E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali i skandaleve

Një mysafir i mërzitshëm është ulur këmbëkryq në gazetarinë shqiptare: skandali. “I mituri në qeli me të rriturit”, “QSUT-ja paguan qera për pronën e saj”, “asnjë ministër nuk shoqëron Presidentin Topi në Itali”, “noterja e Fazlliçit pa licensë”, “policët rrezikojnë jetën e një të sëmuri”, “dosjet e UDB-së humbin në Shqipëri”, “Berisha e quan 97-ën rebelim komunist”, “poeti trafikon drogë në Itali”, “deputetët në parlament shahen me fjalë të ndyra”, “në ARMO mungojnë 100 milionë dollarë”... Secila palë në betejat politike ka skandalet e veta për t’ia derdhur publikut në vesh me megafon. Skandale që, si rregull, ndjekin të njëjtën skemë për t’u përftuar: nisen nga një veprimtari sekrete, që zakonisht ka të bëjë me pastrim parash, korrupsion në sfera të larta, situata seksuale ose komprometuese të figurave të njohura, dosje ose regjistrime komprometuese, mashtrime ditën për diell, shitblerje prokurimesh publike; vazhdojnë me aktin gazetaresk të zbulimit, shpesh në bazë të një thashethemi të pjesshëm ose akuze të pambështetur mirë, ose një hetimi të kryer shkeleshko e përgjysmë; përfundojnë me pozicionim ultramoral, rregullisht pompoz, prej shkruesi të kamotshëm fletërrufesh.

E pasqyruar nëpërmjet mediave, kronika e jetës e vendit, jo vetëm në sferat e politikës, vjen e reduktohet në një varg skandalesh të njëpasnjëshme që zëvendësojnë njëri-tjetrin monotonisht në titujt kryesorë: skandali me farat e patateve, skandali i misrit shterpë, skandali i vajit të ndotur, skandali i intervistës së Nexhmijes, skandali me lejet e eksplozivëve, skandali i qumështit me melaninë, skandali i pesticideve të skaduara. Disa nga këto skandale janë të mëdha e të rënda, si Gërdeci; të tjera më tepër të denja për tabloidet, si pedofilia në qendrën bamirëse ose videoja e një balerine cullak. Përndryshe asgjë e denjë për t’u njoftuar nuk i shpëton dot etiketimit si skandal: armët që iu shitën Afganistanit, tokat në Porto Romano, traversat kancerogjene, ndërrimi i emrit të universitetit të Vlorës, kartat e identitetit, pronat në bregdet, vagonët e hekurudhave me amiant, tekstet e historisë, varrezat e Kosinës, tenderat e ilaçeve.

Çfarë është skandali atëherë? Shenjë e suksesit, apo e dështimit të një ndërmarrjeje çfarëdo? Ku janë paratë, ku janë kusarët, ku janë provat? Ngjarjet nuk kanë kohë të materializohen mirë, pse digjen si llampa magnezi në edicionet e lajmeve, pa i lënë publikut kohë as të kapsallitet. Ky publik tashmë i topitur nga decibelët e zhurmës, ka nevojë për ndihmë në interpretim: meqë thjesht raportimi i lajmit nuk mjafton, atëherë ky raportim duhet shoqëruar me një fjalë kyç, ose një etiketë identifikuese. Të thuash se “fshatarëve u janë dhënë pesticide të skaduara”, do të thotë t’ia lësh publikut të gjykojë domethënien e lajmit dhe të nxjerrë përfundime përkatëse; përkundrazi, të thuash “skandali i pesticideve të skaduara” do të thotë t’ia japësh publikut të gatshëm në tabaka jo vetëm lajmin, por edhe modelin ose komandën e reagimit emocional përkatës.

Mediat thurin rrëfenjën e së përditshmes, idealisht nga pikëpamja e publikut, por praktikisht duke e përftuar këtë publik nëpërmjet përsëritjes, tejngopjes me informacion dhe toneve retorike ose didaktike. Teksa njoftimet për skandale vijnë e shndërrohen në mallra të konsumit mediatik, publiku vjen duke e humbur ndjeshmërinë morale ndaj bëmës skandaloze në vetvete. Të thuash “skandali i radhës” nuk mjafton; që këtej, nevoja për retorikë të tipit “skandal i ri”, “skandal i paparë”, “skandal i pashembullt” dhe kështu me radhë, duke shëtitur nëpër visaret mbiemërore të shqipes. Nëse palët politike ia vërvitin këto vezë të prishura në fytyrë njëra-tjetrës, mediat përfitojnë nga rasti për t’ia shitur publikut, duke supozuar se, veç skandaleve, nuk ka mbetur gjë tjetër për t’u raportuar.

Shumëkush ka tërhequr vëmendjen për mungesën e gazetarisë së mirëfilltë hetimore (investigative) në Shqipëri, edhe pse kohët e fundit ka pasur disa arritje të shënueshme në këtë drejtim. Për vetë natyrën që ka, gazetaria hetimore kërkon mbështetje ligjore dhe publike, meqë gazetarët që kuturisen në skutat e errëta ku mplekset pushteti me krimin, shpesh e vënë kokën në rrezik dhe kanë nevojë për mbrojtje energjike dhe bashkëpunim të juristëve, institucioneve të shoqërisë civile dhe OJQ-ve që merren me mediat. Nga ana tjetër, përvoja e vendeve perëndimore të zhvilluara tregon se forca e gazetarisë hetimore të suksesshme është e tillë, që mund të sjellë ndryshime rrënjësore në etikën e pushtetit dhe në tejdukshmërinë e proceseve politike.

Tani, çfarë heton kjo lloj gazetarie, janë skandalet e mirëfillta – të tilla si i mirënjohuri Watergate në SHBA; ku gazetari shndërrohet, praktikisht, në detektiv publik që vihet heroikisht në gjurmë të krimeve, mashtrimeve dhe korrupsionit; i ndihmuar edhe nga njerëz në dijeni intime të çështjeve, që janë gati të flasin, të shtyrë nga skrupuj qytetarë, ose motive të tjera herë fisnike e herë më pak fisnike: të ashtuquajturit whistleblowers (shqipja “burime” tingëllon disi prozaike, pse i mungon forca e imazhit të kujt guxon t’i fryjë bilbilit në varrezat e moralitetit publik). Kështu e quajtën, whistleblower, mediat amerikane Kosta Trebickën tani së fundi, meqë dëshmitë e tij, në mediat dhe në hetuesi, prekën aspekte sa delikate aq edhe rrënjësore të mënyrës si ishte organizuar dhe si funksiononte tregtia me jashtë e armëve dhe e municioneve të vjetra të ushtrisë shqiptare.

Gazetaria që merret me skandale të tilla të mirëfillta, vetvetiu ecën në shina paralele me organet e ruajtjes së rendit; meqë të dyja palët orientohen nga ligjshmëria dhe synojnë të mbrojnë, në thelb, interesat e publikut. Mirëpo gazetarët nuk zotërojnë as armë, as uniforma, as urdhra arresti; të kërcënuar, nuk janë të autorizuar të ushtrojnë dhunë ndaj kundërshtarëve. E vetmja mënyrë që kanë për t’u mbrojtur, është besueshmëria që gëzojnë në publik, ose profili i tyre etik i lartë, qytetar dhe i pavarur.

Për fat të keq, në Shqipërinë e këtyre njëzet vjetëve të fundit, skandalet e njëpasnjëshme nuk kanë qenë veçse maja e një ajsbergu, i cili përndryshe fshihet më së shumti në hapësirën e nënujshme të sekretit të bashkëfajësisë, të shantazhit dhe të kundërshantazhit. Kërcënime për bërje publike dokumentesh ose provash të tjera komprometuese janë dëgjuar tashmë edhe në nivelet më të larta të dialogut institucional; çka tregon se, në shumë raste, skandalet e përcjella prej mediave nuk janë veçse mbeturina shantazhesh të dështuara, ose sekretesh që nuk u përdorën dot.

A është zhvlerësuar tashmë skandali, si monedhë e qarkullimit të informacionit në mediat e Tiranës? Ndoshta, por veçanërisht sa kohë që bëmat e ndryshme, gafat, mashtrimet dhe krimet, përcillen të etiketuara si “skandale”, nga media që nuk kanë aq për qëllim të informojnë, sesa të dëmtojnë kundërshtarët e tyre. Në raste të tilla, përmbajtja e sulmeve është gjithnjë e tillë që të duket sikur duhet të çojë në ndjekje penale të të akuzuarve; por në të vërtetë vetëm sa ua nxin faqen, ose ua njollos reputacionin, madje edhe kur sulmet janë menduar më tepër si paralajmërime të llojit mafioz.

Nuk është lehtë të gjendet nëse një kulturë e tillë ka kaluar nga politika në mediat, apo nga mediat në politikë; apo nëse i përket një antropologjie të konfliktit që ka pëfunduar e pasqyruar edhe në media, edhe në politikë. Gjithsesi, breshëritë e akuzave parakuptojnë një sistem të tillë barok të etikës shoqërore dhe politike, i cili nuk mund të ekzistojë, sidomos sa kohë që vetë skandalistika e mediave tregon një shpërfillje në vetvete të papranueshme ndaj vërtetësisë si kriter etik të dhënies së informacionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›