Skandali i tokave, zgjerohet harta e hetimeve
TIRANË- Prokuroria zgjeron hetimet për skandalin e tokave në rrethinat e Tiranës, pas zbardhjes së abuzimeve në komunat e Kasharit, Farkës, Dajtit dhe Petrelës. Vetëm pak muaj pas zbardhjes së abuzimeve me pronat në komunën Kashar dhe hetimet e filluara ndaj zyrtarëve të komunës Farkë, Dajt dhe Petrelë, njësia e Task-Forcës ka marrë denoncimet e para të banorëve të komunës së Baldushkut, të cilët denoncojnë drejtuesit e komunës së tyre për tjetërsimin e pronave. Sipas burimeve pranë organit të akuzës, mësohet se vetëm pak ditë pas publikimit të lajmit se prokuroria e kryeqytetit ka gati fletë-arrestet për 11 zyrtarë të komunave të Farkës, Dajtit dhe Petrelës janë “zgjuar” banorët e zonës së Baldushkut, duke denoncuar ish-zyrtarët dhe drejtuesit e kësaj komune. “Prokuroria e Tiranës, konkretisht njësia e task-forcës së krimit ekonomik ka pranuar brenda një javë 6 denoncime të banorëve të komunës së Baldushkut, të cilët denoncojnë zyrtarët e kësaj komune për tjetërsim e pronave të tyre dhe dhënien nën shfrytëzim personave që nuk janë dhe nuk kanë qenë ndonjëherë banorë të kësaj komune”,-thanë burimet e akuzës.
***
Sipas hetuesve, këto kallëzime kanë filluar të verifikohen dhe është regjistruar procedimin penal me të dyshuar disa ish-zyrtarë dhe drejtues të kësaj komune me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”; “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “vjedhjes së pronave më anë të falsifikimit të dokumenteve”, në bashkëpunim me zyrtarë të Hipotekës së kryeqytetit. Sipas prokurorisë, komuna e Baldushkut ndodhet në drejtimin jugor të qytetit të Tiranës, në një distancë rreth 20 km larg tij dhe në përbërje të kësaj komune përfshihen 13 fshatra, tokat e të cilëve dyshohet se janë tjetërsuar. Hetimet për këtë dosje sapo kanë nisur dhe gjatë ditëve në vazhdim prokurori i çështjes pritet të pranojë nga banorët e kësaj komune denoncime të reja, pasi mendohet se në këtë komunë është abuzuar me ndarjen e tokave. Ndërkaq, burimet e prokurorisë konfirmuan për “Shekullin” se pas publikimit të lajmit për hetimet ndaj zyrtarëve të komunës së Farkës, Dajtit dhe Petrelës, banorë të tjerë të këtyre zonave i janë drejtuar organit të akuzës për të kryer denoncimet për vjedhjen e pronave apo dhënien e këtyre tokave në shfrytëzim, personave të tjerë, të panjohur prej tyre.
***
Fluksi i kallëzimeve, në të shumtën e rasteve ka të bëjë me problemin e mbivendosjes së tokave nga drejtuesit e komunës ku ata banojnë, në bashkëpunim me zyrtarët e Hipotekës së kryeqytetit dhe asaj qendrore. “Brenda një jave, pranë zyrave të Prokurorisë së kryeqytetit janë depozituar rreth 20 kallëzime nga banorë të ndryshëm të komunës Farkë, Dajti dhe Petrelë, të cilët denoncojnë abuzimet e zyrtarëve të komunës ku ata banojnë për tjetërsim prone apo ndarje të tokës në bazë të njohjeve familjare”-thuhet nga burimet. Mësohet se hetimet për zyrtarët e këtyre komunave tashmë janë në përfundim e sipër, ku 11 nga zyrtarët dhe ish-zyrtarët e komunës Farkë, Dajt dhe Petrelë janë përfshirë në bashkëpunim me punonjësit e zyrës së Hipotekës në Tiranë.
RAPORTI
KLSH: Shkelje të rënda me tokat
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka hasur shkelje të rënda ligjore, gjatë inspektimit të procedurave të dhënies në shfrytëzim të pronave në fshatrat e Tiranës. Sipas KLSH-së, abuzimet janë kryer nga zyrtarët e Komunës Farkë, Dajt e Petrelë. Pas evidentimit të këtyre rasteve, KLSH-ja ka rekomanduar masa organizative dhe disiplinore për 25 punonjës të këtyre komunave dhe ndjekje penale nga prokuroria për 4 punonjës të zyrës qendrore të Regjistrimit të Pasurve të Paluajtshme dhe zyrës vendore të Regjistrimit të Pasurisë së Paluajtshme në kryeqytet dhe për disa nga personat që kanë ushtruar funksione publike në ish-Komisionin e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në kryeqytet dhe ish-Komisionit të ndarjes së tokave bujqësore në Komunat Kashar, Farkë, Dajt dhe Petrelë. F.V