E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali seksual, Kapelo i heq shiritin Territ

LONDER- Trajneri i kombëtares angleze Fabio Kapelo ka ndëshkuar Xhon Terrin për skandalin seksual me ish-të fejuarën e Uejn Brixh, duke i hequr atij shiritin e kapitenit. Takimi mes mbrojtësit të çelsit dhe teknikut italian që drejton Anglinë u zhvillua të premten në orën 15 në stadiumin Uembli dhe ka zgjatur vetëm 12 minuta. Kapelo ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, duke qenë se kapiteni sipas tij, duhet të jetë një shembull për të gjithë. “Pas një reflektimi të gjatë, vendosa t’i heq Xhon Territ shiritin e kapitenit të Anglisë, - bëri të ditur Kapelo në një komunikatë zyrtare të publikuar në uebsajtin e Federatës. – Si kapiten i kombëtares ai ka patur gjithnjë një sjellje tepër pozitive, por ka shumë faktorë që më është dashur të marr parasysh dhe këtë vendim e marr për të mirën e skuadrës”, argumenton trajneri i Anglisë. Tashmë shiriti i kapitenit do t’i takojë mbrojtësit të Mançester Junajtid Rio Ferdinand, teksa mbetet për t’u parë nëse vetë Uejn Brixh do të pranojë të jetë më pjesë e kombëtares apo jo. Në këtë mënyrë Xhon Territ i ka kushtuar shtrenjtë aventura e tij me modelen franceze Vanesa Perronsel, në kohën që ajo ishte e fejuar me shokun e tij të ekipit Uejn Brixh. Terri ka patur raporte seksuale për 4 muaj rresht me të, një skandal që prej një jave mbush të gjitha faqet e shtypit anglez. Brixh dhe Vanesa janë ndarë prej disa muajsh, ndërsa kanë së bashku edhe një djalë 3 vjeçar. Modelja franceze e të brendshmeve, përpara se të fejohej me Uejn Brixh, ka patur lidhje edhe me disa lojtarë të tjerë të çelsit, si Eidur Gudjonsen apo Adrian Mutu. (e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›