Skandali me avionin e Albanian Airlines, reagon MPPTT: Po marrim masat tona

Tiranë, 17 Janar NOA - Ministria e Punëve Publike,
Transportit dhe Telekomunikacionit deklaroi sonte se nga njoftimet paraprake që
ka pasur me Departamentin Operacional te Kompanisë Ajrore Albanian Airlines
për Fluturimin e datës 17/01/2010, Avioni i Tipit Boeing 737/300 me shenjë
regjistrimi OM-ASD, me numër fluturimi LV 226 dhe me destinacion Bologna
(Itali), është nisur nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës Nënë Tereza, në orën
16:31 sipas orës lokale dhe është ulur në aeroportin e Bratislavës Republika
Sllovake.
MPPTT thotë se deri në momentin e daljes nga
hapësira ajrore e Republikës së Shqipërisë, avioni ka fluturuar sipas
planit të aprovuar të fluturimit nga autoritetet shqiptare me destinacion
Bolonjën.
Avioni është në pronësi të Kompanisë Ajrore
Sllovake Air Slovakia dhe është në shërbim dhe punon për llogari të Kompanisë
ajrore Albanian Airlines Mak prej gati 3 muajsh në bazë të një kontrate Wet
Lease sipas të cilës avioni, ekuipazhi dhe mbulimi i sigurisë operacionale i
takon Autoritetit Rregullator te Republikës se Sllovakisë.
Avioni ka 110 pasagjerë në bord. Të 110
pasagjeret e avionit, për momentin, janë akomoduar ne ambientet e aeroportit të
Bratislavës, - konfirmon MPPTT.
Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil
autorizoi Kompaninë Ajrore Albanian Airlines Mak, pas kërkesës së kësaj të
fundit, për të organizuar një fluturim extra për të transportuar pasagjerët nga
Aeroporti i Bratislaves ku ndodhen aktualisht për në Aeroportin e Bolonjës.
MPPTT thotë se DPAC ka ngritur grupin e punës
dhe po verifikon ngjarjen.
e.r/NOADetajet, çfarë ka ndodhur: Skandal
me Albanian Airlines, udhëtarët për Bolonjë përfundojnë në Bratislavë