E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali me diplomat, AK: Tafaj të japë dorëheqjen

“Ne jemi sot këtu përpara ministrisë së arsimit për t’i dhënë shkarkimin e merituar Z.Myqerem Tafaj, nëse ai bën rezistencë ne do të nisim revoltat për dinjitet në të gjitha fakultetet e vendit deri në mosbindje studentore”, u shpreh kryetari i Aleancës Rinore KuqeZi Adriatik Lapaj.

“Ky sistem arsimor i ngritur i gjithi mbi korrupsion për 22 vjet I ka ndërlikuar jetën të rinjve shqiptarë, ndërsa sot për turpin e tyre na nxinë faqen duke fabrikuar diploma false. Nuk do të ndalemi deri kur ministri i arsimimit i kapur në flagrancë për paaftësi ne e shpallim këtë ministri vend krimi”, vijoi Lapaj. Aleanca KuqeZi dhe Aleanca Rinore KuqeZi do të nisin një valë protestash në mbarë vendin me qëllim largimin e ministrit Tafaj dhe rritjen e cilësisë së arsimit publik dhe privat për të rinjtë shqiptare.

Një ditë më parë, mediat italiane publikuan të dhënat e hetimeve të Prokurorisë së Napolit, zbuluan se djali i Umbberto Bossi-it, nën hetim për shpërdorim fondesh të Partisë, kishte një diplomë nga Universiteti privat Kristal në Shqipëri. Diploma është marrë brenda një viti, ndërsa studimet e ciklit në fjalë zakonisht zgjasin tre vjet. Renzo Bossi,kishte përfunduar studimet e mesme në vitin 2009, ndërsa në universitetin shqiptar është diplomuar në vitin 2010. /Start/

                                                                                             2012-05-04 13:42
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›