Skandali, shkresë pa firmën e Dukës për pasaporta

Nga Altin Latifi
Mosinformimi i presidentit të FSHF-së në lidhje me emrat që do të coheshin për pasaportë shërbimi në Ministrinë e Punëve të Jashtme si edhe mungesa e formës ligjore të dokumenteve u kanë kushtuar vendin e punës dy punonjësve të Federatës. Përgjegjësi i ekipeve kombëtare Besnik Cela dhe shefja e Protokollit Marjeta Xheko janë pezulluar prej tre ditësh nga drejtuesit e FSHF-së, pasi në një shkresë dërguar Ministrisë së Jashtme për pasaportat e shërbimit ka munguar rregullsia e dokumentave. Më saktë, shkresa e nisur nuk ka pasur firmën e titullarit të institucionit, por vetëm vulën e Federatës Shqiptare të Futbollit. C'ka përbën një shkelje administrative dhe ka sjellë shkarkimin e dy zyrtarëve Cela e Xheko. Shkelja është konsideruar si tepër e rëndë nga drejtuesit e Federatës, sipas të cilëve nuk është zbatuar forma ligjore e dokumentave dhe gjithcka është bërë në shkelje të kompetencave nga ana e dy zyrtarëve. Burime zyrtare nga FSHF, bëjnë të ditur se për shkresën dërguar Ministrisë nuk ka pasur dijeni as presidenti Armand Duka, i cili duhet të fimoste emrat që do të dërgoheshin për pasaportë shërbimi. Sapo është njoftuar për emrat që kanë shkuar në MPJ për pasaporta shërbimi, Duka ka ka kërkuar menjëherë të shohë dokumentin, ku në bazë të procedurave administrative dhe rregullave që një shkresë të marrë formën e saj ligjore, duhej edhe firma e tij.
Shkeljet
Për sekretarin e përgjithshëm të Federatës Roland Mici, shkeljet e hasura në punën e dy zyrtarëve Cela e Xheko, kanë qenë të karakterit administrativ. "Shkresa ka qenë pa firmën e titullarit të institucionit dhe vetëm me vulë, gjë që nuk është forma ligjore që nevojitet për dokumente të tilla. Pra, aty ku duhej firma është vetëm vula, gjë që përbën një shkelje administrative dhe kjo ka qenë arsyeja e pezullimit të dy punonjësve", ka konfirmuar Mici për "Gazetën Shqiptare". Edhe pse Mici nuk pranoi ta komentonte gjatë cështjen, është e qartë që problemi kryesor në këtë rast anon nga shefja e protokollit, e cila nuk e ka dërguar shkresën sipas formës zyrtare dhe ligjore që është e nevojshme. Ndërsa shefi i ekipeve kombëtare është pezulluar pasi ka qenë ai personi që ka përgatitur emrat që për t'u cuar në Ministrinë e Jashtme. Sekretari i përgjithshëm Mici, ka qenë dje në zyrat e Ministrisë për të kërkuar vazhdimin e bashkëpunimit dhe që një cështje e tillë të mos krijojë probleme mes dy institucioneve në të ardhmen
Balkanweb.com
(marre nga Gazeta Shqiptare dhe Balkanweb.com