E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Topi mori përgjigje të merituar nga PD

Nga Opinion

Kryeministri Sali Berisha, i pranishëm dje në emisionin Opinion në TV Klan komentoi disa nga çështjet më të rëndësishme të momentit.

Berisha për herë të parë pranoi se ka pasur një tentativë nga ana e presidentit dhe një grupimi pranë tij, brenda PD, për të bllokuar ndryshimet kushtetuese, por sipas tij kjo ishte një tentativë që mori përgjigjen e merituar.

Kryeministri Berisha duke folur për Gërdecin, mbrojti tezën e tij të mëparshme se ai nuk ka pasur asnjë dijeni në lidhje me Gërdecin dhe aktivitetet aty. Kryeministri nuk sqaroi qartë se pse nuk kishte dijeni në lidhje me një aktivitet civil. Berisha tha se kishte përgjegjës konkretë për këtë çështje, që nuk janë ushtarakë dhe që kanë marrë përgjegjësitë e tyre. Ai nuk e detajoi se kush ishin këta persona ose drejtues.

Kryeministri ka folur në lidhje me çështjen e pronave, duke e lidhur atë me ligjin e iniciuar prej tij, 7501. Kryeministri tha se problemi qëndron tek falsifikimet e shumta që janë bërë për 15 vite në këtë drejtim.

Berisha nuk pranoi të kërkojë falje në lidhje me sulmin verbal ndaj deputetit socialist, Taulant Balla, të cilit i fyeu nënën dhe motrën dhe e kërcënoi me vdekje. Berisha tha se çdo provokatori do i përgjigjej ashtu.

Kryeministri Sali Berisha premtoi se do ketë lehtësira fiskale për universitetet private, duke deklaruar se ato do kalojnë shumë shpejt për nga cilësia universitetet publike.

Berisha mori përsipër meritat për anëtarësim në NATO, duke deklaruar se qeveria e tij ishte ajo që po sillte anëtarësimin në NATO.

I pyetur në lidhje me skandalin e ilaçeve, të denoncuar nga ministrja më e re e qeverisë, e cila deklaroi se ISKSH është e përfshirë në rritjen fiktive të çmimit të medikamenteve, Berisha shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë por tha se shëndetësia është një problem i madh, dhe se shumë shpejt do jetë funksionale skema e sigurimeve alternative shëndetësore.

Duke folur në lidhje me marrëdhëniet me opozitën, fillimisht Berisha i quajti ata lejfenë, duke u shprehur se nuk e di kush drejton në opozitë, por më pas hodhi poshtë vetë këtë tezë të tij kur tha se ai duhet të negociojë me partinë më të madhe dhe kryetarin e saj.

Edhe pse kanë realizuar një pjesë të votimeve në Kuvend për çështje të rëndësishme bashkë, Berisha tha se Rama është një njeri më të cilin nuk komunikohet. Berisha tha se çdo delegacion që vjen në Shqipëri, ai e drejton për takime me Ramën, por ky i fundit bën skandale. Kryeministri përmendi një rast të freskët kur kryetari i PS kishte nxjerrë para një delegacioni të huaj disa breshka. Ai ishte shprehur para tyre se një nga ato breshka ishte Berisha dhe tjetra Nano.

Kryeministri Berisha u shpreh se vendi nuk rrezikohet nga kriza financiare dhe deklaroi se risqet për fushatën zgjedhore do i merrte vetë.

Berisha tha se fëmijët e tij janë besimtarë, dhe këtë e kanë trashëgimi nga gjyshi i tyre. Ai tha se edhe vetë është besimtar, por jo praktikant.

Duke iu referuar numrit të tij të telefonit ku denoncohet korrupsioni, Berisha tha se i vijnë mesazhe çdo sekondë, dhe deklaroi se shumë prej atyre që janë para bankës së drejtësisë janë denoncuar nga qytetarët.

Berisha tha se e ka dhënë këtë numër sepse ai përfaqëson institucionin qendror në vend dhe se kjo shton besimin tek institucionet e tjera.

Berisha pranoi se merret për një kohë të gjatë me telefonin dhe mesazhet që i vijnë atij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›