E Diel, 1 Nëntor 2026

Një nyje gordiane që na mban peng

Nga Mero Baze

Gjykata e Lartë kompletoi dje procedurën për të shpallur të pafajshëm Ilir Metën, i cili është akuzuar nga ish Ministri Dritan Prifti për ndërhyrje flagrante me qëllim përfitimi në disa sektorë të qeverisjes së vendit. Gjykata e Lartë, pasi ka eliminuar nga gjykimi provën kryesore të këtij denoncimi, që është dëshmia e Dritan Priftit, filloi dhe procesin e eliminimit të faktit mbështetës të Dritan Priftit, që është kaseta e regjistruar prej tij gjatë bisedës, e ekspertuar nga ekspertë amerikan dhe anglez, që konfirmojnë autenticitetin e saj. Tashmë ky proces u banalizua pasi Gjykata vendosi të besojë më shumë se ekspertët amerikan dhe anglez, ekspertët e një universiteti privat në Tiranë, i cili ka prodhuar më shumë barsoleta për arsimin se sa diploma, edhe pse këto të fundit i shet me lek.

Nuk dua të merremi më me këtë histori, por desha të ndalem tek fakti përse Sali Berisha nuk e lëshon Ilir Metën, por po investohet për shkatërrimin përfundimtar të drejtësisë?

Arsyeja themelore edhe këtu mbetet mosinkurajimi i drejtësisë për të prekur njerëzit e tij në pushtet. Ashtu si në rastin Basha dhe Mediu, Berisha është i vendosur që askush tjetër të mos ëndërrojë në këtë vend se mund të prekë dikë nga të tijtë. Ky qëndrim i tij është gati- gati doktrinar në gjithë politikën e tij në raport me drejtësinë. Është provuar qartë, sidomos tri vitet e fundit, se për të mbrojtur djalin nga historia e Gërdecit ai u shpalli luftë gjithë institucioneve, për të mbrojtur Bashën vuri nën thundër Gjykatën e Lartë, për të mbrojtur gardistët që vranë me urdhër të tij, shkeli Kushtetutën dhe nuk i dorëzoi, ndërsa për të mbrojtur Ilir Metën është gati të investohet në çdo segment të procesit. Kultura e shefit të bandës udhëheq gjithë sjelljen politike të tij gjatë këtij procesi. Ai e përjeton si humbje të rëndë të pushtetit të tij nëse drejtësia ndëshkon dikë nga të vetët për krimet e bëra.

Arsyeja e dytë është politike. Dje u shpallën rezultatet e zgjedhjeve dhe Sali Berisha me partinë e tij është rreth 100 e ca mijë vota mbrapa Partisë Socialiste. Pra, është parti e dytë në vend me diferencë të madhe nga partia e parë. Pa Ilir Metën ai, jo vetëm që është i rrëzuar nga pushteti, por dhe në një spirale të pashpresë për të rimarrë ndonjë herë pushtetin në këtë vend. Investimi i tij për të ruajtur Ilir Metën jashtë burgut, është në të vërtetë investim për të mbajtur veten dhe familjen e tij jashtë burgut. Nëse ai dorëzon Ilir Metën, ai ka dorëzuar koalicionin me të dhe si rrjedhojë pushtetin, dhe një Berishë në opozitë e ka të pamundur ta shmangë djalin nga drejtësia, dhe familjen në pushtet nga përballja me atë që kanë bërë para drejtësisë. Ilir Meta nuk ikën i vetëm. Ai i merr të gjithë me vete, ndaj dhe Berisha nuk e lëshon atë me asnjë çmim.

Një arsye tjetër përse Berisha po investohet për të shkatërruar këtë proces është dhe vetë fabula e procesit. Zemërimi popullor që ngjalli shfaqja publike e Ilir Metës duke bërë pazare prej miliona eurosh për disa minuta, u reflektua dy javë më pas në protestën e 21 janarit ku Sali Berisha dhe Lulëzim Basha urdhëruan vrasje të qytetarëve paqësorë. Ky është një proces, i cili gjykon jo thjeshtë një çështje korrupsioni, që shkakton pasurim të një pushtetari, por një proces që gjykon një aferë korrupsioni, e cila shkaktoi vrasje. Kjo është historia kur ky pushtet ka vrarë për të mbuluar vjedhjen dhe zemërimin që ngjall ajo në popull. Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës i është dashur të vrasin 4 vetë për tu treguar shqiptarëve se nuk mund të protestojnë kur një ministër vjedh.

Përtej këtyre arsyeve të forta, gjykimi dhe dënimi i mundshëm i Ilir Metës, do të çlironte energji të reja në shoqëri, të cilat do çmontonin pushtetin e Berishës jashtë dëshirës së tij. Përfytyroni sikur Ilir Meta dhe Sali Berisha ta linin të lirë drejtësinë, atëherë gjyqtaria Fullani do të votonte për dënimin e tij dhe atëherë qeveria nuk do ishte e detyruar të zgjidhte guvernator burrin e saj, dhe atëherë ne nuk do ishim në krizë për shkak të një drejtimi gastronomik të Bankës Qendrore. Përfytyroni sikur Ilir Meta dhe Sali Berisha ta linin të lirë drejtësinë, atëherë nën shembullin e Metës drejtësia do rihapte çështjen Durrës- Kukës pas fakteve të reja dhe Lulëzim Basha do të ishte para drejtësisë. Kësaj çështje mund ti bashkohej dhe vrasja prej tij e katër qytetarëve më 21 janar dhe ky njeri mund të merrte dy dënime të përjetshme me aq dëme sa ka bërë. Përfytyroni sikur Ilir Meta dhe Sali Berisha ta linin të lirë drejtësinë, ajo do të rihapte çështjen e Gërdecit dhe Fatmir Mediu me Shkëlzen Berishën do të ishin para drejtësisë. Faktet e  fundit që publikoi Wikileaks mjaftojnë që ata të shkojnë në bankën e të akuzuarve. Përfytyroni sikur Ilir Meta dhe Sali Berisha ta linin të lirë drejtësinë, atëherë prokurorët do të thërrasin Agron Kuliçin, do ta ballafaqojnë me përgjimet e telefonave që ata kanë për kapjen e shtetit dhe ai do të ballafaqohej me drejtësinë, në vend që të kërcënojë eprorin e tij të mbyllë gojën. Pra, sikur Ilir Meta dhe Sali Berisha ta linin të lirë drejtësinë, ne sot nuk do kishim as Gërdec, as 21 Janar, as vjedhje në rrugën Rrëshen- Kalimash, as kapje të shtetit nga bota e krimit përmes njerëzve të Berishës, as përfshirje të të birit të tij në tregti armësh, asgjë nga ato që na bëjnë sot një shtet mafioz. Është e frikshme se si sot njerëz të Ilir Metës dhe Sali Berishës po plaçkisin dhe hekurat e ndryshkur të Shqipërisë për të futur milionat e fundit në xhepat e tyre dhe gjithë shoqëria është e pafuqishme ti ndalë. I gjithë ky imazh si shtet i kapur nga krimi dhe mafia bie në momentin që çlirohet kjo nyje gordiane. Ata nuk mund të bëjnë tani asnjë  hap mbas, pasi kush vret për të mbuluar vjedhjen, duhet të vjedhë për të mbuluar vrasjet.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›