Ndihmë zonave të përmbytura, 8 mjete të rënda nga kompania C.A.E.
Duke ndjekur precipitimin e situatës emergjente të përmbytjeve në prefekturën e Qarkut Shkodër, kompania C.A.E. sh.p.k., e specializuar në ndërtime strategjike, vuri në dispozicion të gjithë potencialin human dhe një pjesë të makinerive të rënda të përshtatshme për ndërhyrje në pikat më të vështira në këtë qark, duke u përballur me situata nga më ekstremet. Me interesimin e shtabit të emergjencave dhe të vetë prefektit të Qarkut Shkodër, Maxhid Cungu, kompania C.A.E. sh.p.k. dhe administratori i saj, Ardi Kollçaku, iu përgjigj menjëherë kërkesës së tyre duke dërguar në drejtim të Shkodrës 8 mjete të rënda. Në fshatin Stërbeq në Malësinë e Madhe u dërguan dy damperë “Jcb” dhe fadroma “Comatsu”. Një damper tjetër është vënë në ndihmë të fshatit Samrisht, Komuna Dajç, një fadromë në ndihmë të forcave të policisë, si dhe një skaf në ndihmë të komunës Velipojë. Në fshatin Stërbeq është ndërhyrë në argjinaturën e liqenit, duke bërë që banorët e këtij fshati të flenë të qetë në shtëpitë e tyre. Në fshatin Samrisht, Komuna Dajç, mjeti i vënë në dispozicion nga kompania C.A.E. ishte jetik në shpërndarjen e ndihmave në zonat më të prekura nga përmbytja. C.A.E. sh.p.k është një kompani e specializuar në ndërtime industriale e civile. Kjo kompani është pjesë e “Elite Group” sh.a. Ky grup ka 8 kompani që operojnë në industri të ndryshme si miniera, transport detar, punime specifike në ndërtim, turizëm, teknologji, mbrojtje e “real estate”.