punë”, një motivacion ky pak i besueshëm po të kemi parasysh funksionimin e administratës tonë. Por Berisha, mes Martos dhe Duros, ka preferuar ish- zëvendësministrin e Nanos, i cili veç të tjerave ka dhe një karrierë të gjatë si ish- prokuror në kohën e diktaturës.
Anastas Duro ka lindur më 29 prill të vitit 1953, në Gjirokastër. Ai është diplomuar në Fakultetin Juridik në Tiranë në vitin 1977 dhe deri në vitin 1995 ka punuar si prokuror dhe avokat në Gjirokastër dhe Mat. Z. Duro e ka ushtruar profesionin e avokatit deri në vitin 2004. Në periudhën janar 2004-shtator 2005, ka qenë zv/ministër i Drejtësisë. Rikthehet në kabinetin qeveritar në vitin 2008, në postin e Ministrit të Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, post të cilin PBDNJ e gëzon pas zgjedhjeve të vitit 2005. PBDNJ për vetë elektoratin që përfaqëson, i jep të drejtën vetes të jetë pjesë e çdo qeverie, pra bën gjithmonë koalicion me partinë fituese në zgjedhje.